Nga: Kastriot Dervishi

Milladin Popoviqin, themeluesin e PKSh-së, e vrau Organizata Shqiptare Irredentiste. Për regjimin komunist të Shqipërisë, Haki Taha që vrau Milladin Popoviqin, ishte një “shovinist shqiptar kosovar”. Për hakmarrje ky regjim vrau vëllain e Hakiut, Qemal Tahën, në Sauk më 27 mars 1946, ndërsa më pas përhapte fjalë se Milladinin “e vrau UDB-ja”. Milladini ishte person me rëndësi sepse kishte zgjedhur Enver Hoxhën në krye të PKSh-së, duke i shkruar dëme Shqipërisë, të cilat në kushte të tjera asnjë pushtim nuk do ia sillte.

Se si është vrarë Milladin Popoviqi, e dëshmon shoku i Haki Tahës, Qazim Vula, pjesëtar i Organizata Shqiptare Irredentiste, formuar në vitin 1944. Vula erdhi në Shqipëri më 18 shtator 1949, për t’i shpëtuar ndjekjes serbomadhe, por këtu vuajti dy dënime të gjata me 18 vjet, katër muaj, 12 ditë heqje lirie, si dhe internim. Pasi regjimi komunist mësoi se Vula ishte pjesëmarrës në vrasjen e Milladinit, e arrestoi më 24 nëntor 1949. I pyetur nga kapiten Mustafa Kondo më 21 maj 1950, Qazim Vula dëshmon në lidhje me vrasjen e Milladinit:

“Aty nga muaji korrik-gusht 1944, më ka ardhë në Prishtinë, Haki Taha (sot i vrarë), që ish atëherë arsimtar në Kosovë. Ai më ka thënë se ishin disa njerëz bashkë me të, që bënin pjesë në një organizatë që synonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në rast se Kosova do tradhtohej nga serbo-malazezët. Që të jemi me Shqipërinë, që të kemi gjithë të drejtat, në gjuhë, administratë etj. Kjo gjë thosh Hakiu do të bëhej kur të çlirohej Kosova e të vinin në fuqi lëvizja nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, mbasi të shihej e të parashikohej për të ardhmen një gjë e tillë. Unë e pranova një gjë të tillë dhe i thashë se isha gati t’i ndihmoj. Hakiu më tha se kryetar i kësaj organizate është Sulejman Riza, avokat në Prizren dhe sot me sa di unë është në burg në Prishtinë, pasi ka qenë arrestuar në Tiranë e prej andej është sjellë në Kosovë. Hakiu më tha se anëtarë të organizatës ishin Ali Spahiu (i vrarë), Mustafa Hasi (Gjakovë), Qamil Ahmet Efendi (Gjakovë), Brahim Memini (Prizren, sot në burg), Enver Sudi (Prishtinë, i vrarë), Hilmi Dyle, për të cilin e kam marrë vesh më vonë se ky ish kryetar.

Pasi pranova të isha anëtar i kësaj organizate, Hakiu iku për Gjakovë. Mbas çlirimit të Jugosllavisë, në dhjetor 1944 ose janar 1945, jam takuar me Ali Spahinë në Prishtinë dhe kemi rënë në bisedë rreth çështjes së Jugosllavisë. Aliu ka folur se Milladin Popoviqi ishte kundër kosovarëve, se kishte thënë se nuk kishte pasur Shqipëri etj. Këto mendimi ia miratova edhe unë. Më 11 mars 1945, vjen Haki Taha për t’u takuar me mua. Pasi vajtëm në shtëpinë time tha se ishte ngarkuar nga organizata të vriste Milladin Popoviqin, pasi është i rrezikshëm për ne kosovarët. Hakiu do t’i jepte një letër të cilën e përgatiti në praninë time. Letra që ishte me shkrim me emër të palexueshëm, ishte për shokun që kërkonte të shtrohej në spital pasi ishte i sëmurë. Gjatë leximit nga Milladini, Hakiu do kryente atentatin. Me vete Hakiu kishte marrë një flamur shqiptar të qëndisur me shkronja ari: ‘Kosovës liri – bashkim me Shqipërinë’ që ishte edhe parulla e organizatës. Gjysmën e flamurit e kam shkruar unë. Mbasi ndenji dy net në shtëpinë time, Hakiu u nis për atentat.

Më 13 mars 1945, unë ika për në pjacë. Pas dy orësh mora vesh se ishte vrarë Milladini. Haku kishte lënë në shtëpinë time një peshqir, një kuti duhani dhe një qeleshe. Të gjitha këto i dogja për të mos m’i kapur. Atentatin e ka kryer Hakiu me anë të një revolveri ‘Beret’ që e kishte me vete, bile bëri prova para se të nisej. Pas atentatin, Hakiu është larguar dhe është futur në shtëpinë e Rakip Xhinxhinës (magazinën e barit) në Prishtinë pa e diktuar të zotët e shtëpisë. Pas dy ditësh ka dalë prej andej, por kanë mundur ta diktojnë, e në mënyrë që të mos kapej i gjallë ka vrarë veten”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here