Nga: Adam Scovell / The Daily Telegraph (titulli origjinal: ‘Don’t put cowboys on the couch’: why John Wayne reckoned Clint Eastwood ruined the Western)
Përkthimi: Telegrafi.com
“Ti kërkon që unë ta qëlloj në shpinë?”, e pyeti John Wayne regjisorin Don Siegel, gjatë xhirimeve të filmit vestern, The Shootist (1976). Wayne ishte si gjithmonë kokëfortë, teksa punonte në filmin e tij të fundit të përfunduar. Por, Siegel insistoi, pasi personazhi i Wayneit kishte katër luftëtarë të tjerë për të vrarë në skenë – e kjo nuk ishte kohë për gjërat e mira.
“Nuk e qëlloj askënd në shpinë”, u ankua Wayne.
“Clint Eastwood do ta kishte qëlluar në shpinë”, u përgjigj Siegel, duke e ditur se emri i Eastwoodit thjesht do të ishte provokim për yllin e mplakur. Wayne u zverdh nga zemërimi dhe bërtiti: “Nuk më intereson se çfarë bën ai fëmijë, unë nuk i qëlloj njerëzit në shpinë”!
Është folur shumë për tensionin që dy yjet kishin ndër vite. Kjo nuk ishte hera e parë që dy burrat e vjetër të vesternit e qëllonin njëri-tjetrin. Por, a kishin më shumë të përbashkëta sesa mendohej më parë? Në fund të fundit, siç Eastwoodi i tha Kenneth Turanit në vitin 1998, “u rrita duke i parë të gjithë vesternët e John Fordit dhe Anthony Mannit, që dolën në vitet 1940-’50. John Waynein, me gjithë ata lloj të vesternit kalorësiak, si dhe Jimmy Stewartin”. Wayne u përshkrua qartë në qëndrimin e Eastwoodit për zhanrin, pavarësisht se çfarë ndodhi mes tyre.
Megjithatë, për njëfarë kohe, vesternët më të errët, më nihilistë të Eastwoodit, si dhe suksesi i tyre i padyshimtë, ishin padyshim pikat e grindjes për Waynein. Dhe, tensioni mes të dyve përfundimisht arriti në majë, falë filmit të dytë të Eastwoodit si regjisor, High Plains Drifter (1973), një fabul kjo shumë e dhunshme që ishte shumë larg nga vesternët më romantikë dhe festivë të Wayneit. Për Waynein, ky ndryshim i tonit ishte pothuajse fyerje për brezat e kaluar.
Duke mbushur 50 vjet në këtë vit, filmi High Plains Drifter ishte vesterni i parë i Eastwoodit si regjisor. Megjithatë, ngritja e aktorit në famë – që ishte e mbushur me pushkatarët e pikëpamjeve të ndryshme morale, që nga rolet e hershme televizive si Rawhide (1959-1965) e deri te klasikët brutalë italianë të Sergio Leones, si A Fistful of Dollars (1964) – nuk ndodhi deri në vitet 1970 kur Eastwoodi nisi të bëjë regjinë. Dhe, me suksesin e trilerit të tij debutues e të suksesshëm të vitit 1971, Play Misty for Me, nuk kaloi shumë kohë para se Eastwoodi do ta sfidonte veten në vestern. Megjithatë, filmi i Eastwoodit do ta karakterizojë pamjen dramatike pesimiste të epokës së Perëndimit të Vjetër të Amerikës, deri në masën sa ishte më shumë një film i horrorit të mbinatyrshëm sesa një tregim klasik me armë zjarri.
Me skenar nga Ernest Tidyman – i famshëm për skenarin e tij fitues të çmimit Oscar për The French Connection (1971), të regjisorit William Friedkin – High Plains Drifter pasqyroi një qasje më moderne ndaj zhanrit, si në ton ashtu dhe në përmbajtje. E ndjek një të huaj të paidentifikuar (Eastwood) – i cili në fakt mund të jetë fantazmë – teksa hyn në qytetin Lago në kërkim të hakmarrjes për një mareshal të ShBA-së, i cili u vra për vdekje me kamxhik, ndërsa qyteti bënte sehir.
Atmosfera e filmit është e errët dhe e tensionuar, dhuna është e pafalshme dhe ndjesia e nderit në fijen e kashtës. Brenda 10 minutave të parë, i huaji ka mashtruar tre burra që i vret, ndërsa sulmon një grua. Përmbledh në mënyrë të përsosur tonin e vesternëve të rinj revizionistë. “Kurrë nuk e kam imagjinuar veten si një djalë mbi kalin e bardhë ose duke veshur kapelën e bardhë mbi kalin e fuqishëm …”, pranoi Eastwood.
Filmi i Eastwoodit i bënte jehonë gjeneratës së re më të ashpër të vesternëve, përkrah klasikëve të tillë si McCabe & Mrs Miller i Robert Altmanit (1971), Little Big Man i Arthur Pennit (1970), si dhe The Wild Bunch i Sam Peckinpahut (1968). Këta vesternë të rinj shpeshherë kishin një qasje të pashpresë, duke u përballur me figurat e zhgënjyera që luftonin dhunshëm kundër varfërisë, forcave të natyrës dhe njëri-tjetrit. “High Plains Drifter u mendua të ishte tregim”, tha Eastwood, “nuk duhej të ishte asgjë për rehabilitimin e Perëndimit.”
Personazhet e këtyre filmave nuk ishin heroikë, por përkundrazi gënjeshtarë, mashtrues dhe me hile; të pangopur për ar si në The Good, The Bad and The Ugly (1966) të Leones ose të dehur nga braktisja ligjit si në The Life and Times of Judge Roy Bean (1972) të John Hustonit. Ishin gjithashtu filma më të dhunshëm. Të shtënat me armë zjarri nuk ishin më vetëm një tingull dhe një e shtënë nga reagimi, por shpeshherë të përgjakshme, të çrregullta dhe ndonjëherë pas shpine.
Wayne ishte i zëshëm në kritikat e veta për qasje e re. “Për mua”, i tha ai revistës Playboy më 1971, “The Wild Bunch ishte i pakëndshëm. Do të kishte qenë film më i mirë pa gjakun e derdhur”.
Përpara Hollivudit të ri pesimist të viteve 1960, kinemaja e Wayneit kishte përcaktuar në përfaqësimin më heroik të Perëndimit të Vjetër, edhe kur personazhet që ai luante dihej se kishin të meta. Kërkimi i tij epik në qendër të filmit The Searchers (1956) të John Fordit, si karakteri fanatik Ethan Edwards, e tregon pikërisht këtë formulë. “Epo, ka disa gjëra të mrekullueshme aty”, tha Eastwood për The Searchers. “Nuk mendoj se qëndron, në kuptimin e asaj që ka disa karaktere që sot nuk do t’i luaja”.
Megjithatë, mund ta kishte zgjedhur çdo pjesë të shfaqjeve të Wayneit nga Epoka e Artë e Hollivudit, të cilat që të gjitha demonstruan një vlerësim pothuajse mitik për peizazhin dhe kulturën e Perëndimit të Vjetër. Qoftë si bariu kokëfortë dhe i vendosur në Red River të Howard Hawksit (1948) ose si i dënuari i arratisur që ndihmonte një grup të leckamanëve anembanë vendit në Stagecoach (1939) të Fordit, pavarësisht prejardhjes së tyre, personazhet e Wayneit gjenin gjithmonë shpengim, qoftë kjo vetëm në sytë e audiencës. Respekti i tij intensiv për formën klasike të vesternit, sigurisht se shpjegohet me përgjigjet e tij shpeshherë thumbuese kur pyetet për qasjen e re.
“A dini ndonjë vend, folklori i të cilit është shkatërruar?”, tha Wayne në vitin 1972, “Është folklori ynë … I kam parë filmat ku ata po përpiqen t’i vendosin kaubojët në divan, por sapo ta bëni një filmi për një kauboj legjendar, publiku amerikan dhe ai botëror duan ta shohin atë”. Wayne ishte padyshim shumë i pakënaqur me ndryshimet që po ndodhnin në Hollivud dhe në zhanrin e tij të dashur: ndryshimet që ai ndjeu se po i përfaqëson Eastwoodi, pasi i riu vrau pamëshirshëm njerëzit në filmin e Leones, For a Few Dollars More (1965) ose Hang ’em Hight të Ted Postit (1968).
Megjithatë, yjet fillimisht u shqetësuan për Dirty Harry (1971) të Siegelit sesa për një vestern. Wayne pretendoi se atij iu ofrua roli i policit të ashpër Harry Callahan, përpara se Eastwoodi ta merrte. Sido që të jetë, edhe pse gjasat ishin që fiziku i kërkuar do të thoshte që studioja ta refuzojë Waynen dhe jo anasjelltas, suksesi i filmit padyshim që e bëri yllin të ndihej gjithnjë e më jashtë kontaktit me kinemanë amerikane. Kur u pyet për arsyet e refuzimit të tij, ai i dha dy. “E para është se ata ia ofruan Frank Sinatras”, tha ai. “Nuk më pëlqen kur më ofrohen refuzimet e Sinatras. Arsyeja e dytë është se mendova se Harry ishte polic mashtrues”. Arsyeja e fundit sigurisht që tingëllon e vërtetë për qasjen e ndershme që Wayne kishte ndaj karakterit.
Sido që të jetë, Dirty Harry e forcoi më tej vendin e Eastwoodit në qendër të Hollivudit. Filmi ishte sukses i pashembullt dhe solli një epokë të re të trilerëve policorë në mbarë botën. Në të vërtetë, suksesi ishte i tillë sa Wayne në vitet e mëvonshme mbeti duke ndjekur rolet e stilit të Dirty Harry-t, me filma me ngjyrim po të njëjtë si McQ i John Sturgesit (1974) dhe Brannigan i Douglas Hickcoxit (1975).
Pas suksesit të High Plains Drifter, Eastwoodi shkonte lart me mundësitë për më shumë projekte. U mor me një skenar të Larry Cohenit të quajtur The Hostiles, një tregim për një kumarxhi që fiton gjysmën e një pasurie nga një fermer më i vjetër; të dy burrat u detyruan të punonin së bashku për të shmangur banditët. Eastwoodi ishte i bindur që Wayne do të luante njeriun e moshuar, ndërsa ai të riun. Ia dërgoi me padurim skenarin. Wayne nuk ishte i impresionuar dhe ia tha Eastwoodit të njëjtën gjë në një letër.
Problemi i Wayneit nuk kishte të bënte me The Hostiles ose me përmbajtjen e tij, por ajo që vetë Eastwoodit përfaqësonte gjithnjë e më shumë në atë zhanër, falë filmit High Plains Drifter. “John Wayne më shkroi një herë një letër duke thënë se nuk i pëlqente High Plains Drifter”, pranoi Eastwood. “Tha se nuk ishte në të vërtetë për njerëzit që ishin pionierë të vesternit. E kuptova se ishin dy breza të ndryshëm dhe ai nuk do ta kuptonte se çfarë po bëja”.
Eastwood nuk iu përgjigj letrës drejtpërdrejt, por ia dërgoi Wayneit një skenar tjetër të rishikuar, me shpresën se do ta afronin në projekt. “Këto gjëra janë gjithçka që dinë të shkruajnë këto ditë …”, u ankua Wayne. Sipas djalit të tij, Michael Wayne, kur versioni i fundit i The Hostiles ra në grumbujt e skenarëve, babai i tij e hodhi në det nga kuverta e varkës së tij, Wild Goose, me fjalët e acaruara: “Përsëri kjo copë m…”. Projekti dështoi dhe nuk u realizua deri në vitin 2009, dhe madje vetëm si një film televiziv i lirë e pa përfshirjen e Eastwoodit.
Natyrisht, historia tregon se Eastwoodi kishte të drejtë që iu përmbajt armëve të tij, në vend që të mbështetej në qasjen gjithnjë e më të vjetër të Wayneit ndaj zhanrit. Karriera e tij si regjisor lulëzoi, me një varg klasikësh si The Outlaw Josey Wales (1976), Pale Rider (1985) dhe vesterni i tij revizionist i vitit 1992, Unforgiven, i cili ishte filmi i fundit i zhanrit që fitoi një Oscar për filmin më të mirë. Në mënyrë të duhur, vetë Eastwoodi e shihte Unforgiven-in si kapitullin e fundit në vesternët revizionistë. “Nëse do të bëja një vestern të fundit”, tha ai, “kjo do të ishte sepse përmbledh disi atë që ndjej. Ndoshta kjo është arsyeja se pse nuk e bëra menjëherë. E shijova si filmin e fundit të atij zhanri, ndoshta si filmin e fundit të atij lloji për mua”.
Në atë kohë, Eastwoodi ishte burri më i vjetër i vesternëve të ekranit, jo Wayne. Por, ashtu si Wayne para tij, edhe ai kishte ca pyetje politike se ku po shkon zhanri. Për filmin e Kevin Costnerit të vitit 1990, Dancing with Wolves, kritika e Eastwoodit mund të ishte shqiptuar lehtësisht nga Wayne në diskutimet e tij për vesternin revizionist të viteve 1960’70. “Ishte një lloj i djaloshit bashkëkohor nga Perëndimi, i cili ishte i interesuar për ekologjinë dhe të drejtat e grave dhe të drejtat indiane”, tha Eastwood. “Nëse do ta bënit ashtu siç ishte, njerëzit me siguri nuk lodheshin për të në ato ditë, por ndoshta kjo është ajo që nevojitet për të nxitur brezin e ri të shikuesve të filmit”.
Pavarësisht nga ndryshimet e mëdha dhe trashëgimia e suksesshme e vesternëve më të errët të viteve 1970, Wayne ende nuk donte t’i qëllonte njerëzit pas shpine. Siegel ishte mik i mirë me Eastwoodin, kështu që aktori natyrshëm vizitoi sheshxhirimin e filmit The Shootist. Sipas Ron Howardit, i cili gjithashtu luajti në film, të dy aktorët më në fund u takuan dhe për dallim prej shumë historive rreth mosmarrëveshjeve dhe rivalitetit, ata kaluan mirë. Ekziston ende një foto e tyre duke buzëqeshur dhe duke qeshur në xhirime: dyshja më e famshme e armëve në historinë e filmit, më në fund i ulin armët, qoftë edhe shkurtimisht. /Telegrafi/