“Tregu poshtë në pjesën perëndimore në Nish, atje ku shiten kafshët, drutë, sana quhet Tregu i Aranautëve”. Askush nuk e di se prej nga e kishte marrë guximin njëri prej ideologëve të Serbisë së Madhe, Stojan Novakoviq (1842-1915) të mos hezitonte që gjërat t’i quante me emrin e vërtetë. Aq më tepër temën “Qytetet, tregjet, qytezat” ai e kishte trajtuar në kuadër të studimit të Serbisë mesjetare. Tregu i Aranutëve i Nishit edhe pse kalimthi ishte përmendur në kuadër të studimit të gjerë, në vitin 1903 ishte botuar në revistën “Archiv für slavische Philologie 25”
“Pse lëvron në tokë të huaj?”
“Në veshët e gjyshit tim Jovanit kishin arritur lajme se atje diku në Arnautllëk (Shqipëri), në zonat e Jabllanicës dhe Toplicës, kishte shumë prona që ishin braktisur prej shqiptarëve. Nuk kaloi shumë kohë dhe gjyshit iu bashkëngjit edhe një bashkëfshatar i yni”. Kështu e kujton rrëfimin e pleqve vrajas një banor i mëvonshëm i fshatit Rafunë të Jabllanicës së sotme menjëherë pas verës së vitit 1878. “Gjyshi Jovani pasi ishte vërtetuar vetë duke parë ara të tëra të papunuara e të rrethuara me shtëpi të braktisura e plevica, u kthye në Vrajë, i mori qentë dhe nisi të lëvronte në njërën nga pronat e lëna shkret pa e ditur se e kujt ishte ajo. Duke lëvruar, pas disa ditësh dikush nga prapa ia kishte mbyllur sytë atij. Jovanit iu kishin prerë këmbët kur e kishte parë shqiptarin e armatosur!
Tokën e kujt je duke e punuar?
Nuk e di!
Kur nuk e di se e kujt është, pse lëvron?
Kjo tokë është e jetimëve – kishte thënë shqiptari, duke rrëfyer se ai ishte dajë i jetimëve, prindërit e të cilëve ishin vrarë gjatë fushatës së spastrimit etnik të ushtrisë serbe.
Duke parë se për shqiptarët e dikurshëm të zonave të Jabllanicës nuk kishte mbetur ardhmëri, ai ia kishte shitur pronën në vlerë prej 37 dinarëve. Përfundimisht Jovani ishte vendosur në pronën e re në fillim të vitit 1880“.
Por këtu nuk mbaron rrëfimi. “Kur im gjysh Jovani ishte vendosur në Rafunë, përveç një familjeje që njihej si Stambollovi, të gjitha shtëpitë e tjera ishin shqiptare. Edhe pse shqiptarët rafunas më vonë i braktisën vatrat e tyre, gjithçka që ngeli pas tyre jo vetëm në fshat, por edhe më gjerë kishte ngjyrim shqiptar“ – kujton banori serb i rrethinave të Vrajës, që fëmijërinë dhe rininë e tij i kaloi në Rafunën e dikurshme shqiptare.
Se sa të pasur kishin qenë shqiptarët e krahinave të katër qarqeve që Principata e Serbisë pas Kongresit të Berlinit i futi nën pushtetin e saj, ka dëshmuar njëri prej ithtarëve të zgjerimit serb në viset jugore.
“Në Arnautllëk kishin mbetur sasi të mëdha ushqimesh dhe kafshë si plaçkë lufte, që ishin të mirëseardhura për ushtrinë tonë. Prej këtyre ushqimeve të tepërta, sasi e konsiderueshme u vendos nëpër magazina, ndërsa një pjesë u përdor për ushtrinë. Që të mësohet se çfarë ishin sasitë e këtyre ushqimeve, mjafton të përmendet se një brigadë e Divizionit të Danubit, ajo e Braniçevës, kishte arritur që të zinte aq kafshë të mëdha sa të vogla saqë tërë Divizioni i Danubit për gjashtë javë rresht u ushqye me mishin e tyre! Përveç kësaj, në Kurshumli, korpusit të Moravës iu dërguan treqind krerë lopë, ndërsa në depon e Nishit u dërguan disa qindra krerë kafshësh të vogla“, shkruan ministri i Punëve të Jashtme të Principatës së Serbisë, Jovan Ristiq, në kujtimet e tija.
Shqiptarët braktisën vatrat nën flakët e luftës dhe të dhunës serbe
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në prag të luftërave të viteve 1876-1887 dhe sidomos pas përfundimit të Kongresit të Berlinit, shqiptarët e viseve të dikurshme të Toplicës, Kosanicës, Pusta Rekës, Jabllanicës, si dhe të krahinës së gjerë të Vrajës, më pastaj të Nishit nën flakët e luftës dhe të dhunës serbe, i braktisën vatrat e tyre. Të parët që filluan të vendoseshin në pronat e shkretuara shqiptare ishin kolonizatorët malazez. Arritja e tyre nisi që nga viti 1878 dhe ajo nuk pushoi deri në vitin 1912. Para luftërave në Kosanicë dhe në Jabllanicën e Epërme, popullatë serbe thuajse kishte shumë pak dhe në tërë zonën e lartpërmendur kishte vetëm dy fshatra serbe, ndërsa në krahinën e Pusta Rekës, Toplicës ekzistonte një numër shumë i vogël fshatrash të përziera shqiptaro-serbe.
Në dimrin e vitit 1878, kur familje të tëra shqiptare po bridhnin maleve, shteti i atëhershëm serb konform vendimeve të Kongresit të Berlinit, e nisi vendosjen e pushtetit të ri. Fillimisht në vend të gjashtë qarqeve që kishin ekzistuar më parë, me ligjin e 17 dhjetorit të vitit 1878 u vendos që numri i tyre të zvogëlohej në katër sosh: i Toplicës, Nishit, Vrajës dhe i Pirotit. Paraprakisht, më 2 tetor të vitit 1878, udhëheqësit serbë të qarqeve të Topilcës dhe Vrajës ishin urdhëruar që në pronat e braktisura shqiptare të vendoseshin shtetasit serbë, që më parë kishin shtruar kërkesat e tyre për t’u vendosur në këto prona. Vendosja e valës së parë të kolonizatorëve serbë u mbështet në nenin 39 të marrëveshjes së dalë nga Kongresi i Berlinit. Zyrtarët serbe bënë propagandë të tillë, saqë vatrat e braktisura dhe pronat shqiptare për një kohë të shkurtër u zaptuan nga kolonizatorët e posaarritur. Mirëpo, duke e parë se vendosja e kolonizatorëve po shkonte edhe më mirë sesa ishte paramenduar, shteti serb më 13 janar të vitit 1880 e aprovoi Ligjin mbi Kolonizimin e viseve të “posaçliruara“, siç quheshin qarqet e fituara pas Kongresit të Berlinit. Ndërkaq një muaj më vonë u aprovua edhe Ligji mbi Rregullimin e marrëdhënieve agrare në “viset e posaçliruara“.
“Në krahinën e Leskocit, sipas mendimit të administratës, duhet që të formohen tri rrethe, i Veternicës me qendër në Leskoc, i Vllasinës me qendër në Vllasoticë, i Pusta Rekës me seli në Bojnik. Rrethit të Pusta Rekës duhet t’i bashkëngjiten të gjithë shqiptarët e krahinës së Leskocit dhe ky rreth do t’i ketë më tepër se 2,700 shtëpi, sepse sipas raportit të zyrtarëve në krahinën e Leskocit janë 53 fshatra shqiptare që nuk janë përfshirë në përbërjen e komunave, dhe në të cilat sot nuk ka banorë, përveçse ndonjë familje shqiptare që fshihet ndër male“, ishte plani i paraparë që Principata e Serbisë duhej ta realizonte, dhe organizimi i pushtetit i ishte lënë në dorë Alempije Vasileviqit, që në atë kohë sapo ishte kthyer nga Rusia.
“Vlerësova se njëra prej detyrave kryesore është që të kapet llogaria më e mirë, me të mirat që u gjetën në zonat e çliruara që nuk kishin zotërues të tyre, gjithashtu edhe ushqimi, që ishte në sasi të mjaftueshme dhe që kishte mbetur nëpër magazina dhe nëpër hambarë të ndryshëm. Prandaj më 11 janar 1878 e lëshova urdhëresën për të gjithë drejtuesit e ‘administratës së re’ që në afat më të shkurtër kohor të bëjnë regjistrimin e pronave shtetërore dhe të spahinjve në zonat e tyre dhe të dhënat e grumbulluara të m’i dorëzojnë mua, dhe gjithashtu të bëjnë regjistrimin e ushqimeve që kanë mbetur në qyteza dhe fshatra me qëllim që të saktësohet se ku dhe sa ushqime janë gjetur. Nëpunësve ua bëra të njohur që duhet bërë regjistrimi i pronave të spahinjve dhe bejlerëve, që gjatë kohës së luftës i kanë braktisur ato”, ka kujtuar vetë organizatori i pushtetit të ri, Vasileviq.
Megjithatë, para se pushteti i ri të fuste nën kontroll ish-tokat shqiptare, duhej bërë pacifizimi i banorëve shqiptarë me anë të aksionit të organizimit të çarmatosjes së tyre.
“Qysh në ditët e para nëpunësit dhe policët ndihmuan në çarmatosjen e myslimanëve dhe banorëve të fshatrave shqiptare që nuk i kishin braktisur vatrat e tyre. Çarmatosja u bë në marrëveshje me komandantët vendorë të ushtrisë. Më pastaj banorët siguruan për ushtrinë ushqime dhe mjete transportuese, i mbikëqyrën dhe i ndreqën rrugët e dëmtuara, i grumbulluan ushqimet e gjetura në vende të caktuara… “, ka shtuar Vasileviq
Vullnetarët “malazez“ apo… ?
Si komb që brenda vetes kishte edhe shqiptarë të asimiluar dhe me traditë luftarake, një numër bukur i madh i “malazezve“ në luftërat e viteve 1876-1878, duke u paraqitur si vullnetarë kishin luftuar në krahun serb. Pikërisht këta vullnetarë ishin të parët që kishin nxitur vendosjen e kolonizatorëve “malazez“ fillimisht në Krahinën e Toplicës. Madje në nxitjen e vendosjes së tyre në vatrat shqiptare kishte marrë pjesë edhe Cetinja zyrtare! Sipas informacioneve që janë të arkivuara në Beograd, familjet e para “malazeze“ u vendosën në Toplicë në vitin 1878, por pasi atyre iu mungonin pasaportat, ata trajtoheshin si refugjatë që kishin arritur nga ana tjetër e kufirit të Perandorisë Osmane. Por më vonë arritën edhe “malazez“ të tjerë që pasaportat turke i kishin siguruar në Cetinjën zyrtare. Mbështetur në të dhënat zyrtare të Cetinjës që janë të dokumentuara, duke nisur nga muaji mars e deri në vjeshtë të vitit 1879, shteti malazias ka lëshuar një numër bukur të madh pasaportash familjare për Serbinë.
Por edhe të dhënat që sot ruhen në Arkivin e Serbisë, përgjithësisht përputhen lidhur me kohën se kur kolonizatorët “malazez“ filluan të vendoseshin në krahinën e Toplicës. Sipas një raporti të kryeshefit të qarkut të Prokuples vërtetohet se në fillim të dhjetorit të vitit 1879 “në mënyrë të vazhdueshme në qarkun e Prokuples arrijnë familje nga Mali i Zi, por edhe nga Hercegovina“. Midis familjeve “që iu mungonte ushqimi“ gjenden edhe ato që në pranverë të të njëjtit vit kishin marrë pasaportë në Cetinjë. Më konkretisht këto familje ishin vendosur në Gajtan dhe Statovc të rrethit të Jabllanicës dhe në Grabovicë të rrethit të Kosanicës. Në listën e kolonizatorëve të vendosur në Gajtanin shqiptar gjendet edhe emri i Ilija Bozhoviqit, që ishte njëri ndër propaganduesit më të zëshëm të nxitjes së kolonizatorëve “malazez“ për t’u vendosur në shtëpitë dhe pronat e braktisura shqiptare. Megjithatë, i biri i Ilisë më vonë ka dëshmuar se agjituesi i parë ndër kolonizatorët “malazez“ për t’u vendosur këtu ka qenë Nedelko Mehmedoviq, me profesion avokat, i cili u vra në rrethana të pasqaruara vetëm disa muaj më vonë pasi agjitacioni i tij kishte zënë fill. Por dilemat se kush ishin nxitësit e vendosjes së kolonizatorëve “malazez“ në këto vise i heq informacioni i konfirmuar nga të dhënat arkivore se “agjenti personal i mbretit serb Karagjorgjeviq që e ka udhëhequr aksionin e kolonizimit të viseve shqiptare ishte Gjoko Llukaçeviq”. Aksioni i Llukaçeviqit në atë kohë ishte angazhim i karakterit të fshehtë të Beogradit. Midis kolonizatorëve të parë që ishin vendosur në Gajtan, ka qenë “malaziasi“ Jovan Popoviq, i cili pasi kishte përfunduar teologjinë në Rusi i kishte drejtuar letër princit serb Millanit që atij t’i ndahej një pronë, dhe vetë princi duke qenë krenar për shkollimin Popoviqit ia kishte ndarë atij pronën në fshatin e Gajtanit. Ndërkaq në Jabllanicën e Epërme kolonizatori i parë që u vendos aty ishte Milosh Dragoviq me të vëllanë Mashanin, që më parë kishte qenë vullnetar i luftës. Në regjistrin e lëshimit të pasaportave në Cetinje ekziston informacioni se Dragoviq bashkë me familjarët e tjerë e kishte marrë pasaportën në pranverën e vitit 1881, por kjo kishte ndodhur pas qëndrimit paraprak në Jabllanicë dhe me t’u kthyer në vendlindje ai ia kishte dalë që t’i bindte të afërmit që t’i bashkëngjiteshin atij drejt vendosjes në tokat shqiptare.
Sipas raporteve zyrtare të Serbisë së atëhershme, prej vitit 1880 deri në vitin 1897 në qarkun e Toplicës ishin vendosur gjithsej 836 familje kolonizatorësh. Më së shumti familje, 707 ishin vendosur në vitin 1889. Në Prokuple dhe në zonën e Kosanicës, në të njëjtën periudhë, janë vendosur 772 familje. Numri më i madh i kolonizatorëve të vendosur deri në vitin 1889 shënohet në qarkun e Vrajës. Atje ishin vendosur 1,079 familje. Sipas një llogaritjeje, vlerësohet se në këto vite, në viset e dikurshme shqiptare u vendosën 9785 kolonizatorë, që është numër i mbështetur në të dhënat zyrtare. Një familje kolonizatore mesatarisht i kishte gjashtë apo më shumë anëtarë.
Shqiptarët e sllavizuar të Malit të Zi, përfituesit më të mëdhenj në viset e Toplicës dhe Jabllanicës
Në vitin 1891, në zonën e Kosanicës, u vendosën rreth pesëdhjetë familje të fisit të Vasojeviqëve, ndërkaq pesë vjet më vonë, gjegjësisht në vitin 1896, gjithashtu në Jabllanicë u vendosën edhe 72 familje të tjera. Vala më e madhe e vendosjes së familjeve kolonizatore në trevat e dikurshme shqiptare u shënua në vitet 1904-1906. Sipas raportit të Komisionit Agrar, që pas një kontrolli dha leje për vendosjen në veçanti në pronat e braktisura, në vitin 1904 në rrethin e Jabllancës, Kosanicës dhe Prokuples u vendosën gjithsej 252 familje. Vlerësohet se numri i përgjithshëm i personave të vendosur kaloi mbi 1,500. Në vitin në vijim, më 1905, në rrethin e Jabllanicës, u vendosën 1,138 kolonizatorë, ndërkaq në vitin 1906 në tërë zonën e Jabllanicës dhe Kosanicës u vendosën 2,803 kolonizatorë. Pra, në afat kohor prej tre vjetësh pronarë të tokave të braktisura shqiptare u bënë rreth 6,000 kolonizatorë të rinj. Në vitin 1908, në rrethinat e Leskocit u vendos një grup i fisit të Kuçëve, por njëkohësisht pjesëtarë të fiseve të Bratonozhiqëve, Drobnjakëve u vendosën në krahinën e Jabllanicës.
Mbështetur në të dhënat arkivore, numri i përgjithshëm i të vendosurve në trevat e dikurshme shqiptare në rrethin e Jabllanicës, Kosanicës dhe Kurshumlisë midis viteve 1879-1912 arrin në 13,000 banorë.
Në tërë procesin e kolonizimit, Toplica shërbeu si qendër prej nga kolonizatorët u orientuan drejt vendeve dhe pronave ku ata do të vendosen në të ardhmen. Ndërsa vendstacionim i përkohshëm ishin Prokupla dhe fshatrat Kërçmarë dhe Visokë të Kurshumlisë. Fillimisht kolonizatorët synuan zonat prej ku thuajse shqiptarët ishin dëbuar në mënyrë masovike, të tilla ishin fshatrat Statovc, Gajtan e më pastaj ata u vendosën në fshatrat e rrjedhës së Jabllanicës dhe Kosanicës, që gjithashtu ishin të zbrazura dhe të shkatërruara.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë. Për vendosjen e kolonizatorëve “malazez“ përreth kufirit të Kosovës. Se përse për regjimin serb shqiptarët e sllavizuar duhet ruajtur mirë, sepse ata do të shndërrohen në mbrojtës të mirë të kufirit? Çfarë thuhet për këtë në një raport shtetëror serb të vitit 1890? Për konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve, që edhe pas Kongresit të Berlinit nuk i braktisën pronat e tyre të dikurshme