INTERVISTA / Servet Pëllumbit: Si e njoha Dritëro Agollin. Nga takimi në Shën Petërburg te reformimi i PS-së

Sot mbushen 5 vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit te madh Dritëro Agolli. Përveç se një nga dy shkrimtarët më të mëdhenj të Shqipërisë Agolli ka qenë dhe një politikan i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Për të kujtuar këtë ditë, por dhe për të rrëfyer anën e panjohur të Dritëro Agolli, Vox News ka zhvilluar një bisedë me një tjetër profesor të së majtës. Servet Pëllumbi vjen me një rrëfim ekskluziv si e ka njohur Dritëroin, që nga takim i parë i tij deri te marrëdhëniet brenda PS-së.

– Profesor, si e kujtoni Dritëro Agollin në këtë 5-vjetor të ndarjes së tij nga jeta?

– Nuk është e lehtë të flasësh për një shkrimtar dhe njeri të madh si Dritëroi. Sot (3 shkurt 2022) u mbushën 5 vjet vit që të madhin Dritëro fizikisht nuk e kemi midis nesh! Por ai rron e do të rrojë në mendjet e zemrat e gjithë shqiptarëve brez pas brezi, rron e do të rrojë me veprën e tij të madhe që na ka lënë, rron e do të rrojë si figurë e shquar kombëtare. Për njerëzit e dashur të familjes, për miqtë e shokët e tij të ngushtë, nuk do të jetë thjesht një vend “në raftet e bibliotekave”, siç shkruante vetë ai me modestinë e tij karakteristike në një nga poezitë e fundit- “testament”. Ai si Dritëro gjithnjë do të rrojë në kujtimet e tyre si një njeri i veçantë, i dashur, i thjeshtë i plotësuar dhe me humorin e tij të hollë prej devolliu, si pjesë e asaj “balte”, pra e vlerave të filozofisë së popullit, që ai me mençuri e guxim, e çoj “deri në Lidhjen e shkrimtarëve”!

Shumë nga personazhet e “skalitura” mjeshtërisht nga Dritëro Agolli, përdoren në të folurën e përditshme për të karakterizuar tipa që ndeshen në jetë, sidomos në radhët e shtetarëve dhe politikanëve, të grindavecëve dhe hileqarëve. Do të mjaftonin për konkretizim të idesë “Shoku Zylo” dhe Demka, tipi i njeriut megalloman e bosh dhe e servilit që shkruan fjalime e diskutime pse jo dhe doktoratura për ata që “janë lart”, për shefat! Në një rrafsh tjetër, në atë historik, nuk mund të harrohen, tipa si Plaku Mere, Komisari Memo, Sali Protopapa etj. Pa përmendur të ngjashmit e sotëm të tyre! Ja pse krijimtaria e Dritëro Agollit është sa e bukur artistikisht, aq dhe e vyer, edukative e patriotike në përmbajtjen e vet.

Rreth këtyre ideve dhe për të “nxjerrë mallin për shokun”, do të preferoja t’u referohesha kujtimeve të mia, zanafilla e të cilave është e hershme mbi 60 vjeçare, kur Dritëroi ishte 24 vjeç dhe unë 19…

– Si dhe kur e keni njohur Dritëroin?

– Ishte viti 1955, kur shkova për studime në Universitetin e Leningradit, Shën Petërburgun e sotëm, ku Dritëroi bashkë me Marash Hajatin, Fadil Kokomanin etj., kishin mbaruar vitin e tretë në degën e gazetarisë. Si fillestarë, natyrshëm, e ndjenim nevojën për të takuar me studentët më me përvojë. S. Çarçani që ishte nga Gjirokastra, na thotë se njihte Dritëro Agollin, me të cilin kishte qënë në rrethin letrar të Gjimnazit “Asim Zeneli”. Që në atë kohë Dritëroi ishte poet i preferuar nga shokët e vet dhe të gjithë ata që e njihnin, sqaroi Selo, duke shtuar: na frymëzonte me “fletorkën” me vjersha që e mbante gjithnjë me vete.

U takuam me të “vjetrit” në fillim të shtatorit. Me qenë se në atë vit, numri i studentëve shqiptarë në Universitet dhe në disa nga Institutet e njohur të Leningradit, gati u katërfishua, në takimin e parë të përbashkët të studentëve “të vjetër” e të “rinj”, ishte i pranishëm edhe sekretari i Ambasadës shqiptare për studentët, I. Spahiu. Në përfundim, kur po shpërndaheshim, Dritëroi takoi S. Çarçanin, që e ritheksoj vinin nga gjimnazi i Gjirokastrës. Selua na prezantoi mua me Mihal Kalogjerin, të tre studentë të Fakultetit të filozofisë. Mbaj mend që kur dëgjoi mbiemrin tim, pa ma lëshuar dorën, më pyeti me një ngrohtësi mbresëlënëse:

– Mos je gjë nga Devolli, nga soji i doktorit të njohur Shaban Pëllumbi, pra patrioti im?

– Jo, i thashë, po nga Korça jam dhe e njoh Dr. Shabanin, madje jam vizituar prej tij.

– Shumë mirë, tha duke qeshur, do të kemi rast të njihemi më mirë, se kam edhe dy vjet për t’u bërë gazetar.

“Gabimi i një doktori varroset në tokë, kurse gabimi i

Servet Pellumbi

– Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga vitet e Leningradit me Dritëroin?

– Vërtet njohja më e thelluar me Dritëronë – student pati zhvillime interesante. Duke lënë mënjanë hollësitë, do të veçoja kujdesin që ai tregoi, sidomos për ne, jo vetëm për t’u përshtatur me Leningradin, por dhe për të na larguar një lloj pasigurie që ne i shfaqnin sidomos për gjuhën, klimën… Të ftohtit dhe dëbora nisën që nga fundi shtatorit. Ne shpirtërisht ishim përgatitur për në Universitetin e Moskës, siç na thanë në Ministrinë e arsimit. Një ditë duke biseduar rreth kësaj teme, Dritëroi na nxorri tek ballkoni i dhomës dhe na tha:

– Shikoni ku do të jetoni pesë vjet: ura që kemi përpara ju ndan nga Fakulteti, rreth e qark kini disa nga muzeumet nga më të rëndësishmit, Bibliotekën më të madhe të Akademisë së shkencave, mbi të gjitha përballë, ai atje është “Pallati i dimrit” dhe Ermitazhi i famshëm,  ku ruhen kryevepra të artit botëror të të gjithë shekujve. Është një Universitet më vete. Vetëm lumi Neva na ndan. Që nesër të shkoni. Veçse mos harroni se të gjithin nuk e shikoni dot njëherësh, se të gjitha sallat bëjnë, siç thonë, 22 km! Pra, asnjë pishmanllëk, kini ardhur në një nga qytetet më të bukur të botës!

Po kujtoj edhe një aspekt tjetër të miqësisë me Dritëronë, që lidhet me veprimtarinë e tij krijuese. Krahas studimeve ai nuk e harronte “fletorkën”, shkruante vjersha, skiconte vepra më madhore për të ardhmen dhe lexonte shumë. Me që dhomat i kishim në të njëjtin kat, në të tretin, kur shkruante diçka të re, na ftonte në dhomë dhe na i recitonte me zërin e tij të qetë, por jo monoton dhe më pas kërkonte mendim.

– Mos u çuditni, na thoshte, që kërkoj mendimin tuaj si dëgjuesit e parë. Poezia e merr jetën tek lexuesi… tek mbresat dhe emocionet që krijon tek ta dhe që mund të tejkalojnë edhe synimet e poetit. Në një farë kuptimi i bën bashkëkrijues. Jo rastësisht Platoni e quante poezinë formë specifike arti që ushqen pasionet njerëzore, “fushë pjellore”, ku bashkëveprojnë natyrshëm mendimi me imagjinatën dhe fantazinë. Por, edhe që s’është fort e dashur për pushtetarët…! Prandaj, poetët janë vëllezër me filozofët!  

Për ta ngacmuar pozitivisht i them:

– Thuhet se poezia mund të shihet edhe si një mënyrë për t’iu larguar realitetit, e vërtetë është?

– Po, po e vërtetë, pa atë vështirë të ketë thellësi poetike. Veçse poeti i vërtetë duhet të gjejë “masën largimit” nga realiteti! Pa harruar që poezia, siç thoshte Shopenhaur, ndryshe nga filozofia ka më tepër karakter rinor…!

Pasi e falënderuam njëzëri për vlerësimin që po na bënte, i thamë me shaka: “Jemi të gatshëm për një shkollë të tillë poezie”! Më kujtohet që një ditë tjetër, pasi na recitoi një poezi që i kushtohej mallit për atdhe, iu kthye përsëri Platonit, vlerësimit prej tij të poezisë. Dhe, papritur ndërroi temë.  

– Thuhet, por edhe e kam lexuar diku në një libër filozofie, se Platoni, ky filozof i madh i antikitetit, veprat e të cilit janë të përkthyera bukur në rusisht dhe i admiroj, se nga e ëma rridhte nga një familje aristokrate, a mbretërore me mbiemrin Kodra. 

– Shikoni, na tha në fund, kur ta studioni në Fakultet, mbani parasysh të pyesni e të thelloheni në veprat e tij, mos na rezulton edhe ai “Allvanos” nga e ëma. Se ne nuk na kanë lënë gjë, sikur të mos kemi qënë populli më i lashtë i Ballkanit, sikur të mos ishim “trashëgimtarë” të njërës prej tre gjuhëve me të lashta indo-europiane, apo sikur të mos kishin qenë ilirët autoktonë para se të vinin grekët nga Kaukazi apo nga Irani në shekullin e shtatë para erës sonë. Është për të ardhur keq, shtoi, që filozofë të njohur si Raselli nga pozita europocentriste, mbrojnë tezën se Greqia është djepi i filozofisë e kulturës europiane, gjithçka e krijuar në ato treva, duke filluar nga Homeri dhe veprat madhore poetike, të lidhura me emrin e tij, Iliada e Odisea shpallen ekskluzivisht si krijime greke. Madje, harrohet që këto epope madhështore që transmetoheshin  nga goja në gojë dhe nga një brez në tjetrin kanë, ekzistuar në memorien popullore rreth 500 vjet para se të vinin grekët në trojet ku janë sot dhe që emrin “Greqi” e morën shumë më vonë… Po kështu mbetet të provohet edhe teza tjetër e ndonjë albanologu, ndër të cilët edhe profesore Desnickaja e Fakultetit tonë që drejton katedrën e gjuhës shqipe.

Teza në fjalë pohon se edhe greqishtja e vjetër është gati një me ilirishten dhe shqipen e vjetër. Po të mos besoni, na tha një ditë Desnickaja, shihni shënimet poshtë dy kryeveprave të Homerit të përkthyera në shqipen e sotme. Apo dhe në gjuhë të tjera! Pa përmendur rastin me emrat e perëndive Ilire, që me ndonjë përjashtim, shpjegohen me shqipen. Ky nuk është nacionalizëm i ngushtë, por kërkesë për rivendosje të së vërtetës historike…! Pse nuk u dashkan besuar autorët e lashtë që ishin të lirë nga çdo lloj shovinizmi?   

E mbaj mend me hollësi këtë ligjëratë të gjatë të Dritëroit, jo vetëm për pathosin patriotik që shoqëroi bisedën e tij me ne, por edhe për sigurinë dhe argumentet që solli gjatë kësaj bisede të lirë, të cilën e mbylli me humor:

– Mos harroni tha, që unë jam nga Devolli, që kemi Pilurin e kohës së Filipit dhe shpellën e Trenit me mbishkrimet prehistorike në muret e saj…! Po edhe lumin Devoll që vazhdon të rrjedhë… Kurse, duke m’u drejtuar mua, shtoi:

– Ti besoj e ke dëgjuar apo dhe mund ta kesh takuar në bibliotekën e Korçës, Spiro Kondën, ku ai shkonte gati çdo ditë dhe me lupë në dorë lexonte e vazhdon të lexojë e komentojë enciklopeditë dhe libra të tjerë të lashtë. Dihet, që për këtë e zbuan nga Universiteti i Athinës. Mos harroni që edhe këtu tek biblioteka e Akademisë karshi fakultetit tuaj, ka shumë libra dhe dorëshkrime të lashta…!

Mbaj mend edhe një takim të fundit në Leningrad, kur Dritëroi kishte mbrojtur diplomën me vlerësimin “otliçno”. U mblodhëm për ta uruar e për të pirë nga një gotë votkë “po ruskij”! Në fund Dritëroi na tha, se kur të kthehet në Shqipëri ka në plan të botojë shumë nga ato që u kam lexuar me titullin “Në rrugë dola”. Dhe e mbajti fjalën”! Vërtet, doli vendosmërisht në rrugën e gjërë, por jo të asfaltuar, të krijimit të një vepre të madhe e të gjithanshme, që pasuroi thesarin kulturor të kombit shqiptar.

Në fund të qershorit 1957, ndër përcjellësit e studentëve që mbaruan Universitetin, në stacionin e trenit “Moskva”, ishim edhe ne të tre. E ndjenim që do të na mungonte Dritëroi me të cilin u miqësuam më shumë se me të tjerë. Mbase nga që mua dhe S. Çarçanin na quante “patriotë”, apo  edhe se banonim në të njëjtin kat të konviktit dhe takoheshim çdo ditë, në koridor apo në sallën e leximit që ishte një kat më poshtë… Megjithatë, mjedisi i njëjtë i banimit nuk përcakton gjithçka, nuk mund të krijonte një afeksion të tillë. Kryesore ishte natyra dhe karakteri i Dritëroit që e bënin atë të thjeshtë, miqësor, me humor të hollë, me një të qeshur të rrallë, por disi të veçantë që të bënte të qeshje bashkë me të. Dritëroi vlerësonte shumë, si në krijimtari edhe në qëndrimet ndaj çështjeve konkrete, mendimin e vet të pavarur, për atë ishte i huaj kopjimi i përvojave të të tjerëve.

“Gabimi i një doktori varroset në tokë, kurse gabimi i

Kongresi i themelimit te Partise Socialiste

– Sa i pavarur ishte në të vërtetë Dritëroi?

– Natyra e përvojës, thoshte Dritëroi, kërkon që të mos ngatërrohet vlera me vazhdimësinë. Kurse, njohja e jetës dhe e njerëzve, janë “magjia e krijimit”.

Vlera të tilla, të ndërthurura me karakterin e tij “si njeri tabani”, spikatën sidomos gjatë viteve të punës si gazetar. Ai dinte të kapte momentin, pulsin e kohës të cilin më pas mund ta shprehte aq bukur edhe me dy tre fjalë si rasti i artikullit “Cile Muken e kam pranë dhe kulturën për karshi”, në të cilin si gazetar i mprehtë e realist, fshikullonte mungesën e aktiviteteve kulturore. Pijetorja e Ciles rrinte plot me njerëz, kurse Pallati i kulturës, i ngritur në një nga kodrat më të bukura të qytetit, që ishte vetëm dhjetë metra larg rrinte bosh! Po kujtoj, se pas disa ditësh e takoj rastësisht Dritëronë tek Agjencia e pasagjerëve, që ishte prapa Kullës së Sahatit, ia lavdërova artikullin, sidomos për titullin “Cile Muken e kam pranë…” që sintetizonte aq bukur përmbajtjen. Ai buzëqeshi pak, uli kokën me modestinë e tij karakteristike duke thënë:

– Hë mo, se punën po bëj! Ta dish ti sa i pakënaqur jam unë me vetveten, se më duket sikur nuk po bëj ndonjë gjë, se s’po i realizoj dot projektet që kam pasur e kam në kokë!

– E po e mban mend si na thoshe në kohën e studentllëkut se “s’ka krijim pa një skepticizëm të arsyeshëm”?

 – Po tha, më kujtohet shpesh, si nuk më kujtohet, pasioni që kisha për filozofinë dhe kur u thosha, se ju kam zili që do ta studioni filozofi për pesë vjet! 

– Dritëroi, përveçse një shkrimtar i shquar, ka qenë edhe shumë i angazhuar në politikë…

– Befasues dhe i mprehtë ka qenë Dritëroi në kritikat e veta edhe në nivelet e larta të politikës. Përfshi dhe të krahut të vet. Po ndalem shkurt në dy – tre raste konkrete.

Në qershor të vitit 1991 u mblodh kongresi i 10-të i PPSH-së. Priteshin ndryshime të thella. Ndërkaq, R. Alia u kishte thënë byroistëve se “nuk do të ketë asgjë të veçantë, por vetëm riciklim”! Ishte Dritëroi me diskutimin e tij kritik nga fillimi në fund, pa përjashtuar as figurën e Enver Hoxhës, i pasuar nga diskutime të tjera intelektualësh të njohur, që ndërroi rrjedhën e punimeve të Kongresit duke çuar drejt mbylljes së kapitullit të PPSH-së.

Diskutimi i Dritëroit, i shoqëruar me britma dhe anatemime nga kongresistë fanatikë, pati efektin e një bombe të fuqishme. Si tani e kujtoj shkrimtarin e madh në podium në rolin e politikanit të guximshëm, që pasi argumentoi dështimin e Partisë shtet, ruajti gjakftohtësinë, priti pak sa u bë pak qetësi për të lëshuar “bombën” tjetër: “Me këtë që po demonstroni këtu, tregoni se ju nuk mund të reformoheni”! Zhurma dhe britmat arritën nivele të tilla që çuan në ndërprerjen e seancës… Në hollin e Pallatit të Kongreseve delegatët nuk guxonin as t’i afroheshin. Pashë që e takuan vetëm Moikom Zeqo, Qamil Buxheli e ndonjë tjetër, që po ashtu bënë në Kongres diskutime kritike shumë të mira …

Iu afrova edhe unë me një lloj ndrojtjeje Dritëroit, që ndihej i zhgënjyer, paksa i hutuar, por i inatosur shoqëruar me ndonjë sharje “babanarçe”. Duke më dhënë dorën pak si me përtim, shpërtheu në çast: 

– Ramizi është i poshtër! Nuk ka më keq se një burrë që nuk mban fjalën dhe është dredharak. Ne, disa nismëtarëve siç na quante ai, na thoshte ndryshe, kurse nga ana tjetër kishte bërë skenarin për shpërthimin e histerizmit në sallë, që u orkestrua nga Nexhmija!

Për ta qetësuar i thashë:

– Mos u mërzit, ti ishe në nivelin për të hyrë dhe për të mbetur në histori… Na inkurajove!  Mbas dite do të flas edhe unë për të propozuar një parti me emrin Partia Socialiste e Shqipërisë.

Diskutova vërtet mbasdite, pati ca britma kur thashë se “nuk na duhet thjesht një ndërrim tabele, por një parti e re me program social-demokrat dhe me emrin PSSH”! Por goditjet kryesore i kishte tërhequr mbi vete Dritëro Agolli. Shumica e delegatëve, tashmë, e kishin marrë të qartë mesazhin: kapitulli i PPSH, i partisë- shtet duhej mbyllur një orë e më parë”! Jo rastësisht emri i Dritëroit ishte në krye të listës së antarëve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, i cili me unanimitet e zgjodhi anëtar të kryesisë.

Mbas kësaj, nga pozitat e Zv/ kryetarit të PSSH-së, mund të dëshmoj edhe më konkretisht për politikanin Dritëro, për pjekurinë e tij politike dhe rolin që lojti në gjithë procesin e vështirë të  reformimimit të Partisë Socialiste nëpërmjet kontakteve të shumta dhe entuziaste në rrethet e ndryshme të vendit, ku pritej e duartrokitej gjatë. Me qartësinë e tij politike, me gjuhën e thjeshtë, të pasur me fjalë të urta e matafora të goditura, inkurajonte anëtarësinë dhe hidhte poshtë me argumenta të shumta propagandën bajate të kundërshtarëve tanë politikë, që vazhdonin të deklaronin gjithë pompozitet, se Partia Socialiste ishte PPSH me emër tjetër. Në takime të tilla Dritëroi kishte qejf të përsëriste thënien lapidare: “Gabimi i një doktori varroset në tokë; gabimi i një arqitekti rrëzohet mbi tokë; kurse gabimi i një politikani, ecën nëpër tokë”!

– Cili ka qenë në të vërtetë roli i tij në reformimin e Partisë Socialiste?

– Roli i tij si politikan me përvojë e shpirt reformues u shfaq veçanërisht në parlament, ku në legjislaturën i parë të pas vitit 1992 PSSH kishte vetëm 38 deputetë dhe ishte në opozitë përballë një revanshizmi “demokratik”! Rrallë herë mungonte në seancat parlamentare, apo që të mos diskutonte në debatet parlamentare, veçanërisht kur bëhej fjalë për çështje të rëndësishme. Fjala e tij e qetë, edhe kur ishte i indinjuar, metaforat goditëse që rridhnin pa vështirësi nga goja e tij, bënin që të dëgjohej me vëmendje edhe nga kundërshtarët politikë. Ali Spahia, kryetar i grupit parlamentar të PD-së interesohej në sekretari, nëse do të flasë apo jo Dritëroi.

Një ditë para një debati për votëbesimin e qeverisë Meksi, kur ai vinte vërdallë për të parë nëse ishte apo jo Dritëroi në séancë, i them me të qeshur: “nuk është sot, është jashtë”. Ali Spahia, si rrallë herë i hapur, m’u përgjigj: “Sa shumë i ngjit fjala atij njeriu. Ah, të kishim dhe ne një Dritëro”! Në librin “Teshtimat e lirisë” (1997), lexuesi mund të gjejë me lehtësi një pjesë të idealit të tij politik, të mbrojtur prej tij në Kuvend dhe në çdo mjedis tjetër. Ai ishte dhe mbeti i majtë, por asnjëherë fanatik! 

Në PS, si dhe në çdo parti, ka dallime, mendime ndryshe, pse jo dhe interesa meskine klanesh e grupacionesh, ambicje për poste etj. Dritëroi ka qenë shpesh nën trysni arrivistësh. Por, ai si një politikan largpamës ngrihej mbi intresa të tilla; në fillim kshillonte, ndihmonte pa as më të voglën mburrjeje për kapërximin e ndjesive negativiste e arrivste, që duke u grumbulluar mund të shkatërrojnë çdo formacion politik, sado i fortë  të duket nga jashtë. Prandaj Dritëroi kur shihte “maisjen e gjendjes” në PS, nuk nguronte ta thoshte hapur në forume apo publikisht mendimin e vet kritik, emancipues e  dashamirës. Po sjell dy raste konkrete nga raportet e Dritëroit me Nanon, të cilin siç dihet e mbështetëm pa rezerva, sidomos gjatë “kohës së burgut”.

Veçse, kur Nano pas farsës zgjedhore të 26 majit 1996, në fillim të korrikut shpërtheu të ashtuquajturën “Lëvizje për ndryshim”,  sulmoi drejtuesit kryesorë të PS-së dhe vetë Partinë e quajti “kënetë”, Dritëroit iu sos durimi. Me një letër të gjatë të botuar në “Zëri i popullit”, Nano nga burgu i kërkonte mbështetjen Dritëroit për mocionin “Lëvizje për ndryshim”. E vija re që mëdyshej për t’u përgjigjur, se fillimisht e quante “lajthitje nga burgu”. Por në Kongresin e dytë të PSSH-së(26 gusht,1996), kur nga shumica e delegatëve pritej mendimi i tij, Dritëroi pas leximit të “Raportit të dytë”, shkruar nga “Demkat” e Fatosit, bëri ndërhyrjen  më fantastike që mund të bëhej. Arsyetimi ishte i thjeshtë:

-“Po mirë mo Fatos, Partia jonë qenka kënetë, por nga kjo del, se ti që thua se e drejton atë nga burgu, të jesh një buf kënete”! Duartrokitje të zgjatura. F. Nano mori kështu një përgjigje të urtë, metaforike që nuk mund të harrohet, as nga ata që e dëgjuan drejtpërdrejt në sallën e Kongresit të dytë në atë ditë të nxehtë gushti, as nga historianët që një ditë do të shkruajnë historinë e PSSH-së.

Rasti i dytë, ka të bëjë me Nanon kryeministër, që si të gjithë ne pati mbështetjen e plotë edhe të deputetit Dritëro Agolli. Ndërkaq, kryeministri ynë u “dashurua” keq pas pushtetit dhe konceptit të meritokracisë duke e përdoruar atë vend e pa vend për të lavdëruar qeverisjen e vet. Dritëroi në një artikull të posaçëm nuk nguroi që këtë lloj meritokracie ta quante shkërthatokraci. Një neologjizëm që po ashtu nuk mund të harrohet, sepse ka hyrë në përdorimin e përgjithshëm me konotacion sarkastik!

Ky ishte politikani Dritëro Agolli! Model edhe për sot, kur na mungon ndjeshëm!

– Profesor faleminderit për këtë rrëfim.

– Faleminderit juve!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here