Fitim Rifati: Për shqiptarët në Evropën e fillimshekullit XX, organizatat, kryesisht të fshehta, paraqisnin modelin më të mirë të bashkimit politik e revolucionar, në shërbim të realizimit të të drejtave kombëtare dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Viti 1913 shënon një fazë të re në historinë e popullit shqiptar. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913) njohën formimin e shtetit shqiptar, por jo në kufijtë e tij etnik. Prijësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u angazhuan që Shqipëria të përfshinte në kufijtë e saj politik të gjitha viset shqiptare. Rrjedhimisht, formimi i organizatave me karakter politik dhe ushtarak, ishte i rëndësishëm për realizimin e këtij qëllimi. “Shkipnia”, “Besa Shqiptare”, “Komiteti i Fshehtë” i Kosovës”, “Klubi i Shkupit” e ndonjë tjetër, janë organizata pararendëse, të cilat në programin e tyre politik kishin synime të njëjta me ato të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Po ashtu, anëtarë të këtyre organizatave ishin pjesë aktive në kuadër të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Përmes këtij artikulli, i cili e shtron këtë çështje në mënyrë analitike dhe krahasimtare, synohet t’u jepet përgjigje pyetjeve të mëposhtme, si: Kur dhe pse u formua organizata “Shkipnia”? Kush ishte pjesëtar i saj? Çfarë përmbante Programi i saj për të ardhmen e trevave shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë politike? Kur u formua organizata “Besa Shqiptare” dhe çfarë aktivitetesh realizoi ajo? Kur dhe pse u formua organizata “Komiteti i Fshehtë” i Kosovës? Kush ishte drejtues i saj dhe çfarë aktivitetesh realizoi ai? Në çfarë rrethanash veproi “Klubi i Shkupit” dhe cili ishte Programi i tij? Pse këto organizata politike shqiptare kanë lidhje organike dhe i paraprinë formimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”?

Për shqiptarët në Evropën e fillimshekullit XX, organizatat, kryesisht të fshehta, paraqisnin modelin më të mirë të bashkimit politik e revolucionar, në shërbim të realizimit të të drejtave kombëtare dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga ushtritë e shteteve fqinje ballkanike dhe ricopëtimit të saj nga Fuqitë e Mëdha me vendime të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që i mohuan shqiptarëve një Shqipëri politike të shtrirë në kufij etnik, formimi i organizatave me karakter e program politik, ishte domosdoshmëri për të mbrojtur e çliruar nga pushtimi i huaj fizionominë kombëtare të të gjitha trevave etnike shqiptare. Ndërmjet viteve 1913-1916, organizatat shqiptare si: “Shkipnia”, “Besa Shqiptare”, “Komiteti i Fshehtë” i Kosovës, “Klubi i Shkupit” e ndonjë tjetër, përfaqësojnë një lidhje organike dhe paraprijëse të formimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në vitin e fundit të Luftës së Parë Botërore.

“Shkipnia”, 1913

Së pari, në vjeshtë të vitit 1913, kur plotësisht ishin bërë të njohura vendimet e Fuqive të Mëdha për ricopëtimin e trevave shqiptare në favor të monarkive ballkanike, para se të fillonte kryengritja shqiptare kundër pushtimin dhe aneksimit serbo-malazez, veprimtarë e atdhetarë të spikatur shqiptarë, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Riza Kryeziu, Mersin Dema, Mahmut Jura, Ali Pustina etj., formuan organizatën “Shkipnia”, krijimi i së cilës relatohet nga zëvendëskonsulli britanik në Manastir, Charles Alexis Greig, më 14 tetor të vitit 1913.

Qëllimi kryesor, i shprehur në Statutin e kësaj organizate, ishte vendosja e lidhjeve të forta midis shqiptarëve dhe promovimi i bashkimit e progresit të tyre. Komiteti Shqiptar, si organi më i lartë administrativ i saj, kishte për obligim luftimin e të gjithë armiqve të brendshëm e të jashtëm “që janë kundër interesave të shqiptarëve”. Ky Komitet, duke marrë për bazë ndryshimet eventuale që mund të sillnin rrethanat politike brenda e jashtë Shqipërisë politike, do të ndërmerrte masat e duhura, që kishin për qëllim avancimin dhe realizimin e interesave kombëtarë të shqiptarëve. Në çdo degë të kësaj organizate, në kuadër të organizimit të brendshëm, funksiononte Këshilli, i cili kishte për obligim zbatimin e çdo udhëzimi të Komitetit Qendror, sidomos për rastet që kishin në shprehje dënimet me vdekje ndaj individëve armiqësorë apo dënime të tjera, të evidentuara ose përcaktuara paraprakisht.

Simbol identifikues i kësaj organizate ishte flamuri kombëtar, i cili, së bashku me idealin kombëtar të shqiptarëve, konsiderohej “i shenjtë”. Çdokush që tregohej armiqësor ndaj flamurit dhe idealit kombëtar shqiptar, dënohej “me zjarr dhe gjak”. Masat rigoroze dhe dënimet e ashpra, që përcaktonte kjo organizatë, veç tjerash parashihnin shkatërrimin e çdokujt që ushtronte ndikim të çfarëdoshëm në kundërshtim me vendimet e Komitetit Shqiptar. Ky Komitet kishte të drejtën ekskluzive për të shprehur mirënjohje ndaj secilit anëtar që i shërbente interesave të atdheut. Po ashtu, ai ushtronte të drejtën ekskluzive për të analizuar dhe kritikuar çdo vendim që binte në kundërshtim me interesat kombëtarë të popullit shqiptar.

Përbërja dhe veprimtaria e kësaj organizate ishte e rëndësishme të mbahej e panjohur për opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Kryetari dhe Komiteti Shqiptar përbënin hierarkinë kryesore. Në këtë kontekst, anonimati i Kryetarit, anëtarëve të Komitetit dhe anëtarësisë, kategorikisht mbeteshin sekretë, madje për këtë çështje secili betohej me zotim para Kryetarit të organizatës. Kësisoj, sekreti i kësaj organizate kërkohej të ruhej deri në momentin kur “me ndihmën e Zotit, bashkimi dhe qëllimi i shqiptarëve të realizohen”. Rrjedhimisht, kryeqendra e Komitetit akordohej të jetë gjithmonë në territorin e Shqipërisë politike, ndërsa vendndodhja e saj mbahej sekret. Në këtë mënyrë, sipas raportit të zëvendëskonsullit britanik, organizimi i brendshëm i organizatës “Shkipnia” shtjellohej në njëzet e pesë paragrafë të tjerë, të cilët akoma nuk kishin rënë në duart e diplomatit britanik.

“Shkipnia” kishte për synim çlirimin dhe bashkimin me Shqipërinë të viseve shqiptare të pushtuara dhe aneksuara Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Pra, kjo organizatë dëshironte formimin e një Shqipërie politike kombëtare, në territorin e së cilës do të përfshiheshin edhe Manastiri, Shkupi, Janina etj. Kjo organizatë arriti të krijonte degë në Vlorë, Shkodër, Mat, Durrës dhe në disa zona shqiptare nën Mbretërinë e Serbisë dhe Malit të Zi. Pohohet se “Shkipnia”, në kuadër të veprimtarisë së saj, bashkëpunoi me Partinë Demokratike të kryesuar nga Abdyl Ypi dhe përfaqësues të organizatave bullgare, për arsye se në programet e tyre luftohej kundër armikut të përbashkët.

Ndër aksionet kryesore të organizatës “Shkipnia”, për realizimin e Programit politik, ishte Kryengritja antiserbo-malazeze e vjeshtës së vitit 1913.

“Besa Shqiptare”, 1914

Së dyti, ardhja e princ Vidit në Shqipëri, më 7 mars të vitit 1914, inkurajoi shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera të pushtuara e aneksuara. Kësisoj, më 18 mars të atij viti, në Durrës u formua Shoqëria “Besa Shqiptare”, njoftim që i relatohet konsullit austro-hungarez në Durrës, Heinrich von Löwenthal, më 25 prill të vitit 1914.

Kjo organizatë kishte edhe Statutin themeltar prej 14 parimesh, që rregullonte jetën e veprimtarinë e saj dhe synonte edukimin politik të popullit shqiptar, për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha e shteteve fqinje ballkanike. Selia qendrore e kësaj organizate ishte në qytetin e Durrësit, por zyra e saj mund të ndryshonte në përputhje me kërkesat që shtronte veprimtaria e organizatës dhe natyrën e aksioneve që ajo mund të ndërmerrte. Kjo organizatë parashihte hapjen e degëve të saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë politike. Degët do të funksiononin sipas Programit, ndërsa organizimi i brendshëm i tyre mund të pësonte ndryshime eventuale në pikëpamje të vendndodhjes dhe në përputhje me kushtet lokale.

Si organ më të lartë administrativ kishte Këshillin Drejtues, numri i anëtarëve të të cilit nuk ishte i përcaktuar, por ai mund të rritej në përputhje me rrethanat e brendshme të organizatës dhe nevojave të saj karshi situatës së jashtme që kërkonte realizimi i Programit. Kjo organizatë synonte shtrirjen e aktivitetit në të gjitha viset etnike shqiptare, prandaj anëtar i saj mund të bëhej secili shqiptar pa dallim përkatësie fetare. Pranimi në radhët e saj i një anëtari të ri paraprakisht kërkonte plotësimin e dy kritereve të rëndësishme. I pari kushtëzohej me dhënien e garancisë nga dy anëtarë të organizatës për kandidatin që aspironte anëtarësimin, ndërsa kriteri i dytë kërkonte miratimin për anëtarësim nga organi kryesor vendimmarrës – Këshilli Drejtues. Plotësimi i këtyre dy kushteve për anëtarësim në struktura të kësaj organizate, kishte peshë specifike në jetën dhe veprimtarinë e saj, sepse paraprakisht mënjanonte çdo mëdyshje eventuale të organeve më të larta, duke i ofruar atyre besueshmëri se anëtari i ri përfaqësonte një profil atdhetar në shërbim të qëllimeve dhe Programit të organizatës.

Statuti i kësaj organizate përcaktonte edhe organizimin e burimeve financiare. Të ardhurat financiare ajo synonte t’i siguronte përmes pagesës së kuotizacionit. Kësisoj, secili anëtar detyrohej të paguante çdo muaj një shumë prej 12 grosh, si obligim anëtarësie. Në këtë mënyrë, pagesa e kuotizacionit krijonte fondin e organizatës dhe mjetet e grumbulluara në të parashihej prerazi të shfrytëzohen dhe investohen vetëm për nevoja dhe qëllime të saj. Përcaktimi i rrugës së organizimit dhe sigurimit të të ardhurave financiare të organizatës, përmes kontributeve vetjake të anëtarësisë, mënjanonte çdo pretendim të jashtëm për të dyshuar se kjo organizatë mbështetej materialisht nga organet shtetërore të Shqipërisë ose prej ndonjërës nga Fuqitë e Mëdha, të interesuara për zgjidhjen dhe avancimin e çështjes shqiptare.

Për dallim nga organizata “Shkipnia”, e cila parashihte aplikimin e masave ndëshkuese me vdekje, për çdo anëtar që devijonte nga Programi ose vepronte kundër interesave të saj, organizata “Besa Shqiptare” parashihte largimin nga lista e anëtarësisë ose nga strukturat drejtuese nëse anëtari “ngre krye” e nuk i bindej urdhrave të Këshillit Drejtues ose nuk angazhohej e nuk punonte sipas Programit dhe i kundërvihet rregullave të tij. “Besa Shqiptare” kërkonte respektimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe angazhim sipas Programit të saj, në mënyrë që të plotësohej kriteri i anëtarësisë.

“…Do të luftoj derisa të kem jetë për zmadhimin dhe përparimin e Shqipërisë…”

Ushtrimi i veprimtarisë së saj përbrenda Shqipërisë politike diktonte edhe pozicionin e kësaj organizate në raport me Qeverinë e shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi se “mban qëndrim dashamirës ndaj Qeverisë kombëtare”. Po ashtu, ruajtja e vetive identitare dhe karakteristikave të saj programore, kishin rëndësi të madhe për veçim nga ndonjë strukturë apo organizëm tjetër politik përbrenda territorit të shtetit shqiptar. Prandaj, ajo kategorikisht nënvizoi në Statutin e saj themeltar se “nuk do të ketë lidhje me partitë personale”. Pra, respektimi i organeve shtetërore shqiptare dhe refuzimi në çdo formë bashkëpunimi me organizma e shoqëri të tjera politike në Shqipëri, ishin aspekte të rëndësishme për ushtrimin e pavarur të jetës dhe aktivitetit të organizatës “Besa Shqiptare”.

Secili anëtar i kësaj organizate e kishte për obligim të deklarohej paraprakisht se i tërë aktiviteti i tij politik dhe e tërë qenia e tij shpirtërore, fizike e psikike vihej në shërbim e funksion të realizimit të parimeve të organizatës. Nëse ndonjëri prej tyre do të paraqiste elemente dyshimi e pabesie ndaj organizatës dhe mekanizmave të saj, atëherë ai shpallej tradhtar. Prandaj, paraprakisht çdo individ që paraqitej për anëtarësim, zotohej me këtë formulë betimi: “Betohem për atë që besoj dhe jap fjalën si burrë i ndershëm se, duke ruajtur tani e kurdoherë në zemër kujtimin e martirëve të Shqipërisë, do të punoj për shoqërinë “Besa Shqiptare” e do të luftoj derisa të kem jetë për zmadhimin dhe përparimin e Shqipërisë (politike, F.R) dhe që ajo t’i rimarrë gjithë tokat që armiqtë i kanë shkëputur dhe se do t’i quaj e do t’i kem si vëllezër të vërtetë të gjithë shqiptarët, qofshin të krishterë apo myslimanë, toskë apo gegë”. Për këtë arsye, Programi i saj dhe Këshilli Drejtues ishin të paprekshëm. Prandaj, sabotimi apo mosrespektimi i tyre nga secili anëtar nuk tolerohej në asnjë formë.

Kjo shoqëri politike parashihte nxjerrjen e një organi zyrtar, i cili do të botohej një herë në javë jashtë Shqipërisë.

Megjithëse nomenklatura drejtuese, strukturore dhe e anëtarësisë, ruhej në anonimitet, nga veprimtaria e realizuar vërtetohet se pjesëtarë të saj ishin Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri etj.

Veç tjerash, synim i saj ishte ruajtja e shqiptarësisë së trevave të aneksuara Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Operacioni për ruajtjen e veçorive kombëtare shqiptare planifikohej të niste në Kosovë, veçanërisht në zonën e pushtimit serb, ku popullsia shqiptare e kësaj treve ishte më e rrezikuar. Për këtë arsye, “Besa Shqiptare” i kërkonte asaj të refuzonte rrugën e emigrimit, të qëndronte në Kosovë dhe të ballafaqohej në formë elastike me pushtetin shovinist serbo-malazez, në mënyrë që në të ardhmen të ketë mundësi të realizojë orvatje të armatosura për çlirim. Kjo organizatë gëzoi relativisht përkrahjen e Austro-Hungarisë, përmes lidhjeve klandestine të orkestruara nga “Komiteti Austriako-Shqiptar”.

Ndër aksionet e armatosura të organizatës “Besa Shqiptare”, ishte Kryengritja e mars-prillit të vitit 1914 në Kosovë.

“Komiteti i Fshehtë” i Kosovës, 1915

Së treti, fillimi i Luftës së Parë Botërore prishi ekuilibrin politik edhe në Gadishullin Ballkanik. Shqiptarët e Kosovës që vepronin në Shqipëri, e konsideruan këtë situatë pjesërisht të favorshme për organizimin e një kryengritjeje të re çlirimtare në Kosovë. Në krye të kësaj ideje u vu Hasan Prishtina, i cili, pas përpjekjeve për të sensibilizuar qëllimin e saj, zgjodhi muajin shkurt të vitit 1915, për ta realizuar atë praktikisht.

Në prag të fillimit të kryengritjes së armatosur, sikurse ishte vepruar njësoj në vitet 1913 dhe 1914, del në pah një organizatë e emëruar “Komiteti i Fshehtë” i Kosovës me qendër në Shkodër dhe me kryetar Kadri Prishtinën. Në kuadër të kësaj problematike, viti 1914 mendohet si referencë e gjenezës së këtij Komiteti, me disa anëtarë nga Kosova, si: Bajram Curri, Rexhep Mitrovica, Halim Gostivari, Salih Gjuka, doktor Fahri Gjilani etj.

Në anën tjetër, gjeneral konsulli austro-hungarez në Shkodër, Karl Halla, në një telegram sekret dërguar Vjenës zyrtare, më 14 shkurt të vitit 1915, shkruan: “Për përkrahjen e kryengritjes është formuar një Komitet nën drejtimin e Kadri Prishtinës… Ai (Komiteti) mu lut për sigurimin e një shume rreth 600 napolona ari për blerje të municionit”. Mirëpo, veç një shume të vogël, të caktuar për krerë si: Bajram Curri, Mehmet e Halim Deralla etj., konsulli austro-hungarez, me sugjerimet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, në këtë kohë nuk akordoi ndonjë ndihmë tjetër për nevoja të operacionit të shqiptarëve.

Ndër veprimet e armatosura të këtij Komiteti konsiderohet “Aksioni i Zhurit”, në shkurt të vitit 1915. Kjo organizatë, në krye me Kadri Prishtinën, vazhdoi aktivitetin edhe për disa muaj.

“Klubi i Shkupit”, 1916

Së katërti, pushtimi austro-hungarez dhe bullgar i Kosovës, në nëntor-dhjetor të vitit 1915, nxiti personalitetet më të njohura të kësaj treve për t’i dhënë çështjes shqiptare një zgjidhje të re politike, konform rrethanave të kohës. Në krye të kësaj ndërmarrjeje ishte Nexhib Draga, drejtues i “Klubit të Shkupit”, i formuar që në vitin 1908.

Dokumentacioni i kohës e vë në qendër këtë Klub, si një organizatë me tipare politike. Midis të tjerash, kjo organizatë veçohet për disa aktivitete politike, në të cilat merrnin pjesë personalitetet më me ndikim nga qytetet e Kosovës, si: Shkupi, Prishtina, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Peja, Prizreni etj. Ndër ta dallohen: Nexhib Draga, Jashar Erebara, Nexhib Mahmutbegolli, Ahmet Murteza Berisha, Ejup Gagja, Isuf Morina, vëllezërit Qamil e Qemal Kulimbari, Mehmet Ali Gjilani, Xhemal Hysen Zade etj. Një raport ushtarak austro-hungarez, i datës 19 shtator 1916, thekson se përfaqësuesit e këtyre trevave po mbanin mbledhje në ambiente të “Klubit të Shkupit”, me pretendimin për të formuar një shtet të pavarur shqiptar.

Ndërkohë, në fund të vitit 1916, me aplikimin e masave shtypëse nga Mbretëria e Bullgarisë ndaj propagandës politike shqiptare, u shua edhe aktiviteti i kësaj organizate. Rrjedhimisht, një Shqipëri e pavarur dhe e bashkuar në trevat etnike shqiptare, binte në kundërshtim me interesat bullgarë e austro-hungarezë dhe në përgjithësi me fuqitë e Aleancës Qendrore gjatë Luftës së Parë Botërore, prandaj pushoi edhe veprimtaria e organizatave me program politik.

Për sa më sipër, ndonëse këto organizata politike e revolucionare qenë jetëshkurtra dhe me emërtime të ndryshme, nuk e shuan këmbënguljen e atdhetarëve shqiptarë për çlirim e bashkim kombëtar. Vendi ku u krijuan, koha dhe rrethanat në të cilat vepruan, karakteri dhe programi që përfaqësonin, personalitetet përbërëse që morën pjesë dhe i drejtuan hapur e në mënyrë anonime, aktivitetet politike, diplomatike e të armatosura dhe trashëgimia politike që krijuan, janë elemente të rëndësishme dhe analoge, të cilat provojnë një cikël politik e revolucionar, paraprijës i formimit të një organizate politike e revolucionare më të konsoliduar e më jetëgjatë, siç ishte Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here