Jahja Drancolli

Në qytetin Ancona, ku atëherë vepronte kolonia e qëndrueshme e arbërore, Papa Piu II (emri i tij i vërtetë, Enea Silvio Piccolomini), pas aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare, pritej të kalonte në Republikën e Raguzës (gusht-tetor 1464). Dihet se Papa Piu II ose ndryshe Aneas Silvius njihet si një nga humanistët dhe historianët më të njohur të periudhës së Humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Si i tillë u vu re edhe në Këshillin e Bazelit (1439). Nga viti 1442 e gjejmë në Vjenë si sekretar personal të perandorit Frederiku III; më 1446 u emërua ipeshkëv i Triestes; në vitin 1447 ipeshkëv në Siena; më 1456 kardinal dhe më në fund në 1458 u zgjodh papë. Shënime të rëndësishme për Arbërinë në periudhën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut gjenden në veprat e tij monumentale: “I Commentarii rerum memorabilia, quae temporibus suis contigerunt”, “De gestis Concili Basiliensis commentariorum, libri II”, “Opera omnia” dhe ndonjë tjetër.

Objektivi kryesor i Pikolominit në Republikën e Raguzës ishte takimi me burrat më të shquar të kohës në mbrojtje të vlerave europiane. Kështu, Duka i Republikës së Venedikut Cristoforo Moro, mbreti i Hungarisë, Matthias Corvinus (Mátyás Corvin, Mátyás Hunyadi, 1443-1490), si dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili priste të kurorëzohej mbret i Arbërisë nga Papa Piu II.

E gjithë kjo histori interesante fshihet në arkivat e Raguzës, Anconës, Venedikut, Romës e gjetkë. Krahas njoftimit për kurorëzimin mbret të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut nga Papa Piu II, njoftimet për përgatitjet e Republikës së Raguzës për pritjen e personaliteteve më të shquara të kohës, nisën përkatësisht nga janari deri në maj të vitit 1464, dhe në këtë kontekst, nga numri i madh i arritjeve përgatitore, duhet përmendur sigurimi i disa pikave të rëndësishme të qytetit, veçanërisht sigurimi i fortifikimit Revelin!

Burimi: Një kopje e dokumentit të hulumtuar kohë më parë së bashku me MA. sc. Ruzhdi Panxha në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut. Sot dokumenti në fjalë ruhet edhe në Arkivin Shtetëror të Kosovës! /Trungu & InforCulture

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here