Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi ishte sot i ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTv, ku foli për dardanët që njihen sot dhe thirren shqiptarët e Kosovës. Historiani, i cili ka bërë edhe një libër për dardanët, “Dardania, Antika dhe Mesjeta” tregoi një pjesë të historisë së fiseve dardane, ndikimi i tyre, ku shtrihej Mbretëria Dardane në antikitet, etj.
Dritan Hila: Ka qenë Dardania, iliro-shqiptare apo bën pjesë te mitologjia që neve ballkanasit siç thoshte Çërçilli, prodhojmë histori më shumë se sa jemi në gjendje të konsumojmë?
Historiani Jusuf Buxhovi: “Jo nuk është mitologji. Dardania është një nga mbretëritë më të fuqishme të antikitetit. I takon trinomit të Mbretërisë Ilire në antikitet, bashkë me Maqedoninë dhe Epirin. Nëse merret etnikisht harta e kësaj pjesë, 80% janë popullatë shqiptare. 3000 vjet kanë kaluar prej kësaj kohe. Ne kemi në Epir, popullatë shqiptare, në Maqedoninë e Veriut dominon pjesa shqiptare. Mos flasim për pjesën e Kosovës ku shtrihet Dardania. Kufiri i saj antik është nga gjysma e Maqedonisë, vjen në Kosovë dhe shkon te Nishi. Historia merr një pozicion tjetër kur erdhi ndryshimi i madh i dhunshëm në vitet 1887-1888 kur ishte lufta serbo-ruse dhe ruso-osmane, kur dihet Serbia depërtoi territorin nga Nishi deri në Prokuplje, është një hapësirë shumë e madhe me 400 e ca vendbanime. U bë zhvendosja, shpopullimi i saj. Por pavarësisht kësaj, Dardania e ruajti fuqinë etnike. Dardania kalon përmes Kosovës, përfshin gjysmën e Maqedonisë, shkon nga Struga, kapërcen Velesin, pjesën e Pollogut, Shkupit, Kumanovën, madje shkon deri në Timok. Kufiri i saj është te Drina, lumi që kalon në Bosnjën e sotme, domethënë shkon matanë Nishit. Nishi ka qenë një qendër e fuqishme e antikitetit e Dardanisë. Por të flasim veçmas për dardanët si popull dhe dardanët si mbretëri. Si popull nga të dhënat rezulton se historia e tyre ka shkuar 13 shekuj më tutje. Shtrihen me qendër Trojën, në Azi të Vogël. Mbas luftës së Trojës ndikuan në krijimin e Romës. Sepse janë dy fise dardane që janë themelues, galabrat dhe teunatet. Galabrat qenë fis dardan dhe dihet pozicioni i tyre edhe teunatët po ashtu. Dardanët ishin sundues të Trojës. Mbretëria e Priamit konsiderohet si Mbretëri Dardane. Mbretëria Dardane dëshmohet prej shekullit të IV para erës sonë. Ka zgjatur nga shekulli i lV-t deri në vitin 21 të shekullit të ri, atëherë kur u asimilua nga Roma dhe u bë provincë romake. Një historiane shumë e rëndësishme jugosllave Papazoglu, thotë se dardanët kanë qenë fuqia kryesore që e ka mbajtur kohezionin e antikitetit në aspektin mbretëror, por edhe në aspekte të tjera, që ka shkuar edhe më tutje rrezes së mbretërisë së saj, pra që ka ndikuar edhe në qytetërime të tjera.”, u shpreh historiani ndër të tjera./K.C/dritare.net