Nga: Daut Dauti
Stabilizatori
Anash televizorit ‘atlas’ qëndronte stabilizatori. Kanë qenë dy lloje stabilizatorash: EI (sikur ky ne foto) dhe Iskra. Gajtani i televizorit futej ne stabilizator kurse ai i stabilizatorit në shteker. Kur aktivizohej, e lironte një zhurmë zhbiruese të padurueshme bëzzzzzzëëëë. Sa më shumë vjetrohej, aq më shumë zhurmonte dhe ia merrte anën zërit të televizorit.
Roli i tij ka qenë stabilizimi i tensionit të rrymës. Pra, ai e rregullonte rrymën kur ishte e ulët apo e lartë. Rryma zakonisht ishte e dobët dhe ekrani i televizorit nuk mbushej me sinjale për të prodhuar fotografinë lëvizëse. Këtu intervenonte stabilizatori: bëzzzëëë.
Nganjëherë rryma ka qenë aq e dobët, sa që as stabilizatori nuk kryente punë dhe nuk mund ta shihnim programin në televizor. Në këto raste stabilizatori shkyqej dhe ne qëndronim me zemër të thyer para televizorit, por me shpresë se së shpejti rryma do të forcohej, disi.