Ilirjan Gjika*
Pak kohë më parë me disa miq të mi intelektualë zhvilluam prezantimin e librit te Historianit të njohur. Pëllumb Xhufi, të titulluar: ”Nga Paleologët tek Muzakaj”. Në këtë aktivitet ku nuk mungoi edhe autori, u shpalosën ide interesante dhe u diskutuan probleme të rëndësishme të kësaj vepre madhore për historinë e Shqipërisë Mesjetare.
Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se ne te çertifikohet historia e qyteteve tona si: Vlora, Berati dhe familjeve fisnike Shqiptare të Muzakajve, Gropajve, Matrengëve, etj. Midis morisë së problemeve Prof. Xhufi trajton edhe kronikën e Gjon Muzakës duke i bërë asaj dhe një kodifikim kritik. Për here të parë ai shpjegon sesi u zbulua ajo, në ç’formë u publikua, si erdhi në Shqipëri dhe ç’qëndrim mbajtën studjuesit ndaj saj. Ja se ç’thotë në librin e tij historiani i njohur, kur për here të parë tregohet si u zbulua ky dorëshkrim. Kronika e Gjon Muzakës u gjet në shtëpinë e sekretarit mbretëror në Napoli, Skipion Volpiçelës nga Karl Hopf, historian Gjerman, i cili për ta vlerësuar atë ja dorëzoi albanologurt Georg Hann si njeri kompetent në fushën e historisë për ta publikuar në botën shkencore. Hanni, duke mos njohur Shqipërinë nga afër ja dha një kopje Doktor Auerbahut, Konsullit Austro-Hungarez në Vlorë, njeri i apasionuar pas historisë dhe arkeologjisë. Më pas kronika ra në duart e Peshkopit të Beratit Anthim Aleksudhit, i cili e dorëzoi në vitin 1885 në Bibliotekën Kombëtare të Athinës. Që këtej kopja erdhi në Shqipëri ku u pasua nga botime dhe ribotime të ndryshme, ndërsa botimi i parë i saj u bë në vitin 1813. Ndërkohë që këtu fillojnë përsëri problemet Shqiptare të cilat do të përpiqemi ti sqarojmë më poshtë.
Në librin në fjalë të botuar në Itali në vitet 1508-1510 nga Princi Gjon Muzaka, thuhet se: ”Pal Kastrioti zotëronte në Mat dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm”. Këtë fakt të çuditshëm që Muzaka e citon në librin e tij ne e kostatojmë si kontradiktor, sepse Sinja dhe Gardhi i poshtëm nuk gjenden në Mat, por sot ato përfshihen në Dibër. Për këtë të dhënë por edhe për fakte të tjera të tilla Gjon Muzaka është vënë nën shënjëstrën e akuzave të studjuesve të historisë. Kronikën e tij, Babingeri e quan si material me të dhëna të rreme. Ndërsa Dyselie thekson se ai është një material me të dhëna konfuze.
Ndërkohë për të gjykuar origjinën regjionale Shqiptare të Kastriotëve, historianët e shkollës Gjermane si Thalloczy, Jireçek dhe Shuflai e gjykuan të saktë idenë se Kastriotët ishin nga Mati. Le të citojmë Milan Shuflain i cili në faqen 31 të librit ”Serbët dhe Shqiptarët” thotë: Gjergj Kastrioti është pjella më e shkëlqyer e kësaj përzgjedhjeje të vdekur, luftëtari më i tmerrshëm të cilin e krijoi lufta e Europës me Turqit. Europa perëndimore e mbuloi atë me legjendë ende sa ishte gjallë. Bestytnia mbi fuqinë e tij të mbinatyrshme e bëri armikun turk që të humbte besimin në fat. Fantasia e popujve të Ballkanit, të cilët të shtypur nga të pafetë krijoi nga Skënderbeu heroin e këngëve dhe të rrëfimeve të tyre. Shqiptarët këndonin deri në shekullin e XVII, madje dhe në prani të turqve këngë për Skënderbeun, Emri i tij është ruajtur edhe sot e kësaj dite në Mat si dhe ndër disa fusha, duke filluar nga Fandi deri në Pukë dhe ndër shpella, prej të cilave njëra mban emrin Gjurma e kalit të Skënderbeut.
Ndërsa në një tjetër pasazh të po këtij libri në faqen 27, Shuflai duke ju referuar Jireçekut dhe Thalloczy-t thotë: Në një kartë sërbe të sundimtarit të Vlorës dhe Kaninës, Aleksandrit të birit të despotit Jovan përmendet (1366) qefalia i Kaninës Kastrioti. Ai mori nga Balsha i II-të aty nga viti 1383 dy fshatra në Shqipërinë e mesme në Mat.
Pra është i qartë pohimi i tre emrave autoritare të historografisë se Kastriotët janë nga Shqipëria e mesme pikërisht nga Mati. Por le ti kthehemi përsëri Muzakës. Përse ai thekson se Pal Kastrioti zotëronte në Mat dy fshatra Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm!.
Ne qofte se do të bëjmë një analize të thjeshtë na del se në kohën e Gjon Muzakës në shekullin e XV Mati kishte shtrirje më të gjerë deri në Korab, duke futur brenda tij edhe luginën e Drinit të zi, ku shtriheshin Sinja dhe Gardhi. Ose Muzaka në mënyrë të qëllimshme dhe dashakeqe thotë se Kastriotët janë nga Mati, por thekson se ata zotërojnë në të dy fshatra të cilat rezultojnë se ndodhen sot në Dibër, siç është rasti i Sinjës dhe Gardhit. Pra duket se hipoteza se Dibra e mirëfilltë shtrihej përtej kufijve të sotëm krahinore është e vërtetë dhe se territori ku shtriheshin dikur Sinja dhe Gardhi mesjetar i përkiste dikur Matit. Mos ndoshta Muzaka ka vërtet të drejtë, sepse i ati i heroit Gjoni dhe vetë Skënderbeu mbanin titujt Princa të Matit. Megjithatë le të vazhdojmë ta trajtojmë Muzakën përsëri në mënyrë Kritike.
Vetë Muzaka në një pasazh të Kronikës nuk e fsheh inatin që ka me burrin e kushërirës, Skënderbeun, kur e akuzon se i ka marrë Myzeqenë e vogël dhe Beratin me forcë.
Gjithashtu në antitezë me origjinën e Kastriotëve, ai bën një tjetër gafë, duke e nxjerrë origjinën e familjes Muzaka nga Perandorët e Kostandinopojës, një sajesë tepër të hiperbolizuar.
Pra Gjon Muzaka në mënyrë apriori dëshmon se: Pal Kastrioti i kishte zotërimet në Mat, por sikur të mos mjaftonte kjo gjë në Kronikën e Muzakajve do të ndodhnin çudi të tjera. Në botimin e saj të bërë në kohën e Shqipërisë socialiste një dorë specialisti e hoqi termin Mat. Pra, nëqoftë se Muzaka shkroi se Pal Kastrioti zotëronte në Mat Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm, në botimin e monizmit doli pasazhi se Pal Kastrioti zotërone dy fshatra Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm. Këto dy të fshatra ndodhen në Dibër dhe duke u nisur nga ky “fakt” i fallsifikuar në vitin 1974 doli teza se Kastriotët ishin nga Dibra.
Në Shqipërinë e asaj kohe kur historia shkruhej me urdhër nga lart dhe kur vlerësoheshin si figura të historisë kombëtare qe nuk ishin te tilla si p.sh Haxhi Qamili, nuk ishte e vështirë që Skënderbeut ti ndërrohej origjina, nga Matjane në Dibrane. Fundja ndonjë gjë e madhe nuk ishte, sepse ai përsëri Shqiptar mbetej. Megjithëse ai kurrë nuk u quajt Dibrani, sepse nuk ishte prej Dibrës. Me këtë llagap quhej një tjetër figure e shquar e luftës Shqiptaro-Turke të shekullit të XV, Moisiu i Dibrës ose Moisi Dibrani bashkëluftëtari i Skënderbeut dhe një nga miqtë e tij të afërm, Moisi Golemi. Pra nuk ka dyshim që ndryshimi i këtij fakti i interesonet klanit të Dibrës, e cila në raport me krahinat rreth saj nuk kishte nxjerrë një figure historike të një rangu të tillë. Kështu piknisje ishte kronika e Gjon Muzakës, për të vazhduar më pas me toponime dhe legjenda, për Skënderbeun të cilat nuk mungojnë në ish territoret e Principatës së Kastriotëve si në Mat, Krujë, Dibër, etj.
Tek Vepra e Prof. Pëllumb Xhufit ”Nga Palelogët tek Muzakaj” vëmë re se në pjesën e fundit të saj botohet në dy gjuhë Italisht dhe Shqip, Kroniken e Gjon Muzakës, autori e komenton duke bërë sqarime të rëndësishme dhe me shumë vlera. Por edhe aty në faqen 454 nuk citohet fjalia origjinale e shkruar nga despoti Gjon Muzaka ”Se Gjyshi i Skënderbeut quhej Pal Kastrioti dhe ky zotëronte në Mat dy katunde që quheshin Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm”, por edhe këtu mungon termi Mat. Kjo gjë jo për faj të P. Xhufit, por për shkaqet e mësipërme ku qellimisht është hequr emri i Matit. Për ta ilustruar këtë gjë po japim një shembull tjetër. Në librin e tij të botur së fundmi në Shqipëri Antalogji Historike, albanologu dhe Politikani Mustafa Kruja, rrëfen pa dashje të vërtetën. Në kapitullin e XII, të titulluar ”Beteja e parë e fushë Kosovës dhe arbëreshët”, megjithëse ithtar i tezës se Kastriotët ishin nga Dibra, kjo figure e shquar e Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX-të, na bën një shërbim të shquar duke cituar tekstin autentik të kronikës të botimit të parë të Hopfit, botuar në Berlin në vitin 1875 në të cilin thuhet se Gjyshi i Skënderbeut zotëronte në Mat dy fshatra: Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm.
Pra Muzaka i ngratë që vdiq në ekzil pavarësisht se çfarë shkroi, në fillim të deklaratës së tij pranon që Kastriotët janë nga Mati. Kështu me dashje ose pa dashje shkojmë përsëri tek e dhëna e Barletit se Kastriotët ishin nga një derë fisnike nga Mati.
Këtij fakti ju bashkuan edhe historianët dhe albanologët Hopf, Hann, Jireçek, Thalloczy dhe Shuflai, të cilët duke gjykuar në mënyrë të drejtë kronikën në fjalë pohuan me mënyrë të drejtë se Kastriotët ishin nga Mati.
Kjo derë e shquar që nxorri Gjon Kastriotin zotërues së një pjese të Shqipërisë, Gjergj Kastriotin heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjonin, Dukë i Shën Pjetrit të Galantinës në Mbretërinë e Napolit, Don Ferrante Kastriotin e të tjerë personalitete, nuk ishe një derë dosido që zotëronte vetëm dy katunde në periferi të Shqipërisë. Këtu nis edhe një nga dyshimet e forta mbi kronikën e Muzakës, faktet e së cilës janë jo vetëm në kontraditë me njëra tjetrën, por duan një kodifikim më të thellë për të arritur tek e vërteta e pa mohueshme se Kastritotët janë nga Mati.
- Historian