Arkeologu i njohur, Neritan Ceka, zbulon një projekt të Institutit të Arkeologjisë, që vijon prej tre vitesh. Për gazetaren e News24 dhe BalkanWeb, Fatmira Nikolla, arkeologu Ceka thekson se bëhet fjalë për një projekt në Bylys, që po zbulon një cisternë uji, e cila rezervonte ujërat e shkallares së stadiumit të shekullit të tretë para Krishtit.
Siç thekson arkeologu, cisterna është e gjatë 50 metra dhe e thellë 8 metra dhe mbulohej nga një sistem harqesh. Sipas Cekës, kjo është cisterna më e madhe dhe më e bukur e Ballkanit antik të asaj periudhe, duke përfshirë edhe Greqinë.
Vetë arkeologu Neritan Ceka njofton se krahas gërmimit, po bëhet edhe restaurimi i saj, ndërsa publikon edhe pamje të zbulimit në faqen e tij të “Facebook”./inex.press