Nga Hasan Bello
Në fjalën e hapjes së Parlamentit të parë osman sulltan Abdylhamidi II (1876-1909) premtoi se në kuadër të reformave që do të realizonte do të hapte edhe një shkollë për përgatitjen e nënpunësve e kuadrove të lartë të shtetit osman dhe se brenda një viti do të sillte në Parlament një rregullore të re mbi arsimin.
Në diskutimet që u zhvilluan në Parlament lidhur me legjislacionin e vilajeteve dhe bashkive u vu re se zbatimi i këtyre ligjeve ishte i kushtëzuar nga nënpunësit e shkolluar dhe nga populli që dinte shkrim e këndim. Këto diskutime nxorrën në pah gjendjen e mjeruar që ekzistonte në mbarë Perandorinë Osmane. Deputeti i Ajdënit, Ahmet Efendiu, ngriti shqetësimin se në zonën e tij, me përjashtim të imamëve, nuk kishte njerëz që dinin të lexonin.
Një diskutim po aq të zjarrtë lidhur me këtë problem, më 14 janar 1878, mbajti me cilësinë e deputetit të Janinës edhe Abdyl bej Frashëri.
Ai e filloi diskutimin e tij duke shtruar pyetjen: “Cili është vallë shkaku i prapambetjes dhe i moszhvillimit të Perandorisë Osmane, i mbarë viseve që ajo zotëron në Europë, në Azi dhe në Afrikë?
Sipas disa hamendësive tre janë shkaqet kryesore: shkaku i parë është injoranca, shkaku i dytë despotizmi dhe shkaku i tretë është paaftësia e funksionarëve që ndodhen në krye të punëve, të cilët merren ose me argëtime ose me kotësira, por aspak me përparimin e shtetit dhe të kombit”.
Abdyl Frashëri mbajti një qëndrim kritik, sidomos ndaj mos zbatimit siç duhej të reformave të Tanzimatit (1839) të nisura nga sulltan Abdylmexhidi lidhur me përmirësimin e arsimit.
Sipas tij, baza e një shteti dhe e një populli ishte arsimi, ligjet e drejta dhe zbatuesit e tyre. Por këto tre elementë në Perandorinë Osmane ishin të mangëta.
“Që shteti osman të qytetërohet,-vazhdoi më tej ai,-është detyrë parësore që një orë e më parë të përqëndrohet në zgjidhjen e tre shkaqeve të mësipërme. Çdo begati dhe lulëzim që ka lidhje me qytetërimin është arritur me anë të arsimit.
Pa arsim, asnjë popull nuk ka përparuar, por ka rënë poshtë nga dita në ditë derisa më në fund është ballafaquar me gjithfarë fatkeqësish. Që na mungon arsimi, dhe në fakt na mungon shumë, besoj se të gjithë jemi në gjendje ta vërtetoni.
Në këtë fushë, jo vetëm nuk është bërë sa duhet, por nuk është bërë asnjë grime përpjekje…Përveç disa medreseve të zakonshme, çfar shkollash të tjera kemi në popull? Disa kohë më parë u hap një universitet, por ende pa filluar mirë edhe ai u mbyll. Pastaj u hap Liceu i Gallatasaraj, por edhe kësaj shkolle ende nuk ia kemi parë frytet.
Po në provinca si është gjendja? Përveç disa qyteteve që kanë shkolla plotore, ku mësimet zhvillohen pa plan dhe pa program, në qytetet e tjera dhe sidomos në fshatra nuk ka jo vetëm plotore por as fillore, madje as foshnjore.
Edhe pse nuk e njoh Anadollin mendoj se atje nuk ka ndonjë dallim nga Rumelia ose, për shembull, nga Shqipëria, ku nuk ka shkolla në asnjë fshat…Nëse banorit fatkeq të këtyre viseve do t`i kërkohet një dokument me shkrim, ai nuk është në gjendje, për shkak të mos arsimimit, të paraqesë asgjë tjetër përveç letërnjoftimit. Të kemi mëshirë…Si do të qytetërohemi me këtë padituri? Si do të përparojmë?
Kur do të zgjohemi nga ky gjumë i rëndë shekullor? Pastaj, përveç dy shkollave për vajza që janë hapur tani vonë në Stamboll, në provinca nuk ka asnjë shkollë për to. Çfar të bëjmë? Mos duhet t`i përzemë gratë nga rendi shoqëror?
Ne duhet të interesohemi edhe për edukimin e tyre. Nuk duhet të harrojmë se edukata e burrave është në varësi të edukatës së vajzave. Në qoftëse nëna është e paditur, ju e kuptoni se në ç`shkallë të ulët do të mbetet fëmija pa edukatë, pa moral, pa karakter.”
Për të përmirësuar dhe zgjeruar sistemin arsimor, Abdyl beu propozoi që të merreshin këto masa emergjente: në medresetë dhe shkollat ekzistuese të ndryshohej metodologjia e mësimdhënies dhe kategorizimi i tyre; në çdo fshat të hapeshin shkolla fillore dhe të ciklit të ndërmjetëm për djem e për vajza; në çdo qendër vilajeti të hapej nga një shkollë e mesme (idadije); në Stamboll të themelohej një universitet ku nën shembullin e vendeve europiane të kishte nga një degë për çdo shkencë; për t`i shërbyer akoma më mirë nevojave të arsimit të themelohej një Akademi.
Ai e mbylli fjalën duke kërkuar që këto masa emergjente për arsimin, të mos liheshin për vitin tjetër, por një orë e më parë të silleshin në Parlament për t`u miratuar.
Gjatë kohës që Abdyl beu mbante diskutimin, disa deputetë që nuk e kuptonin siç duhej këtë problem, në shenjë refuzimi kishin braktisur sallën, ndërsa shumica e të pranishme e duartrokiti fort në shenjë miratimi.
Sadi efendiu, deputeti i Halepit (Siri), vuri në dukje se fjalimi i Abdyl beut duhej rregulluar dhe plotësuar në disa vende, sidomos në lidhje me viset e Anadollit, për të cilat, sipas tij, Abdyli beu nuk kishte thënë asnjë fjalë. “Ndoshta nuk më dëgjuat me kujdes,-ndërhyri Abdyli,-nuk fola për anën e Anadollit mbasi nuk e njoh aq mirë, kurse Rumelinë, sidomos Shqipërinë, e njoh fare mirë. Ajo është më poshtë se errësira”.
Ndërsa kryetari i Parlamentit, Ahmet Vefik Pasha për të zbutuar situatën, meqenëse në sallë ishin të pranishëm edhe përgjegjësit e vërtetë të kësaj gjendjeje theksoi se, shpirti i një kombi ishte arsimi dhe komentoi se qëllimi i Abdyl beut ishte nxjerrja në e pah e mangësive të sistemit arsimor dhe jo mohimi tërësor i tij. Ai i kërkoi Abdyl beut që diskutimin, i cili kishte sipas tij, pamjen e një parashtrese, t`ia dorëzonte komisionit të posaçëm të çështjeve arsimore.
“Dakord,-iu përgjigj ai, e pastaj shtoi,-Do të jetë mirë sikur atë ta shqyrtojnë njerëz të aftë. Besoj, se midis anëtarëve të komisionit ka njerëz të tillë.
Pakujdesia nganjëherë është më e keqe se padituria, prandaj ne nuk përparojmë. Se nga anon më tepër burimi i së keqes sonë, nga paaftësia apo nga padituria, kjo nuk dihet. Megjithatë, nga çdo anë që të peshojë, për ne është njësoj”.
Kësaj çështjeje Abdyl beu iu rikthye edhe një herë në diskutimin që ai mbajti mbas dhjetë ditësh. Kështu, më 24 janar 1878 kur iu desh të mbronte parashtresën që kishte mbajtur një ditë më parë deputeti shqiptar Mehmed Ali Vrioni lidhur me organizimin e vilajeteve, zërave kundërshtues ai iu drejtua me këto fjalë: “Do t`u jap një përgjigje diskutantëve që kundërshtuan Mehmed Aliun. Ata nuk pranojnë se ne jemi të paditur.
Ne, pohojnë ata, jemi me qytetërim të përkryer, ne jemi një popull që kemi dalë nga kombi arab. Natyrisht ne jemi të qytetëruar, dhe ashtu siç e morëm ne qytetërimin nga grekët e lashtë, ashtu edhe europianët e morën qytetërimin nga ne, me ndryshimin se ata e morën në një mënyrë të tillë sa nuk na lanë ne asgjë. Ne kemi mësuar histori dhe e dimë se si ishte gjendja e kaluar e perandorisë dhe në ç`shkallë është sot.
Dje, foli Haxhi Ahmed Efendiu për mungesën e shkollave tek ne dhe për gjendjen e keqe të medreseve. Këto fjalë nuk i pranuan ato katër a pesë deputetë që po kundërshtojnë edhe sot Mehmed Aliun. Por fjalët që tha ai dje mbi arsimin dhe ato që thashë edhe unë disa ditë më parë, po i përsëris: te ne nuk ka asnjë shkollë që të jetë me të vërtetë shkollë”.
Kjo deklaratë ngjalli reagime në të forta në Parlament dhe bëri që disa deputetë të brohorisnin në formë kundërshtimi se shkolla kishte kudo. “Unë,-deklaroi Abdyl beu,-përkundrazi, po dëshmoj se nuk ka.
Edhe në Shqipëri edhe në Arabi nuk ka shkolla. Dikur, 600 vjet, madje edhe 1000 më parë, në Damask dhe në Bagdad, kishte shkolla ku mësoheshin shkencat, kurse tani nuk ka mbetur asgjë, sepse po të kishte shkolla për të qenë, nxënësit që dalin nga medresetë tona do të ishin në një nivel tjetër.
Të themi të drejtën, te ne nuk bëhet asnjë punë për të qenë. Çdo gjë që bëjmë ne, e bëjmë për provë, prandaj nuk shohim asnjë rezultat prej tyre. Ne duhet të heqim dorë nga kjo praktikë. Ne vetë nuk jemi në gjendje të realizojmë gjësendi. Në qoftëse duhen bërë reforma, duhet që ato sende që europianët i morën nga Azia dhe i përkryen, ne tani t`i marrim prej tyre dhe t`i zbatojmë në vendin tonë”.
Në një memorandum që Abdyl bej Frashëri i dërgoi sulltan Abdylhamidit II më 13 tetor 1880 mbi çështjen shqiptare, ndërmjet të tjerash trajtoheshin edhe tre problematika kryesore: pikëpamjet e tij mbi politikën e vendeve europiane ndaj Perandorisë Osmane dhe Shqipërisë; disa propozime lidhur me riorganizimin administrativ të vilajeteve shqiptare dhe bashkimin e tyre në një të vetëm; dhe disa sugjerime mbi çështjet e arsimit dhe gjuhës shqipe tek popullsia shqiptare.
Në memorandum Abdyl Frashëri ngrinte shqetësimin mbi rrezikun e madh që u kanosej shqiptarëve nga përhapja e shkollave të huaja, sidomos të atyre që ishin hapur nga shtetet ballkanike, të cilat përdornin gjuhën greke, sllave e latine dhe që shumë shpejt ndërmjet popullit shqiptar do të shkaktonin përçarje kombëtare, krahinore dhe fetare. Shkaku kryesor i kësaj situate, sipas tij, ishte mospasja e shkollave shqipe dhe mungesa e shkollave në përgjithësi tek popullsia myslimane.
Si rezultat, një pjesë e mirë, duke mos përfituar saç duhej nga shkollat ekzistuese kishte mbetur injorante, ndërsa pjesa tjetër ashtu si popullsia e krishterë për nevojat e saj sociale apo tregtare ishte e detyruar të mësonte greqisht, sllavisht, italisht apo ndonjë gjuhë tjetër.
Situata ishte e tillë saqë në Janinë popullsia duke mos përdorur gjuhën shqipe nga dita në ditë po e braktiste atë dhe po përdorte çdo ditë e më shumë gjuhën greke, ndërsa në Manastir, Kosovë dhe Shkodër numri i atyre që përdornin gjuhën sllave e italiane po vinte duke u rritur. Kështu, serbët, grekët dhe bullgarët bashkë me përhapjen e gjuhëve të tyre ishin duke përparuar drejt territoreve shqiptare.
Si zgjidhje të kësaj situate, Abdyl beu propozonte përdorimin dhe mësimin e gjuhës shqipe nëpër shkolla. Vetëm në këtë mënyrë, qoftë myslimanët qoftë të krishterët shqiptar krahas gjuhës së tyre do të mësonin edhe gjuhën osmane, që ishte gjuha zyrtare e shtetit. Ai bënte thirrje që sistemi arsimor të mos lihej në duart e të huajve; arsimimit nga shkollat e mësuesit e huaj t`i jepej fund dhe që Shqipëria të shpëtohej nga kjo gjendje.
Prapambetja e popullsisë myslimane për shkak të mos arsimimit, krahasuar kjo me popullsinë e krishterë, do të shoqërohej me një prapambetje edhe në fushën e tregtisë dhe industrisë, çka sipas tij do të prishte ekuilibrat e brendshëm dhe brenda pak vitesh do të bëhej shkak për trazira./abcnews/