Me mijëra njerëz fluturojnë çdo ditë rreth globit, por sërish pyetjet pa përgjigje janë të shumta gjatë udhëtimeve.

Një grup pilotësh kanë zbardhur disa nga misteret më të mëdha të fluturimit në Newsweek.

ROLI I DY PILOTËVE NË KABINË

Zakonisht, në kabinën e një avioni janë dy pilotë, njëri kapiteni dhe tjetri ndihmës i tij, i quajtur edhe oficeri i parë. Të dy ata janë plotësisht të kualifikuar për të drejtuar avionin, por ka disa dallime mes punëve të tyre. Për t’u kualifikuar si kapiten, një pilot duket të ketë 2500 orë përvojë fluturimi, ndërsa për oficer të parë nevojiten vetëm 1500 orë. Patrick Smith, një pilot nga Bostoni, Masaçusets, i cili ka shkruar një libër për përvojat e tij, tha për Newsweek se pavarësisht ndryshimit, oficeri i parë nuk është definitivisht një “nxënës” për kapitenin. Ai theksoi se kapiteni është zyrtarisht në krye, ndërsa ndihmësi i parë zakonisht realizon të njëjtën numër uljesh dhe ngritjesh në të gjitha kushtet e motit dhe janë po aq të përfshirë në vendimmarrje gjatë një fluturimi. “Ndodh edhe që oficeri i parë të jetë edhe më i vjetër se kapiteni”, thotë Smith. Megjithatë, në të vërtetë, oficeri i parë ka disa detyra të tjera, si përgatitja e avionit dhe e kabinës përpara fluturimit, mbajtja e të dhënave të navigimit dhe ngjarjeve që ndodhin gjatë një fluturimi, të tilla si turbulencat, komunikimi me ekuipazhin e të tjera.

ÇFARË NDODH NËSE TË DY PILOTËT SËMUREN OSE LËNDOHEN GJATË NJË FLUTURIMI?

Të kesh dy pilotë në avion është jetike kur njëri prej tyre sëmuret dhe nuk është i aftë për të drejtuar avionin. Por çfarë ndodh nëse dhe kapiteni dhe oficeri i parë do të sëmureshin njëkohësisht dhe nuk do të ishin të aftë të drejtonin avionin? Tony Shen, një ish-pilot i cili tani është president i Akademisë së Aviacionit Wayman, nga Florida, shpjegoi për Newsweek se nëse diçka u ndodh të dy pilotëve, ekuipazhi i fluturimit do të kërkojë pasagjerë që kanë përvojë fluturimi. “Asnjë anëtar i ekuipazhit të kabinës nuk është trajnuar as për të kontrolluar aeroplanin dhe as për të komunikuar me kullat e kontrollit ajror”, zbulon ai.

Ish-piloti Dan Bubb, nga Las Vegas, Nevada, shpjegoi se është “jashtëzakonisht e rrallë” që të ndodhë kjo, veçanërisht sepse pilotët marrin masa ekstreme për të siguruar që të dy të mos sëmuren në të njëjtën kohë. Pilotët porosisin ushqime të ndryshme për këtë arsye. Nëse sëmundja është e rëndë dhe ndodh në mes të fluturimit, pilotët do të shpallnin emergjencën dhe do të uleshin në aeroportin më të afërt. Në maj të vitit të kaluar, një pasagjer në bordin e një aeroplani të vogël privat, i cili fluturonte nga Bahamasi në Florida, u përshëndet si hero pasi ai uli me sukses avionin ndërsa kontrolli i trafikut ajror e drejtoi duke përdorur një foto të printuar të kontrolleve të kabinës.

A KA VEND PËR ALARM NËSE KRAHËT E AVIONIT LËKUNDEN GJATË TURBULENCAVE?

Nëse keni qenë ndonjëherë pranë dritares dhe avioni ka kaluar në turbulenca, me siguri keni vënë re se krahët janë lëkundur. Por a alarmuese një situatë e tillë? Ndërsa duket se krahët e avionit janë gati të shpërbëhen, Bubb thotë se në fakt nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Në fakt, sipas ish-pilotit, lëkundja e krahëve gjatë turbulencave është një “gjë e mirë”. Tony Shen theksoi se struktura e avionit është mjaft e fortë për të përballuar çdo lloj ere ose moti që mund të hasë. “Rreziku i vërtetë gjatë turbulencave është se pasagjerët mund të fluturojnë nga sedilja dhe të lëndohen nëse rripi i sigurimit nuk është i lidhur. Prandaj gjithmonë rekomandohet të mbani rripin e sigurimit të vendosur”, tha ai. Ish-pilotët shtuan se krahët e avionit janë krijuar për t’u përkulur pak për të llogaritur ndryshimet e lehta në densitetin e ajrit.

PËR SA KOHË AVIONI DREJTOHET NGA AUTOPILOTI?

Sipas ThePointsGuy, avionët janë në autopilot për rreth 98 për qind të kohës që janë në ajër. Megjithatë, Smith tha për Newsweek se edhe në këtë gjendje, kontributi i ekuipazhit është jashtëzakonisht i madh gjatë fluturimit. “Duart tona mund të mos e drejtojnë aeroplanin drejtpërdrejt, por pothuajse gjithçka që bën avioni komandohet, në një mënyrë apo në tjetrën, nga pilotët. Autopiloti bën vetëm atë që ne i themi të bëjë. Për shembull, ka të paktën 6 mënyra të ndryshme që unë mund të programoj një ngritje ose zbritje automatike të avionit, në varësi të rrethanave. Ne programojmë rrugën që duhet të ndjekë, shpejtësinë dhe lartësinë, e shumë detaje të tjera në varësi të rrjedhës së një fluturimi”, tha Smith.

ÇFARË NDODH NËSE NJË PASAGJER VDES GJATË FLUTURIMIT?

Sipas Bubb, ka mundësi që dikush të ketë vdekur gjatë fluturimit tuaj dhe ju kurrë nuk do ta kishit marrë vesh një gjë të tillë, pasi ekuipazhi bën gjithçka për ta mbajtur atë sekret. Nëse një pasagjer do të vdiste gjatë një udhëtimi, ata do të tentonin ta mbanin sa më sekret pasi do të ndikonte te pasagjerët e tjerë. Ata nuk do ta jepnin kurrë një lajm të tillë. Madje, në një raport të mëparshëm është pretenduar se avionët kanë edhe një zonë të posaçme për të mbajtur trupin e pajetë të një personi për të mos e ekspozuar te pasagjerët e tjerë. Nëse kjo hapësirë nuk ekziston, atëherë ekuipazhit të kabinës i thuhet ta mbulojë viktimën dhe t’i shtrëngojë rripin e sigurimit. Sa i përket urgjencave mjekësore, ekuipazhi është i gjithë i trajnuar për të dhënë ndihmën e parë. Zakonisht ka edhe defibrilatorë në bord. Nëse ata mendojnë se një pasagjer ka nevojë për ndihmë të specializuar, mund të bëjnë ulje emergjente në aeroportin më të afërt.

KODET SEKRETE QË PËRDORIN PILOTËT ME EKUIPAZHIN GJATË FLUTURIMIT

Është shumë e rëndësishme që pilotët të komunikojnë me ekuipazhin gjatë fluturimit nëse ka një emergjencë pa krijuar panik te pasagjerët. Shen zbulon se ka një sërë fjalësh sekrete dhe opsione të veçantë të krijuara nga çdo linjë ajrore. “Kjo ndryshon nga linja ajrore, por të gjitha linjat kanë fjalë ose kode standarde që pilotët komunikojnë me anëtarët e ekuipazhit. Në rastin e emergjencave, rrëmbimi të avionit, stjuardesat do të njoftojnë pilotët duke përdorur fjalë sekrete ose opsione të veçanta thirrjesh”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here