Gazeta franceze (1822)/ Përkthimi fjalë për fjalë i shkresës bashkëngjitur poshtë kokës së prerë të Ali Pashë Tepelenës

NGA: AURENC BEBJA

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 31 marsit 1822, në ballinë, një shkrim rreth shkresës bashkëngjitur poshtë kokës së prerë të Ali Pashë Tepelenës, ekspozuar asokohe në mesin e turmës së madhe në Kostandinopojë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Turqi,

Kostandinopojë, 25 shkurt.

(Dje dhamë një pasqyrë të lajmeve nga Kostandinopoja; këtu janë disa detaje zyrtare në lidhje me Ali Pashën, të cilat ofrojnë një nuancë të zakoneve dhe institucioneve osmane.)

Lajmi i parë për kapjen dhe prerjen e kokës së Ali Pashës mbërriti këtu më 14 shkurt, por koka e tij, si dhe raporti zyrtar për ngjarjet e Janinës, u sollën vetëm më 23 nga silih-dari i Hurshid Pashës. Silih-dari solli me vete nipin tetë vjeçar të Ali Pashës, haremin dhe thesaret e tij. Marshimi i këtij oficeri drejt Portës dukej si një triumf. Dërgesat iu dorëzuan Madhërisë së Tij nga Veziri i Madh.

Më datë 24, në mes të një turme të madhe njerëzish, u ekspozua koka e Ali Pashës.

Këtu është përkthimi fjalë për fjalë i Jaftës (Yafta), ose shkresës, bashkangjitur poshtë kokës :

“Është e njohur për universin se Ali Pashë Tepelena, për 30 deri në 40 vjet, pati marrë favore të shumta nga Porta e Lartë : shumë prona dhe distrikte (krahina) i ishin besuar administrimit të tij; ai, fëmijët dhe prindërit e tij gëzonin shenja të panumërta dashamirësie nga Perandoria. Larg nga njohja e vlerës, ai guxoi, kundër vullnetit të shprehur të Portës, të shtypte popujt me dinakëri dhe me forcë; historia nuk paraqet shembuj të një të keqeje më të thellë se ajo e tij. I zënë pa pushim me përfundimin e projekteve të tij mëkatare, ai nuk kënaqej të mbështeste fshehurazi e haptas, me agjentë e mjete të tjera, rebelimin dhe tradhtinë kudo që gjente elementë; por ai shkoi përtej kufijve të territorit të tij, duke nxitur telashe kudo dhe duke i zhytur në rrënim nënshtetasit tanë fatkeq, zotimet e besuara në kujdesin tonë nga Gjykatësi Suprem dhe i Plotfuqishëm. Disave ua rrëmbeu mallin, të tjerëve jetën dhe nderin; qytetet Janinë, Manastir, Sarigol dhe të tjera kanë përjetuar efektet e tij të trishtueshme; rrëmbeu dhe shkatërroi familje të tëra atje dhe tirania e tij i dëboi shqiptarët e frikësuar nga shtëpitë e tyre. Porta kishte kohë që i kishte tërhequr vëmendjen; të gjitha kërkesat mbetën pa përgjigje; ai vazhdoi në sistemin e tij të urryer; ai grumbulloi krim mbi krim dhe më në fund e shtyu guximin e tij të pafytyrë deri aty sa që të qëllonte me armë ndaj disa kundërshtarëve të tij, me banim madje në Kostandinopojë, në rezidencën e kalifit, në qendër të sigurisë. Kur, pas kësaj shkeljeje të hapur të të drejtave të Madhërisë, që kërkonte hakmarrjen publike, atij iu hoq dinjiteti dhe një tjetri iu besua administrimi i qeverisë së tij, kështu ai hodhi tërësisht maskën, ngriti flamurin e rebelimit dhe u mbyll në kështjellën perandorake të Janinës; dhe duke besuar, në iluzionin e kotësisë së tij, se do të mund të përballonte fuqinë e Portës së Lartë, ai më në fund mori përsipër të zbatonte këtë plan tradhtie që kishte medituar për kaq gjatë. Kryengritja e grekëve shpërtheu dhe Aliu, duke u zhytur në skemat e tij të hakmarrjes, përdori shuma të mëdha për të armatosur rebelët e Moresë dhe krahinave të tjera kundër njerëzve të besimit (Islamit). Kjo provë e fundit e perversitetit e bëri të pashmangshëm dënimin e tij; ligji ynë i shenjtë dhe shpëtimi i perandorisë kërkonin gjithashtu shkatërrimin e tij. Prandaj ai u zu rob nga Seraskieri fitimtar i Romelisë, Hurshid Ahmet Pasha dhe dënimi me vdekje, i shqiptuar në « fetfahun » sublim të nisur kundër tij (nga myftiu), u zbatua në përputhje me urdhrat e Lartësisë së Tij. Ja koka e Ali Pashë Tepelenës, e ndarë nga trupi, e këtij tradhtari të fesë, dinakërisë, pabesisë dhe tiranisë nga e cila çlirohen përfundimisht rrëfimtarët e besimit.”

Tersana-emini (kujdestari i arsenalit) ishte përgjegjës për marrjen dhe vendosjen e pasurisë dhe korrespondencës së konsiderueshme të këtij njeriu që për kaq shumë vite konkurroi për pushtet dhe pasuri me princat më të mëdhenj dhe që ka pasur shumë lidhje në më shumë se një vend.

Ja çfarë dimë deri tani nga komunikimet zyrtare mbi rrethanat që çuan në ekzekutimin e tij :

“Pasi humbi të gjitha trupat dhe forcat e tij, Ali Pasha ishte mbyllur me pesëdhjetë burra në një kullë të fortifikuar të kalasë së Janinës. Është një ndërtesë trekatëshe; ai zinte katin e sipërm me suitën e tij. Thesaret e tij ishin në katin e mesëm, dhe kati përdhes ishte i mbushur me një sasi të madhe baruti.

Hurshid Pasha dërgoi “seliktarin” e tij tek Ali Pasha për ta bindur atë të dorëzohej vullnetarisht. Duke qenë se e kishte kërcënuar shpesh se do të hidhte në erë ndërtesën ku ndodhej, Hurshid Pasha, duke mos u shqetësuar nga ky kërcënim, e bëri të deklaronte se do t’i vinte zjarrin vetë, në rast se Aliu do të ngulte këmbë në refuzimin e tij. Ky i fundit më pas filloi të kapitullonte : ai kërkoi siguri për jetën e tij. Hurshid Pasha u përgjigj se kjo pikë varej vetëm nga vendimi i Sulltanit dhe se ai nuk mund të ndërhynte për të, vetëm, në rast se kishte ende kohë, ai do të dorëzonte menjëherë të gjitha thesaret e tij dhe do të shkonte të jetonte me familjen e tij në banesën e caktuar për të.

Pas shumë bisedimesh, Ali Pasha më në fund vendosi të dorëzohej. (Letra private njoftojnë se ai vendosi ta bënte këtë me kërkesën e njërës prej grave të tij.) Vetëm një nga të besuarit e tij mbeti në kullë, që e kishte ngarkuar në mënyrë sekrete, sipas një sinjali që do t’i jepej, për t’i vënë zjarrin magazinës së barutit ose për t’ia dorëzuar Hurshidit gjithçka që përmbante ndërtesa. Aliu u dërgua me suitën e tij, nën një shoqërim prej pesëdhjetë burrash, të cilëve shumë shpejt u shtuan njëqind të tjerë, dhe të cilëve Hurshid Pasha u bashkua me një numër të barabartë të trupave të tij, në një ishull të vogël në liqenin e Janinës dhe afër kështjellës.

Aty u trajtua me të gjitha nderimet që i takonin rangut të tij; ai priti një numër të madh vizitorësh dhe dukej se nuk e humbi shpresën për çlirimin e tij, edhe në ditën e katastrofës së tij të fundit; ai kërkoi verë, e cila ishte për të një nevojë e madhe, duke theksuar megjithatë se ishte kundër ligjit.

Ndërkohë, dënimi suprem ishte marrë në Kostandinopojë, me urdhër të Sulltanit për ta ekzekutuar atë menjëherë në vend. Mehmet Pashës, seraskieri i dytë dhe guvernatori i Moresë, iu desht ta ndërmerrte vetë këtë mision. Më 5 shkurt shkoi te Ali Pasha, foli me të për ca kohë dhe e vrau duke i ngulur kamën në anën e majtë të gjoksit; pastaj personat e suitës së tij hynë në dhomë dhe ndanë kokën nga trupi. Menjëherë trupat e Aliut dhe trupat e Sulltanit u përplasën dhe disa njerëz humbën jetën. Por luftimi ishte i shkurtër dhe përfundoi me thirrjen : Rroftë Sulltan Mahmudi dhe veziri i tij Hurshid Pasha!

Vendi që drejtonte Ali Pasha, sipas një ndarjeje të mëparshme, i është besuar administrimit të pashallarëve më poshtë. Omer Pasha u emërua guvernator i Janinës dhe djali i tij, Hysen Beu, u ngrit në gradën (rangun) e mirimiran-it. Qeveria e Elbasanit iu dha Mahmud Pashës dhe ajo e Ohrit Abaz bej Dibranit.

Porta, duke triumfuar kështu mbi armikun e saj më të rrezikshëm, dhe nënshtrimi i aleatëve të tij duke dhënë arsye për ta konsideruar luftën si të mbaruar, Hurshid Pasha u nis për të depërtuar nga Arta në More.

Ja deri ku arrijnë lajmet nga Kostandinopoja. Sipas një letre të besueshme nga Korfuzi, e datës 5 mars, ekspedita që u largua nga Dardanelet në fillim të shkurtit, hyri në Gjirin e Patrës më 20 ose 21 të po këtij muaji. Forca e saj u vlerësua në 60 anije (që përputhet me të dhënat e mëparshme); Nga ky numër kishte 40 anije transporti me 10.000 trupa zbarkuese; pjesa tjetër përbëhej nga anije të tjera luftarake.

Më 1 mars, një flotë prej rreth gjashtëdhjetë anijesh greke të armatosura mirë nga Hidra, Spezia dhe Ipsara u pa pranë Zantes, duke lundruar drejtpërdrejt kundër Patrës dhe dukej se po luftonte me anijet turke. Ndërkohë, trupat turke kishin zbarkuar në Patra dhe meqë ato të Hurshid Pashës duhet të kenë mbërritur në të njëjtën kohë në këto rrethina, ngjarje të rëndësishme mund të ndodhin shumë shpejt.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1822-perkthimi-fjale-per-fjale-i-shkreses-bashkengjitur-poshte-kokes-se-prere-te-ali-pashe-tepelenes-e-ekspozuar-ne-mesin-e-turmes-se-madhe-ne-kostandinopoje/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here