Të dhënat nga një milion meshkuj në Suedi treguan se mbajtja në formë ndihmon në mbrojtjen kundër të paktën nëntë llojeve të tumoreve.
Një zemër dhe mushkëri më e fortë midis moshës 16 dhe 25 vjeçare, shoqërohet me një shans më të ulët të tumoreve të qafës, fytit, stomakut, pankreasit, mëlçisë, zorrëve, veshkave ose mushkërive në moshën e mesme.
Në rastin më të mirë, rreziku i kancerit të mushkërive ishte 42 për qind më i ulët se te njerëzit joaktivë.
“Ky studim tregon se fitnesi më i madh te të rinjtë e shëndetshëm lidhet me një rrezik më të ulët të zhvillimit të 10 nga 18 kanceret e hetuara. Këto rezultate mund të përdoren në politikat e shëndetit publik, duke forcuar nxitjen për të rritur fitnesin kardiorespirator te të rinjtë”, ka deklaruar dr. Aron Onerup nga Universiteti i Goteborgut për British Journal of Sports Medicine.
Personat që morën pjesë në studim janë analizuar për 33 vjet, ndërsa të dhënat sugjerojnë se shumica e kancereve zbulohen para moshës 60 vjeçare.
Sondazhet tregojnë se gjysma e femrave dhe një e treta e meshkujve nuk ushtrohen. Ndërkohë, rreth 50 për qind e fëmijëve janë aktivë çdo ditë dhe një në tre është me mbipeshë.
NHS (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Angli) thotë se të rriturit duhet të bëjnë 150 minuta ushtrime të moderuara në javë, ndërsa fëmijët duhet të synojnë për një orë aktivitet në ditë.
Rreziku i kancerit mund të zvogëlohet duke mbajtur një peshë të shëndetshme, duke balancuar nivelet e hormoneve, duke kontrolluar presionin e gjakut dhe sheqerin, si edhe duke forcuar sistemin imunitar. /Telegrafi/