Fitonutrientët ose fito-ushqyesit janë substanca që gjenden tek bimët, frutat dhe perimet që ndihmojnë organizmin të parandalojë sëmundjet. Së bashku me vitaminat dhe mineralet, këto substanca funksionojnë në një sërë mënyrash dhe përmirësojnë proçeset e organizmit për të luftuar ose zvogëluar rreziqet që vijnë nga shumë sëmundje.
Fitonutrientët janë elementë kimikë bioaktivë që gjenden tek ushqimet dhe ngadalësojnë proçesin e plakjes dhe mbajnë larg sëmundjet. Fitonutrientët nuk janë vitamina dhe as minerale. Në rastin e bimëve ato shërbejnë si mburojë kundër mykut, baktereve, viruseve dhe kushteve të dëmshme mjedisore. Shumica e frutave dhe perimeve përmbajnë fitonutrientë që u jep atyre ngjyrë, shije, aromë dhe përmbajtje. Fitonutrientët kanë ndikim të fuqishëm në forcimin e imunitetit, përmirësimin e komunikimit mes qelizave, detoksifikojnë dhe shkatërrojnë qelizat kancerogjene, riparojnë ADN-në e dëmtuar dhe shërbejnë edhe si antioksidantë.
Në disa ushqime gjenden qindra lloje fitoushqyesish dhe agjentësh kimikë. Karotenoidët, flavonoidët, prebiotikët, probiotikët, proteinat e sojës e shumë të tjerë janë pjesë e këtyre fitoushqyesish. Por si funksionojnë këto elemëntë të nevojshëm dhe cilët ushqime janë të pasur me to?
Karotenoidët
Beta karoteni gjendet tek frutat dhe perimet me ngjyra të ndezur, të verdhë dhe portokalli siç janë kungujt, papaja, karrotat, patatet e ëmbla apo edhe ato të gjelbra siç janë kale dhe brokoli. Beta karoteni është aleat i antioksidantëve për mbrojtjen e qelizave dhe neutralizimin e radikaleve të lira.Likopeni: gjendet tek frutat dhe perimet me ngjyrë të kuqe siç janë domatet, shalqini dhe guava. Kjo substancë mundet të ulë rreziqet nga kanceri i prostatës.Luteina: Gjendet tek perimet e gjelbra siç janë kale, lakrat e vogla, spinaqi dhe kivi dhe jep një kontribut të fuqishëm për shëndetin e mirë të syve.
Flavonoidët janë një grup fitoushqyesish të shumëllojshëm që gjenden tek të gjitha frutat dhe perimet. Antocianidët janë antioksidantë që ndalojnë dëmet që i shkaktohen qelizave nga ana e radikaleve të lira. Ato gjithashtu mbështesin sistemin imunitar dhe funksionet e trurit. Këto antioksidantë gjenden tek frutat me ngjyrë të errët siç janë manaferrat, boronicat , qershitë, rrushi , kumbullat e kuqe, kivi, luleshtrydhet dhe tek lakra e patëllxhani.
Flavanolët– ndihmojnë zemrën dhe mbrojnë qelizat nga dëmet e shkaktuara prej radikaleve të lira. Gjenden tek mollët, çaji, vera, çokollata, kakaoja, rrushi dhe brokoli.
Flavanonët – neutralizojnë radikalet e lira dhe dëmet që shkaktojnë tek qelizat. Gjenden tek agrumet.
Proantocianidët – ndihmojnë në shëndetin e zemrës dhe të traktit urinar. Gjenden tek mollët, kakao, boronica e kuqe, luleshtrydhet, vera dhe kikirikët.
Resveratroli – shtesë e rëndësishme e antioksidantëve. Gjendet tek ushqimet e kuqe siç janë vera dhe rrushi.
Izotiocinatët janë substanca që përmbajnë sulfur, të cilat i japin shijen disa perimeve të caktuara.
Sulfurofani – luan rol antioksidant dhe ngadalëson dëmin e qelizave nëpërmjet një proçesi detoksifikues. Gjendet në perime të veçanta siç janë kale, lakra, rrepa etj.
Fenolët – Acidi feruilik i bën mirë shëndetit të zemrës dhe të syrit duke shërbyer si mbështetje për proçeset antioksiduese në ndihmë të qelizave. Gjendet tek mollët, agrumet dhe dardhat.
Acidi elagjik. Neutralizon radikalet e lira dhe mbron qelizat. Gjendet tek frutat e pyllit, rrushi i kuq dhe kivi.
Poliolët janë një grup karbohidratësh pa kalori, ëmbëlsues pa sheqer ose ndryshe alkol i ëmbël që përdoren tek çamçakëzi, pijet dhe ëmbëlsuesit në zëvëndësim të sheqerit. Ato ulin rrezikun e kavitetit dentar.
Fitoestrogjenët
Isoflavonët – gjenden tek ushqimet e sojës dhe reduktojnë simptomat e menopauzës por edhe ndihmojnë trurin, sistemin imunitar dhe shëndetin e kockave.
Linjanët – mbështesin zemrën dhe sistemin imunitar. Gjenden tek ushqimet e pasura me fibër siç janë: fara e linit thekra , krundet e grurit , elbi , tërshëra dhe perimet.
Acidi Fitik – ndihmon në ruajtjen e nivelit normal të sheqerit në gjak dhe shëndetin e zemrës. Neutralizon radikalet e lira tek qelizat.
Prebiotikët dhe Probiotikët
Inulina, frukto-oligosakaridët, polidekstroza – përmirësojnë shëndetin gastrointestinal dhe përmirësojnë përthithjen e kalciumit në organizëm. Gjenden tek drithërat, hudhra, mjalti, qepët dhe prasi. Lactobacilli, bifidobacteria – ndihmojnë shëndetin gastrointestinal dhe imunitetin. Këto substanca i gjeni tek kosi dhe produkte të tjera të bulmetit.
Proteina e sojës – ul rrezikun nga sëmundjet koronare dhe gjendet tek ushqimet me bazë soje.
Sulfidet/Tiolët – ndihmojnë në shëndetin e zemrës dhe sistemin imunitar. Detoksifikojnë trupin dhe gjenden tek qepët, hudhrat, prasi, qepujkat dhe qepët e njoma.
Ditioltionët – Mbështesin sistemin imunitar dhe gjendet tek perimet të ndryshme si lakra./