Haxhi MEHEMTAJ, arkeolog

Në fshatin Leqinë të komunës së Skenderajt, në trevën e Drenicës, rrëzë një kodre te ulët e të pyllëzuar, të quajtur më toponimin Kisha, jo larg gjurmëve të vendbanimit mesjetar, gjendet kisha mesjetare e shek. XVI kushtuar Shën Gjonit. Kjo kishë ishte ngritur sipëri themeleve të një kishe të shek. XIV, kushtuar Shën Kollit. Kisha është më një anijatë, përmasash 10 x 5.10m. Ajo është restauruar dhe venë nen mbrojte të Ligjit në vitet 60-ta të shek. XX.

Përmasat e kishës kanë qenë me të mëdha para restaurimit, gjë që shihet nga vazhdimi i themeleve të pronarteksit në anën perëndimore. Hyrja nga ana e jashtme ndodhet në anën jugore të pronarteksit. Muret e kishës janë ngritur nga gurët konglomerat të lidhur më llaç gëlqeror. Ato kanë qenë të pikturuara nga ana e brendshme me afreske motivesh liturgjike, të cilat në masën me të madhe janë dëmtuar. Trashësia e mureve të jashtme është 90cm, kurse muri ndarës ne mes të anijatës dhe pronarteksit është i gjerë 70cm.

Sipas një shkrimi të botuar në librin “ Kosova dikur dhe sot”, Prishtinë 1973, faqe 951, kjo kishë nga kisha katolike ishte shndërruar në kishë ortodokse: ”…në fshatin Leqinë është një kishë e vogël, shumë më e vjetër sesa Manastiri i Deviqit, për të cilën konsiderohet së se pari ka qenë kishë katolike, e pastaj është shndërruar në kishë ortodokse. Këtu është gjetur një kryq i madh, i stolisur me flori, të cilin fshatarët e kanë ruajtur me gjelozi. Kur banoret e Kollashinit e rrëmbyen ketë kryq, shpërtheu konflikti i armatosur, në të cilin u përzien edhe pjesëtaret e kombësisë shqiptare, në anën e bashkëvendësve të tyre, dhe e kthyen kryqin në kishën e vogël”.

Brenda sipërfaqes prej 5 – 6 ari ,në terrenin e pyllëzuar të kodrës, në veriperëndim të kishës së Shën Gjonit ndodhen varret mesjetare të shënuara me lloje të ndryshme të kryqeve të gurit. Leqinë, Kisha e Shën Gjonit para restaurimit./historiashqiptare.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here