Më 4 prill 1920, një çetë shqiptare nga rreth 50 veta sulmoi stacionin e xhandarmerisë në fshatin Peçkovë (afër fshatit Vrutokut) të Gostivarit, me atë rast mbeti i vrarë një shqiptar/kaçak. Për hakmarrje xhandarmeria dhe elementi sllav i këtij fshati ndërmori fushatë përndjekje e arrestimesh ndaj banorëve të fshatit shqiptar Orqush i Gostivarit.
Në kohën kur po bëheshin përgatitjet për një kryengritje masive shqiptare në Zonën e pushtimit jugosllav brenda Shqipërisë politike, grupet kaçake të “Krahut të Vardarit”, gjatë muajve maj-korrik 1920 thellë në prapavijë të ushtrisë jugosllave, përkatësisht në qarqet-prefekturat e Tetovës, Shkupit dhe të Manastirit, do të ndërmarrin një sërë aksionesh politike e guerile kundër institucioneve dhe forcave ushtarako-policore serbo-kroato-sllovene, duke kontribuar kështu në ngritjen e moralit dhe të gatishmërisë për kryengritje të armatosur kundër serbo-kroato-sllovene ndër shqiptarët e këtyre anëve. Këtyre grupeve kaçake, në mos që të gjithëve, atëherë rreth 200 prej tyre iu printe Kalosh Kërçova.
Në korrik të vitit 1920, çeta e Kalosh Kërçovës ndodhej në vendin Vracë te “Sollunska gllava”, malit Jakupica, në jug-lindje të Shkupit, e që kjo zonë konsiderohej baza kryesore e brendshme e çetës.
Këtu, çeta kishte qëndruar rreth 17 ditë, dhe pas disa përpjekjeve të armatosura me ekspeditat e xhandarmerisë jugosllave u zhvendos në vendin “Baro Pole” ku qëndroj deri më 2 gusht të vitit 1920, prej nga pastaj çeta evakuoi bazat e veta në drejtim të panjohur.
Me aksionet e tyre të armatosura, çetat kaçake përpiqeshin që sadopak të pengonin përqendrimin e planifikuar të trupave serbo-kroato-sllovene në kufirin lindor të shtetit shqiptar. Kështu, më 20 korrik 1920 në afërsi të fshatit Grupçin të Tetovës, një repart ushtarak jugosllav, i cili nga Shkupi shkonte në Hanet e Mavrovës si përforcim, hasi në pritën e një çete guerile (kaçake) shqiptare prej 15-20 vetash.
Luftimet vazhduan rreth katër orë, dhe nga ushtria jugosllave mbeti i vrarë një oficer dhe dy ushtarë jugosllav. Çeta shqiptare shpesh vepronin dhe në viset të tjera të rrethit të Tetovë, me qëllim të mbajnë të ngujuara në këtë rreth sa më shumë efektiva të forcave jugosllave për të mos u angazhuar në luftën në “Zonën e pushtimit jugosllav”.
Meqë xhandarmeria e qarkut të Shkupit nuk ishte në gjendje të përballet me çetën kaçake të prirë nga prijësi Kalosh Kërçova, dhe gjithherë ekspeditat policore të ndjekjes mbrapseshin dhe shpartalloheshin nga çeta.
Prefekti i qarkut të Shkupit më 27 korrik 1920 kërkonte nga autoritetet ushtarake që forcat ushtarake së bashku forcat e policisë së Shkupit e të rretheve për rreth të organizojnë dhe të ndërmarrin ekspeditë të përbashkët të ndjekjes, me qëllim të rrethimit dhe likuidimit të çetës kryengritëse kaçake. Kështu do të ruhej autoriteti i shtetit, thotë prefekti i Shkupit.
Me urdhër të komandantit të krahinës së Armatës së Tretë, datë 28 korrik 1920, një batalion ushtarak i këmbësorisë, tetë (8) çeta, dy (2) togje ushtarake si dhe fuqi xhandarmerie e civile të armatosura nga qarqet e Shkupit, Tetovës dhe të Manastirit do të ndërmarrin ekspeditë ndjekje ndaj fuqive kaçake, e cila do të zhvillohet sipas planit operativ të hartuar nga vetë komandanti.
Pasi që këto forca deri në mbrëmje të 4 gushtit 1920 do të grupohen në Shkup, në Tetovë, në Gostivar, në Brod (sot: “Makedonski Brod”), në Veles dhe në Përlepe do të organizohen në tri grupe/kolona dhe pasi i zunë pozitat nismëtare, më 5 gusht 1920 filluan mësymjen në tre drejtime; perëndim, veri dhe jug dhe caku kryesor ishte mali Jakupica, në jug-lindje të Shkupit, i cili llogaritej baza kryesore e brendëshme e çetës kaçake të Kaloshit.
Ky operacion i fuqive serbo-kroato-sllovene kudër fuqive kaçake drejtohej nga vetë Komanda e krahinës së Armatës së Tretë. Ndërkaq, nga 6 e deri më 9 gush të vitit 1920 u zhvillua sulmi frontal i ekspeditës së ndjekjes të forcave jugosllave në malin Jakupica me qëllim të likuidimit të çetës së Kalosh Kërçovës e cila për momentin këtu numëronte rreth 70-80 luftëtarë nga krahinat e Dibrës dhe Kërçovës.
Mirëpo, fuqitë ushtarake e policore jugosllave nuk hasën në çetën kaçake dhe as që i ranë në gjurmë asaj, gjë që më 9 gusht 1920 njësitë ushtarake jugosllave, të angazhuara në ekspeditën e ndërprenë operacionin dhe u kthyen në bazat e veta, kurse efektivat e xhandarmerisë të angazhuara mbetën dhe më tej në pozicionet ku ndodheshin që përpara ekspeditës së lartpërmendur. Kështu kjo ekspeditë e ndjekjes përfundoji pa sukses.
Komandantët ushtarak serbo-kroato-slloven dhe nënprefekti i Shkupit të angazhuar në këtë operacion, pohonin, veç tjerash, se trupat ushtarake të angazhuara i kanë kryer detyrat me përgjegjësi.
Kurse gjatë operacionit në kompleksin; “Sollunska Gllava”-“Jurukova Karpa”-“Jakupica” fuqitë jugosllave kanë hasur vetëm disa veta kaçakë, në numër shumë të vogël, disa nga të cilët i kanë vrarë gjatë përpjekjeve dhe disa i kanë zënë kurse disa nga ata ia dolën të ikin.
Mirëpo, as në këtë rast komandantët ushtarak nuk bëjnë fjalë për atë se gjatë kësaj mësymje ia kanë arritur qëllimit kryesor që ishte likuidimi i çetës së Kalosh Kërçovës. Mos arritjen e qëllimit komandantët e arsyetojnë me atë se Çeta që përpara 4-5 ditësh ishte informuar nga Shkupi për ekspeditën që do të ndërmerrej, ndaj dhe me kohë, përpara se të arrin trupat ushtarako-policore, çeta kaçake ishte larguar në drejtim të trevës së Poreçes (rrethi i Brodit). Kurse, prijësi i çetës Kalosh Kërçova ia kishte dalë të evakuohet në Malësi të Dibrës.
Advertisement
Por, përkundër masave të rrepta të ndjekjes që kishin ndërmarrë autoritetet ushtarako-policore serbo-kroato-sllovene, Kalosh Kërçova me shokë nuk i pushuan aksionet dhe veprimet e tyre në dobi të lëvizjes çlirimtare. Njoftohej se në natën midis 10/11 gushtit të vitit 1920, Kaloshi me 50 bashkëluftëtarë të vet “mirë të armatosur” e kapërceu Drinin e Zi tek Kalisi dhe u hodhën prapa “Vijës së demarkacionit” në prapavijën e trupave serbo-kroato-sllovene, se “me çfarë qëllimi nuk dihej”. Pasi që u njoftua lidhur me këtë, komandanti i krahinës së Armatës së Tretë urdhëroi që të merren urgjentisht masat e nevojshme.
Do theksuar se veprimet politike e të armatosura të Mbretërisë SKS në Trevat Lindore shqiptare ishin të sinkronizuara me ndërhyrjet/intervencionet politike e ushtarake të saja në Shqipërinë politike. Kështu, në kohën kur qe ndërmarrë ekspedita e ndjekjes e lartpërmendur (më 5-9 gusht 1920) ndaj gueriles në Trevat Lindore shqiptare, Qeveria jugosllave urdhëroi batalionet mercenare shqiptare-esatiste të krijuar nga Jugosllavia; batalioni i Halit Lleshit, i Tafë Kaziut, i Xhemail Mehmedit” të kalojnë vijën e “Frontint shqiptar”/”Vijën e demarkacionit” me qëllim të provokimit sistematik ndaj shqiptarëve dhe Qeverisë shqiptare për kryengritje, me çka do të justifikohej intervencioni i haptë e i gjerë ushtarak serbo-kroato-slloven ndaj Shqipërisë, i cili u ndërmor në muajt gusht-shtator të vitit 1920, e njohur dhe si “Lufta e Dibrës”.
Sipas vlerësimit të vetë autoriteteve serbo-kroato-sllovene të kohës, si rrjedhojë e ofensivës së përgjithshme të ushtrisë serbo-kroato-sllovene gjatë gushtit-shtatorit 1920 brenda Shqipërisë politike, pushuan përkohësisht dhe aksionet e çetave kaçake në Trevat Lindore shqiptare, nga se edhe çetat kaçake të këtyre anëve u përfshinë në radhët e kolonave kryengritëse shqiptare. Por, pas një muaji sërish u intensifikuan aksionet e kaçakëve në Trevat Lindore shqiptare me përmasa edhe më të mëdha: që “bota nuk mban në mend”.
Që nga fundi i shtatorit të vitit 1920 në hapësirën midis maleve Korab e Bistër vepronin rreth 200 kaçakë nga Cerca (Çidhna), Reçi dhe Dibra e Vogël etj., kurse udhëheqësi i tyre ishte Kalosh Kërçova, të cilët nga 25 shtatori e deri më 12 tetor 1920, ndërmorën më se 13 aksione guerile në rrethet e Galiçnikuk, Gostivarit, Kërçovës etj.
Këto aksione të tyre ishin me karakter hakmarrës kundër Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene për terrorin, grabitjet dhe përgjithësisht gjenocidin që ushtruan trupat serbo-kroato-sllovene në krahinën e Dibrës. Mirëpo, tani cak i aksioneve të grupeve të armatosura shqiptare nuk ishin vetëm institucionet politike/civile dhe ato ushtarake e xhandarmerie jugosllave, por ishin dhe individë të caktuar të cilët ose ishin familjar të personaliteteve ushtarake e politike ose ishin bashkëpunëtor të pushtetit.