Rëndësia e kalasë së Petrelës gjatë luftrave shqiptaro-osmane në kohën e Skënderbeut
Kalaja e Petrelës, sipas gjetjeve më të hershme arkeologjike, daton nga shekulli VI, e ndërtuar me urdhër të perandorit ilir të Bizantit, Justinianit të Madh, si një rrjet mbrojtës kalash kundër sulmeve barbare.
Nga viti 1190 e deri në mesin e shekullit 15-të, kalaja u sundua nga fraksione të ndryshme, si Progonët e Arbërit, Mbretëria Anzhuine e Arbërisë, Topiajt e në fund nga Kastriotët.
Por është pikërisht periudha e Skënderbeut kur kalaja merr një rëndësi të veçantë si pjesë e një sistemi të sinjalizimit dhe mbrojtjes së kështjellës së Krujës. Kështjellat sinjalizonin njëra-tjetrën me anë të zjarreve në rast të ndonjë sulmi, ndërsa si komandante e garnizonit të kalasë së Petrelës gjatë kësaj kohe ishte Mamica Kastrioti, njëra nga motrat e Skënderbeut.