Historia e kombit shqiptar është e lashtë dhe e lavdishme. Kjo histori është përplot figura të ndritshme të cilat kanë dhënë çdo gjë për një ideal të vetëm të shenjtë: lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar. Në mesin e këtyre patriotëve të mëdhenj të kombit vend të veçantë zë edhe patrioti, ideatori dhe komandanti i shquar ushtarak shqiptar Jakup Ferri nga Plava. Edhe pse kjo figurë e ndritur  historike ka rënë në harresë,  dua të them se Jakup Ferri nuk mund assesi të harrohet sepse veprat e tij janë të shumta dhe te paharrueshme, jo vetëm për ne shqiptarët,  por edhe për armiqtë e përbetuar të kombit tonë, sidomos për malazezët dhe osmanët. Të bëmat e tij janë tipike për një hero dhe një figurë historike të cilën duhet vlerësuar për veprat dhe për kontributin e tij të paçmueshëm. Te dashur lexues ju që gjeni kohë për t’ia lëshuar një sy këtij shkrimi dhe të njiheni me këtë figure të jashtëzakonshme shqiptare më duhet ta nënvizoj faktin se për veprat, jetën dhe kontributin  e tij atdhetar e ushtarak ka dokumente edhe në gjuhen italiane të cilat janë të arkivuara e mirë te siguruara nga ana e autoriteteve Italiane. Dokumentimi i jetës se Jakup Ferrit në arkivat Italiane e bënë këtë figurë historike madhore dhe meritore për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar pra dëshmojnë që kemi të bëjmë me një figurë që ka merita të pamohueshme , respektivisht me një figurë që nuk ka lënë hapësirë e mundësi që të vihet në dyshim prejardhja e tij dhe qëllimet që i kishte ai. Me këtë rast Ju njoftojmë me një historik të shkurtër e të thjeshtë,  por shumë domethënës për ata që kuptojnë,  sepse të shkruash dhe ti numërosh të gjitha të bëmat e veprimtarinë e gjërë të kësaj figure të çmuar historike nuk mjafton as një jetë e terë. Prandaj  Ju njoftojmë me disa të dhëna nga dokumentet që ruhen nëpër arkivat italiane. Ne një dokument në gjuhën italiane të siguruar nga unë personalisht, jeta e Jakup Ferrit dhe veprimtaria e tij ndahet në tri pjesë kryesore të cilat do i shtjelloj në vazhdim.

Jeta: Jakup Ferri (1832 – 1880) ka qenë luftëtar nga qyteti i Plavës dhe udhëheqës ushtarak popullor i forcave vullnetare shqiptare.

Jakupi ka qenë pjesëmarrës aktiv në lëvizjen kryengritëse të viteve ‘60  të shekullit XIX kundër Tanzimatit në krahinën Plavë-Guci, si dhe në luftimet kundër orvatjeve të ushtrisë okupuese malazeze për ti pushtuar tokat shqiptare më 1874 e 1876.

Nga ky dokument,  nëse analizohet me vëmendje përmbajtja e tij, imponohen disa konkludime, por dy nga ato janë më të rëndësishme. sipas mendimit tim,  konkludimi i parë ka të bëjë me reformat e Tanzimatit.  Këto reforma kishin për qëllim zbutjen e tensioneve që ishin në rritje të popullit shqiptar kundër regjimit të Perandorisë Osmane ndaj shqiptarëve. Sipas dokumenteve nga arkivat shtetërore Italiane duket se shqiptarët kishin filluar ti pranonin nga pak këto reforma për dy arsye: për t’u lehtësuar jetën vëllezërve të tyre të krishterë dhe për arsye se populli nuk kishte forcë reale qe t’iu kundërvihej pa ndihmën e fuqive të mëdha evropiane. Disa nga intelektualët kishin bërë thirrje për revoltë por vetë nuk donin ti udhëhiqnin kryengritjet, ndërsa ca të tjerë ishin shitur me para dhe për tituj larte perandorak që iu ishin premtuar në Turqi e në Shqipëri. Dokumentet tona dëshmojnë se pjesa më e madhe e popullit shqiptar ishte kundër këtyre reformave për arsye se konsideronin se  çdo gjë që vjen nga pushtuesi është e papranueshme .

Aktiviteti politik shqiptar ishte duke dhënë sinjale të dobëta reflektimi. Në këto  ngjarje ishin të përfshirë edhe njerëz të cilët iu kundërviheshin me forcë këtij regjimi. Në mesin e tyre dallohej Jakup Ferri, për nga emri një shqiptar mysliman i rëndomtë, por siç duket feja dhe pozita nuk çonte shumë peshë për te,  në krahasim me atdheun dhe me popullin shqiptar. Jakupi me bashkëluftëtarë me një ser kryengritje dhe revoltash i kishte larguar shumë formacione turke nga trojet e Plavës e Gucisë.

Vepra: Jakup Ferri kishte shkathtësi të duhura të një gjenerali ushtarak, por kishte edhe tipare të një tribuni (lideri) popullor. Në tekstin e dokumentit në fjalë paralajmërohet pushteti në Romë se ekziston mundësia që Jakup Ferri mund të merrë pjesë në aktivitete politike të cilat mund ta cenojnë edhe stabilitetin tonë  mbarevropianë dhe se  parashihet që kryengritja e tij mund të shndërrohet në lëvizje politiko-ushtarake.

Ne kohën e Jakup Ferrit shqiptaret e Malësisë qëndronin fort të lidhur me njëri tjetrin sepse në shumë kuvende të asaj kohe Jakup Ferri potenconte vetëm një frazë të vetme: “Shqiptarëve ju duhet o sot o kurrë bashkimi ushtarak politik  në një rrugë të vetme drejt pavarësisë e bashkimit’’

Sipas dokumenteve në arkiva pushteti Italiania kishte frikë nga kjo figurë, sepse ato potenconin: Jakup Ferri nuk është duke ndjekur rrugën tonë e as atë osmane dhe nuk dihet cili është orientimi i tij’’

Kjo e nxjerrë figurën e Jakup Ferrit si figurë më të pastër e të paanshme, respektivisht si një personalitet i cili nuk ishte i ndikuar nga askush,  e të tillë në atë kohë kishte tejet pak. Jakup Ferri kishte një qellim të vetëm-mbrojtjen e identitetit te tij kombëtar.

Siç duket parashikimet Italiane kishin rezultuar si të sakta për të mirë në këtë rast .Jakup Ferri ka marrë pjesë aktive në të gjitha  lëvizjet e mëdha politike e ushtarake te asaj kohe: Jakup Ferri ka qenë pjesëmarrës i  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe anëtar i Komitetit të Lidhjes për Plavën e po ashtu ishte një nga organizatorët dhe pjesëmarrës në aksionin e Gjakovës në shtator të vitit 1878, që përfundoi me vrasjen e Mehmet Ali Pashë Maxharrit..

Jakupi udhëhoqi personalisht forcat vullnetare mbrojtëse shqiptare më 4 dhjetor 1879 në betejat e Velikës dhe në afërsi të Nokshiqit ku edhe u vra në luftimet kundër trupave të ushtrisë së rregulltë malazeze.

Reflektimi: Jakup Ferri është i vetmi personalitet i historisë shqiptare për të cilin nuk është bërë sa duhet në krahasim me veprën  dhe kontributin e tij : as një rruge as një studim i mirëfilltë as një mirënjohje as dekoratë nuk i është dhënë familjes së këtij vigani historik. Flasim kështu sepse nipërit e familjarët e afërtë janë gjallë edhe sot e të njohur në shumë fusha të shoqërisë kosovare e mbarëshqiptare. Po e përfundoj  këtë shkrim me një mendim timin personal: ’’Historia e shqiptarëve të sotëm  duhet patjetër të rishikohet e të rishkruhet e jo te ndryshohet‘’. Po mendojmë se i rëndësishëm ishte viti 1912 mirëpo po ia humbim vlerën e rrugës që ndoqëm si popull për të arritur prej krijimit të popullit shqiptar,  që është një kohë e gjatë e synimeve drejt  pavarësisë. Kjo kohë është arritur me kontributin e figurave të ndritshme shqiptare,  e për mendimin tim, dhe jo vetëm për mua,  nga viti 1832-1880 figura më sublime e popullit shqiptar ka qenë Jakup Ferri. Ky atdhetar patriot i kohës së vet vdiq ne betejë e jo me kokë në jastëk dhe  vdiq për të vetmin qellim -dëbimin e armiqëve nga trojet e tij stërgjyshor dhe mbrojtjen e mbarë shqiptarisë. .

Në ditët e sotme akademikët dhe historianët tanë, me raste të shënimit të pavarësisë duhet që në veprat e studimet e tyre të përmendin emrin e këtij heroi. Po ashtu duhet të shënohen  përvjetorët e rënies së tij heroike me akademi përkujtimore e orë letrare për veprën dhe kontributin e tij. Jam i mendimit që duhet të ketë edhe një çmim me emrin e tij dhe t’iu ipet njerzëve të dalluar në fusha të ndryshme, veçanërisht  policëve e ushtarëve të devotshëm edhe njerëzve te mençur sepse i tillë ishte vetë Jakup Ferri. Vlerat e tij ia vlerësuan bashkohanikët e tij sepse ata i mbrojti, por vlerat e tij i njohën asokohe edhe shtetet fqinje  dhe e gjithë bota e civilizuar e ne nuk i njohim dhe nuk i vlerësojmë, por shpresojmë që do vinë ditët më të mira kur njerëzit e merituar do të zënë  vendin e merituar! Nga: Hamit Shala

Jakup Ferri është në të majtë, ai i gjati pranë flamurit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here