Ilirët, liderët kyç të Perandorisë Romake në të dy krahët – Nga Burim Bardhari

“Herezia e shprehjes Bizanti-um” sepse nuk qëndroi kurrë! “Bizanti-um” nuk njihej aspak derisa zgjati Perandoria Romake përfshirë periudhën e krahut Lindor por u shpik një Shekull pas rënies së Konstantinopojës. Pse dhe kush përfiton!

Shkathtësia më e madhe e shpëtimit dhe mbijetimit të një populli të lashtë varet nga aftësia e zbulimit të mangësive nga propaganda historike e sajuar sipas shkruesit fitues por edhe vlerësimit të palakuar nga ankuesi humbës. Qoftë edhe pas disa mijëra vitesh duhet të zbardhet e vërteta!

Historikisht, thuhet se yjësia e perandorëve romakë me prejardhje ilire të mirëfilltë, nga vetë Iliria, fillon nga Klaudi, Claudius Gothicus në v. 268 – 270 të epokës sonë; lindur në Panoni, ai shpartalloi fiset gjermane gotët në Naissus-in ilir por sundimi i tij nuk zgjati shumë sepse ndërroi jetë nga epidemia.

Diokleciani trashëgoi radhën e fronit perandorak pak më vonë, e shpallën perandor në v. 284 deri 305 nga ngjarja e fatkeqësisë së perandorit pararendës që u vra në fushatën e largët bashkë me njërin nga nga bijtë e tij por edhe pas rivendikimit të dështuar nga djali tjetër që pësoi shpartallimin e ushtrisë tij nga Diokleciani, perandori i radhës.

Diokleciani vinte nga një familje e nivelit shoqëror të ulët nga Dalmacia ilire, lindur në v. 244 në kohën kur kroatët nuk ishin në Iliri e cila atebotë njihej si provincë romake ngase sllavët ende ishin të padyndur, në Karpate. Merita e jashtëzakonshme e Dioklecianit ishte se ai mbarështroi qeverisjen dhe shuajti grindjet e brendshme politike të njohura si “Kriza e shekullit të tretë” për shkak të luftës qytetare të zgjatur pothuajse për gjysëm shekulli ndërsa për hir të mbarëvajtjes së Perandorisë ai pavetjakësisht emëroi bashkë-perandorin tjetër Maksimianin.

Gjatë kësaj peirudhe perandoria udhëhiqej nga dy qendra por të pandara ndonëse historianët i pagëzuan si Perendimore dhe Lindore, me perandorët përkatës Dioklecianin dhe Maksimianin (të cilësuar me titullin e njohur ‘Augustin’-ian’ për nder të perandorit themeltar Oktavianit, që nënkupton i Madhërishëm) si dhe me nga një ndihmës pasardhës që ushtronin detyrën e Zëvendësperandorit (të cilët njiheshin me titullin ‘Qesar’-uc, sepse Qesari nuk arriti të shpallte veten perandor pasiqë e vranë). Rrjedhimisht, ky lloj i qeverisjes u njoh si ‘Tetrarki,’ Katër-sundimtaria ose sundimi katërpalësh, me dy perandorë të plotë dhe dy zëvendësperandorë. Mirëpo duhet bërë dallimin mes përcaktimit të kësaj periudhe nga ana e historianëve si Perandoria Romake e Perendimit dhe Lindjes nga ndarja e mëvonshme poashtu vetëm për udhëzim dhe referim sepse Perandoria drejtohej si tërësi e pandashme dhe vetë Konstantinopoja ende nuk ishte ndërtuar nga perandori tjetër ilir, Konstantini.

Pas disa vitesh në yjësinë ilire të Perandorisë Romake ndriçoi ylli i ri, vetë Konstantini i Madh poashtu nga Iliria; lindur në v. 272 në Naissus-in e provincës ilire ose Nishin e sotëm në Serbi, qytet që deri vonë banohej dërmuesisht nga shqiptarët pasardhës. Konstantini ishte tribun ushtarak (oficer) gjatë sundimit të Dioklecianit, përndryshe ishte i biri i një ushtaraku tjetër ilir Flavius Valerius Constantius që kishte mbërritur të bëhej Zëvendësperandor ose Qesar(uc) ndërsa nëna quhej Helena, thuhet se ishte me prejardhje helene.

I ati i tij Konstantiu(si) e ftoi të birin ta ndihmonte gjatë fushatës që përndiqte në Britani ku plaku ndërroi jetë në v. 306 ndërsa djali i tij Konstantini u shpall Perandor i plotë ‘Augustin’ (i Madhërishëm) po atë vit nga ushtria romake në vendin e mirënjohur Jork (York) por në v. 324 Konstantini konsolidoi tërë perandorinë vetëm nën udhëheqjen e tij edhe në Perendim edhe në Lindje, pavarësisht se Papa më vonë rivendikoi ose pretendoi se pushteti i krahut perendimor të perandorisë kinse kishte qënë zyrtarisht ‘Donacion-i’ ose ‘Dhurim nga Konstantini’ duke dhënë prova me dokument të fabrikuar (ose ‘diplom’ siç njihej atëbotë dekreti perandorak por ishte fallco).

Konstantini, paraprakisht në v. 312 theu ushtrinë e kunatit Maksentius në betejën e njohur mbi Urën Milvio (Ponte Milvio) dhe shpalosi ëndrrën e tij legjendare, sepse ëndrrat lehtëbesoheshin si lirata apo leje qiellore hyjnore, se ai do t’ngadhnjente luftarakisht nën shenjën e kryqit duke braktisur shqiponjën e trashëguar e të përvetësuar pas pushtimit të Egjiptit të lashtë që atëhere sundohej nga dinastia e Ptolomenjeve, si rrjedhojë e pushtimit pararendës të Lekës së Madh që edhe themeloi qytetin e Aleksandrisë atje, ndërsa pasardhësit e tij ngritën edhe bibliotekën në qytetin e Aleksandrisë që jehonte me nam mbarëbotëror nga lashtësia.

Në v. 313 u zyrtarizua mosndjekja ose ‘Toleranca e të krishterëve,’ paraprakisht të përbuzur, me fuqizim ligjor të njohur si Dekreti i Milanos, ndërsa më vonë në v. 325 Konstantini nismëtaroi mbajtjen e Këshillit të parë të krishter të Nikeas (Niceas) dhe dalëngadalë filloi pranimi i fees së krishterë nga ana e romakëve nën ndikimin e vrullshëm që ushtronte. Por ende nuk u njoh zyrtarisht si feja perandorake dhe ndonëse ndodhi më vonë, vetë ai ishte pishtari i këtij ndryshimi rrënjësor bashkëkohor. Kjo qe një zotësi e veçantë prej lideri, prijësit që përmbysi rendin e vjetër pagan pa luftë qytetare me rendin e ri, ndërsa disa rituale pagane u mishëruan pahetimthi me fenë e re.

Përndryshe, pa shkrirjen e tyre mund të kishte përplasje e përleshje pasiqë asnjë popull nuk flak fenë përkatëse vetjake për një fe të re të mposhtur paraprakisht edhe pse nuk mungojnë ndikimet e shumta mitologjike të Egjiptit të lashtë mbi mitologjinë e boshtit heleno-romak, sidomos një perandori e madhe si kjo. Madje disa historianë e shajnë për ndryshimin pikëkthestar; mirëpo të njëjtën ndërmarrje e bënë më vonë fiset selxhuke por jo në tym, kur ata strategjikisht, qoftë largpamësisht, qoftë dinakërisht, dhe vetëvetiu përqafuan fenë myslimane sepse i vyente një fe e madhe për zgjerim të ri dhe administrim qendror fetaro-politik të qytetarëve të asimiluar (ose të shkrirë nga nënshtrimi) ndërsa gjatë asaj periudhe feja myslimane gëzonte periudhën e artë dhe menjëherë përfitoi nga krushqillëku fetar me arabët të cilët dalëngadalë i asimiluan si vëllezër dhe i zhvendosën në hije sepse arabët nuk e morrën veten më që nga shekulli i 15-të.

Konstantini siç dihet, më vonë themeloi edhe qytetin me emrin e tij, Konstantinopojën si pikë vrojtimi apo karakoll (ose bazë ushtrarake) në cepin e djathtë lindor të kontinentit evropian; ose ushqente oreksin për zgjerim territorial ose të mbrohej nga sulmet e mundshme nga ai drejtim. Në ndërkohë emri i këtij Perandori ndryshimesjellës lidhet edhe me monumentin qendror të fees së krishterë dhe vetë pelegrinazhit e krishterë, sepse Konstantini dërgoi të ëmën në Jerusalem (pjesën e vjetër të qytetit) që ta shndërronte tempullin romak të ngritur shumë më herët në v. 130 nga (H)Adriani përkushtuar hyjnisë romake Jupiterit ose Venerës dhe të shenjtërohej në Kishën e Varrit të Shenjtë (Church of the Holy Sepulchre) në v. 335 ku besohet se u varros Jezui (dhe u ringjall sipas besimit krishterë).

Ironikisht, perandori i fundit i Romës së rënë në v. 476 llogaritet ogurziu që mbante emrin e njejtë si themeluesi mitologjik binjaku Romuli, mirëpo shfronësimi i tij faktikisht nuk e ndërpreu vazhdimësine e Perandorisë Romake sidomos nga krahu tjetër, nga Konstantinopoja që do t’vijonte sundimin për rreth 1mijë vite të tjera.

Faktikisht, me kuptimin e plotë të fjalës, perandori i fundit romak ishte Justiniani ilir, poashtu i lindur në Iliri (thuhet në Maqedoninë e Veriut sot), ishte latinfolës por jo romak. Justiniani riktheu Romën, Dalmacinë dhe Sicilinë brenda kornizave të Perandorisë Romake rrethepërqark nga Perendimi deri në Lindje, prandaj dallohet si Rikthyesi ose Restauruesi i perandorisë romake. Gjatë sundimit tij në v. 537 u ngrit edhe kisha kolosale Aja Sofia, Sancta Sophia ose Shën Sofia (Urtia e Shenjtë) e Konstantinopojës, që u ripërshtat si xhami pas pushtimit otoman nga Sulltan Mehmeti Fatihu (Pushtuesi) për të cilin thuhet se e kishte çmuar shumë Justinianin dhe deshte të përsëriste suksesin e tij që ta shtinte në dorë edhe Romën pa vrarë mendjen për pushtimin e fiseve gjermane të panënshtruara në veri, ndersa kisha ose më vonë xhamia, është shndërruar në tempull muze sot në Stamboll.

Pasiqë shquhet si perandori i fundit romak, nënkupton se ai ishte besnik ndaj Romës dhe fliste latinisht mirëpo pas tij dinakërisht fillon ‘herezia’ e helenizimit të Perandorisë Romake dhe latinishtja e (pa)vdekur kalon në errësirë, edhe pse si gjuhë popullore ajo u zëvendësua nga italishtja, si ilirishtja nga shqipja. Rrjedhimisht, Justiniani nuk mund të cilësohet si perandor Bizantin sepse nuk ishte helen, siç e përkufizon naivisht ose qëllimisht ‘Britannica’ (edhe në fotografinë e bashkangjitur të Shën Sofias). Askush nuk e cilësonte si Perandoria Bizantine por vetëm si Perandoria Romake, mirëpo për hir të dallimit gjeografik ndoshta përdorej krahu Perendimor dhe ai Lindor por assesi nuk flitej për Bizanti-um ose ‘Vizantin’ helenisht dhe në gjuhët sllave sepse shkronja ‘B’ lexohet ‘V.’

Frymëzimi nga kjo trashëgimi e tërthortë e të parëvë tanë nuk është çështje rastësie por është çështje yjësie dhe më së bukuri përligjet mishërimthi nga fundi i Mesjetës së moçaltë me ardhjen e gjatëpritur të kryetrimit tonë Skenderbeut, i dalluar si udhëheqës e prijës i madhërishëm edhe si shpatar edhe si shkëndijëtar i bashkimit fisnor/kombëtar me mbajtjen e Besëlidhjes në Lezhë në v. 1444 që u ripërsërit pjesërisht pas qindra vitesh vonestare gjatë Lidhjes së Prizrenit, Kongresit të Alfabetit në Manastir dhe bekimit të kombit me Dy Pavarësi tjera.

Skenderbeu arban synimthi përvetësohet nga fqinjët përreth, ndonëse ai veproi nga Kruja, jo nga Katmandu-ja (pa fyerje por vetem për qëllim të lidhjes logjike se ishte shqiptar). Me figurën e Skenderbeut, trimit të pashoq, bëhet urëlidhja virtuale e lidershipit të spikatur nga pinjollët ilirë sërish në Konstantinopojë por me pronar dhe drejtues tjetër dhe thuhet se shqiptarët u dalluan me 36 vezirë (e kryevezirë) edhe brenda kornizave të perandorisë osmane sepse Evropa ende këndellej nga përçarjet mesjetare derisa përqafoi frymën e re të Renesancës ose Rilindjes shpirtërore dhe hodhi zgjedhën e mendësisë së vjetër, mirëpo në ndërkohë edhe infrastruktura perandorake në Konstantinopojë u rikëndell nën menaxhmentin e ri, brenda të cilit, perandori Muhamet Aliu ynë ngriti dinastinë e tij larg e larg si ‘vali’ i pavarur nga sulltani dhe sundoi Egjiptin për rreth 150 vite si dikur Leka e Qesari apo Saladini, Napoleoni dhe Mbretëria Britaneze me disa mijëra bashkëatdhetarë por pa ushtri të superfuqisë.

Si përfundim, shprehja ‘Bizanti-um’ u farkëtua nga studiuesi gjerman Hieronim Volf (Hieronymous Wolf) pothuajse një shekull e më tepër pas rënies së Konstantinopojës në duart e sulltan Mehmetit të Dytë i cili gjithashtu e pagëzoi veten si Qesari i Romës ose Caesari Rum, (Car Rum – shkurtimisht, Caesar i Romës, Car i Rumelisë por jo i Bizantit), si dhe më vonë u përforcua nga shkollari francez Monteskjë (Montesquieu), ndërsa thuhet se përfundimisht u zyrtarizua si periudhë ose koncept historik nga Edvard Gibon (Edward Gibbon), kinse për qëllime të dallimit periudhor historik, gjeografik dhe kulturor pas sundimit të Justinianit, si pasojë e grindjeve politike që më vonë shkaktuan ndasinë ose Skizmën e madhe dhe bigëzimin kishtar duke përçarë fenë nga një kishë e vetme krishtere në dy kisha për përfitimin oportunist të helenëve që enkas synuan të dalloheshin nga vetë themeluesit e mirefilltë të perandorisë romake dhe nga besimi i njëjtë.

Mirëpo duhet përfshirë edhe përfituesi i tretë prapaperdetar, fiset gjermane, sepse Papa Leo i III-të jo kot por me siguri si kundërpërgjigje shpalli papritmas perandor romak të ri në krahun Perendimor në Romë për të kundërshtuar drejtpërdrejt perandorinë legjitime romake me në krye Irenën helene në krahun Lindor të Konstantinopojës dhe në v. 800 kurorëzoi si prijës perandorak francezin Karli i Madh (Charlemagne) që ishte me prejardhje gjermane, njëlloj si më vonë në v. 962 Otto i parë (emërimi i tij njihet si Rajhu i parë gjerman) u kurorëzua perandori romak por edhe i shenjtë (the Holy Roman Emperor). Sëkëndejmi, de facto, gjermanët tërthorazi janë trashëgimtarët e Perandorisë Romake që nga shekulli i 9-të deri në shekullin 19-të kur u shpërbë Perandoria Romake nga Napoleoni, mirëpo prapë pastaj vazhdoi me Austriakët Habsburg derisa u rishpik nga gjermanët sërish dhe me emër të ri në shekullin e 20 si Bashkësia Evropiane.

Fatkeqësisht, Helenët dhe Romakët janë të kyçur në grindje të përhershme dhe shkaku i hasmërisë së tyre nga një kishë e krishterë u bënë dy kisha, nga e cila ndarje më shumë vuajtën shqiptarët, sepse edhe ata u ndanë më dysh nën trysni dhe nuk kishin një kishë të fortë por dy të dobëta. Sepse feja përdoret si vegël e përshtatshme politike, pasiqë këto ndarje janë të njohura edhe te fetë tjera si ajo myslimane, sunit dhe shiitët. Ndërsa më vonë valëzimthi u themelua edhe kisha e tretë reformatore luterane gjermane ose kisha e katërt protestante anglo-saksone, pak si përshtatshmëri e qëlluar për nacionalizim të kishave. Mirëpo këta dy popuj fqinjë në skaje të boshtit tonë pushtuan njeri-tjetrin që në lashtësi dhe vazhdon fërkimi i ftohtë edhe sot.

Herezia e konceptit ‘Bizanti-um’ ose ‘Vizantin’ përqëndrohet në faktin se dikush mund ta quante perandorinë romake si ‘Bizantin helen’ edhe pse nuk qëndroi kurrë, por nëse ne përmendim se perandorët më të aftë të kësaj perandorie dhe asaj tjetrës së paku tërthorazi ishin liderët ilirë, herezia kalon në gjueti shtrigash kundër nesh.

Edhe pse shtjellohen faktet historike dhe nuk është aspak tentim i patriotizmit romantik të verbër, përndryshe do t’binin daullet dhe boritë pa pushim, as nuk është e pavërtetë se pas nënshtrimit të Ilirisë, pasardhësit e tyre u përçanë dhe përvetësuan mënyrën vetjake të mbijetimit invidual dhe ende nuk janë në gjendje të bashkëveprojnë tog as sot me frymën e ‘Ilirizimit’ si lloji i veçantë i Skandinavizmit Nordik brenda kornizave më të mëdha të Bashkimit Evropjan, sepse aty ishim ku jemi prapë, në trojet tona ilire.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here