Nga Amik Kasoruho

Kur në Mesjetën e vonë Europa rizbuloi klasikët e Greqisë dhe të Romës, Shqipëria ishte një vend i pushtuar, ku vihej në rrezik jo vetëm vijimi i gjuhës dhe i kulturës autoktone, por vetë jeta e kombit. Rrezikoheshin vlerat historike të një populli, i cili, deri pak kohë më parë, kishte qenë pjesë organike e qytetërimit europian. Pushtimi turk, jo vetëm që e mbajti këtë popull larg zhvillimit të pjesës tjetër të Europës, por këmbënguli me keqdashje në qëllimin e vet për ta detyruar të humbiste origjinalitet dhe origjinë, mbi të gjitha duke favorizuar kthimin e pjesës më të madhe të popullit në fenë islamike. Periudha e gjatë e pushtimit turk (rreth 450 vjet), në mos tjetër, bëri që të humbitnin gjurmët e vazhdimësisë historike të një populli dhe të një qytetërimi të lashtë, po të përjashtohet ajo pjesë e kulturës vendase që gjeti strehë në pasurinë gojore të një folklori origjinal dhe tejet të pasur. Prandaj, për të rindërtuar të kaluarën historike të Shqipërisë, në shumicën e rasteve, duhet t’u drejtohemi burimeve arkivore të vendeve të tjera (të Stambollit, të Vatikanit, të Venedikut, të Vjenës etj.). Nga Arkivi i Shtetit i Tiranës mund të nxirren gjëra të pakta, meqë mbi të rëndon dyshimi që të jetë vënë dorë në pesëdhjetë vitet e fundit të diktaturës komuniste.

Vitet e fundit është bërë diçka për t’ia nisur një rindërtimi historik, edhe pse ka munguar një kërkim sistematik dhe rrënjësor ndër arkivat e ndryshëm (dihet se, për të bërë këtë, duhen shumë të holla, kohë të gjata dhe shumë vullnet i mirë …).

Një gjë del krejt e qartë: për zhvillimin e kulturës, të arsimit dhe të shkollës në Shqipëri, ka pasur rëndësi themelore kontributi i dhënë nga kleri i besimeve të ndryshme fetare, por mbi të gjitha ai i Kishës Katolike.

Një gjë e tillë vihet re haptazi qysh në fillimet e historisë së letërsisë shqiptare. Pohimi i parë për të folurit shqip (dhe me gjasë edhe gjuhës së shkruar) i përket një shënimi (1332) të një domenikani, Gulielmo Adae, nga i cili veç është vështirë të hipotizohet, siç kanë bërë disa, për ekzistencën e një letërsie të shkruar në shqip qysh në shekullin XIV. Në të vërtetë i pari dokument i shqipes së shkruar (i zbuluar deri sot) i përket vitit 1462 dhe është Formula e Pagëzimit në shqip, e shkruar nga Arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli. Për botimin e librit të parë në shqip, Mesharin e Gjon Buzukut, i cili u shtyp jashtë vendit, duhet pritur viti 1555: që të dy këto fakte vërtetojnë se, veçanërisht për tekstet liturgjike, gjuha e vendit përpiqej të zëvendësonte latinishten. Ndonjë studiues është i mendimit se edhe më përpara, qysh në kohë të Skënderbeut, kronikat shkruheshin “në gjuhën e popullit”, por mjerisht kjo gjë nuk është vërtetuar nga dokumentet.

Sidoqoftë, del në shesh një fakt: të parët që e shkruan shqipen kanë qenë priftërinjtë katolikë. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, meqë këta klerikë kishin një kulturë të madhe, të cilën donin ta vinin në dispozicion të vendit.

Tërësia e veprave të Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit, Palit nga Hasi, Gjon Nikollë Kazazit, Lekë Matrangës, Nikollë Ketas dhe të tjerëve që i ndoqën, tregon dukshëm lidhjen me vlerat e kombit të këtyre të mëdhenjve të kulturës shqiptare. Vlen për të gjithë pohimi i Buzukut që, në parathënien e “Mesharit” të tij thotë se e ka shkruar këtë vepër në shqip “nga dashuria për gjuhën tonë”.

Me shumë gjasë (duke gjykuar nga të dhënat që disponohen deri më sot) shkolla e parë shqiptare ka qenë ajo e Stubllës në Kosovë, themeluar më 1584; ka të ngjarë që në atë shkollë të jetë përdorur gjuha shqipe, të paktën për një pjesë të mësimeve. Në studimin e shkurtër të Sarë Gjergjit lexojmë: “Qysh në shekullin XVI misionarët katolikë provuan të themelojnë një shkollë të lartë në territorin e famullisë katolike të Karadakut të Shkupit, meqë aty nuk banojnë dhe nuk vijnë turqit … Sidomos Stublla (afër Gjilanit), fshat që flet gjuhën shqipe, ka qenë i përshtatshëm për hapjen e një kolegji të tillë katolik”.

Zgjedhja e një fshati albanofon vlerëson tezën se në atë shkollë mësimet duhej të zhvilloheshin edhe në shqip. Natyrisht, si kusht i nevojshëm për hapjen e shkollës ishte njohja dhe përdorimi i mirëfilltë i shqipes. Pak më vonë së tridhjetë vjet mbasi botimit të librit të parë shqip hasemi, pra, në të parën shkollë shqiptare; një fakt simbolik ky, që tregon lidhjen e ngushtë mes gjuhës, fesë, kulturës dhe shkollës në Shqipëri.

Është shumë e vështirë të depërtosh në errësirën e një epoke që s’ka lënë dëshmi. Kostantin Jireçek ka pasë thënë se “as ndërmjet Galipolit dhe Adrianopolit nuk ishin rrënuar aq shumë qytete mesjetare sa ç’u shkatërruan vetëm në rrethet e Durrësit dhe të Shkodrës”.

Duhet mbushur një zbrazëti prej gati pesëdhjetë vjetësh para së të hasemi në themelimin, nga ana e priftërinjve katolikë, të shkollës së Kurbinit në vitin 1632, një shkollë që, sipas studiuesit Shefik Osmani, në programin e vet mësimor përfshinte edhe studimin e shkrimtarëve shqiptarë Bardhi, Budi e Bogdani. Në vitin 1638 Etërit Françeskanë hapën një shkollë në Shkodër dhe, në të njëjtin vit, një tjetër në Pllanë. Në vitin 1639 Fretërit e Troshanit hapën shkolla në Blinisht dhe në Zadrimë. Krijimi i këtyre shkollave në gjysmën e parë të 600-ës rrjedh nga një interes i ndjeshëm për zhvillimin e arsimit. Arqipeshkvi Pjetër Mazreku nga Prizreni në raportet e tij (të shkruar në vitet 1632-1633) (thekson) rolin e shkollës dhe nevojën e shkollimit të shqiptarëve.

Në shekullin XVI Ndre Bogdani kishte shkruar një gramatikë latinisht- shqip që, me sa dihet, qe përdorur në shkollën e javës.

Por për të arritur në themelimin e të parës shkollë shqip në plot kuptimin e fjalës, duhet pritur gjysma e shekullit XIX. Në studimin e saj mbi historinë e shkollës shqiptare, Fehime Pipa niset pikërisht nga viti 1861, vit në të cilin u themelua shkolla françeskane e Shkodrës (e thirrur zakonisht shkolla e Fretënve), duke lënë jashtë periudhën para atij viti, sepse studimi i saj përfshin vetëm njëqind vjetët e fundit. Në shkollën e Shkodrës, për herë të parë në histori, gjuha bazë është shqipja, sepse ajo ishte një shkollë e hapur dhe jo ngushtësisht fetare: ajo hodhi themelet e shkollës publike në Shqipëri. Ky primat, në një farë kuptimi, është pika e mbërritjes ku çuan përpjekjet e bëra nga klerikët katolikë në këtë drejtim, pa i hequr asgjë kontributit të dhënë nga laikët apo nga eksponentët e besimeve të tjera fetare (dhe duhen marrë në konsideratë edhe përpjekjet e diasporës shqiptare, në radhë të parë të arbëreshëve të Italisë). Dy vjet para hapjes së “shkollës së Fretënve” në Shkodër, po në atë qytet, jezuitët kishin themeluar Kolegjin Pontifikal (1859) dhe, më 17 tetor 1877, me kërkesën këmbëngulëse të banorëve të Shkodrës, hapën Kolegjën Saveriane. Më 14 nëntor 1882, në Tirana e lart (ku kishte një përqendrim më të madh të katolikëve) shkollat e para (dhe nuk bëhet gabim të thuhet më të kualifikuarat) qenë themeluar nga meshtarët, nga rregulltarët dhe nga rregulltarët e Kishës Katolike.

Ndërsa në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut qe kleri ortodoks dhe ai mysliman, bashkë me shumë laikë që iu përveshën punës për shkollimin e Shqipërisë. Në Voskopojë (në rrethin e Korçës) më 1720 pat qenë themeluar Akademia e Re; dhe në Korçë, më vonë, (më 7 mars 1887) u hap e para shkollë shqipe e Jugut dhe (më 1891) e para shkollë shqiptare për vajza; pastaj i erdhi radha themelimit të Normales së Elbasanit (1909) dhe gjimnazeve, laike dhe shtetërore të Tiranës, Korçës dhe Shkodrës. Ndër shkollat katolike mbizotëroi parapëlqimi për disiplinat klasike, ndër shkollat e tjera për ato shkencore. Gjithsesi këto shkolla ishin realizimi i ëndrrës së burrave të mëdhenj të kombit shqiptar dhe trupëzimi i përpjekjeve të njerëzve të ndritur të vendit. Ato shkolla ishin shkallaret nëpër të cilat do të ngjitej drejt përparimit shoqëria shqiptare.

Në shkollat e Shkodrës dhe të Tiranës, të hapura nga priftërinj katolikë, dhanë mësim personalitete ndër më të njohurat e botës intelektuale shqiptare të asaj kohe dhe, i pari ndër të gjithë ishte Fishta, gjë që provon qartë dhe në mënyrë elokuente: ç’rëndësi i jepnin këto personalitete arsimit dhe shkollës. Ja një listë e emrave gjithë prestigj që nuk mund të mos bëjë përshtypje:

At Leonardo De Martino (arbëresh) (1830-1923), poet;

At Ndue Bytyçi (1847-1917) poet, studiues i pedagogjisë:

At Anton Xanoni (1863-1915) shkrimtar, autor tekstesh shkollore dhe përpilues antologjish letrare;

Dom Ndre Mjeda (1866-1937), poet dhe filolog;

At Pashk Bardhi (1870-1948), shkrimtar;

At Shtjefen Gjeçovi (1874-1948), etnolog, studiues i të drejtës zakonore:

At Gjergj Fishta, (1871-1940), poet;

At Anton Harapi (1888-1946), orator, publicist;

At Justin Rrota (1889-1964), linguist;

At Marin Sirdani (1885-1962), shkrimtar dhe historian;

At Bernardin Palaj (1894-1949), etnolog dhe poet;

At Pal Dodaj (1880-1951) publicist;

At Donat Kurti (1903-1983), etnolog dhe pedagogjist;

At Benedikt Dema (1904-1960), shkrimtar dhe publicist;

At Gjon Shllaku (1907-1946), filozof dhe pedagogjist;

At Daniel Dajani (1916-1947), publicist.

Këto dhe personalitete të tjera fetare, që janë pjesë përbërëse e botës së kulturës shqiptare dhe që ngjallin respekt për veprën e tyre fetare dhe për impenjimin e tyre të ndritur në lëmin e artit dhe të kulturës, nga ana tjetër kanë kontribuar, dhe jo pak, për të përvijuar dimensionin patriotik dhe shoqëror të institucioneve shkollore; ata e kishin bërë të vetën thënien e Kantit “arsimi është pesha më e madhe që mund të vendohet mbi supet e një njeriu”. Dhe këtë detyrë të rëndë, të vështirë por fisnike ata e kryen deri në fund me dinjitet e seriozitet.

Dhe ç’është e vërtetë, që angazhimi i tyre konsekuent dhe fort i kualifikuar që dha dorë të formohej ajo gjeneratë intelektualësh e asaj Shqipërie që, më 1912, nisi të ecte me këmbët e veta. Por kjo përpjekje nuk u vu në jetë pa pengesa.

Mbas pengesave të nxjerra nga pushtimi turk, kjo vepër, me kalimin e kohës, u desh të përballonte edhe sulmet e një materializmi të anshëm dhe të një laicizmi kontingjent. Kësisoj, duke filluar nga viti 1932, kishte nisur fushata për shtetëzimin e shkollave private dhe fetare. Në prill 1933 u modifikua Kushtetuta dhe, si rrjedhojë, më 1934 u shtetëzuan dhe deri u mbyllën 23 shkolla private dhe fetare (nga të cilat 17, apo 74%, ishin shkolla të katolikëve), 57 shkolla të pakicave greke në jug të vendit, seminari i Kishës Ortodokse në Tiranë, Medreseja (shkolla e mesme fetare myslimane) e edhe të tjera.

Qysh nga ajo kohë deri në mbylljen përfundimtare të të gjitha shkollave jo shtetërore kaluan fare pak vjet. Më 1945, në kuadrin e reformës shkollore që u bë me dashjen e diktaturës komuniste, u pre përfundimisht mundësia që të rihapeshin shkollat fetare dhe private. Kjo periudhë e dytë dhune zgjati gati gjysmë shekulli, gjatë së cilës u bë çmos për të heshtur faktet, të cilat tashmë janë pjesë e vetë historisë kombëtare shqiptare. Një fakt për të gjithë: si datë e themelimit të shkollës së parë shqiptare u shpall 7 Marsi 1887, dita kur u hap shkolla e Korçës. Viti 1861 u la me dashje në një harresë të padrejtë. Por kjo, falë Zotit, bën pjesë në një të kaluar tashmë të varrosur./historiashqiptare.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here