Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Duke lexuar shënimet e mbajtura në vite, jo për qëllim botimi, thjeshtë për të mos harruar, po risjell ndonjërin prej tyre, si kureshtje njerëzore, për subjektet shqiptare në letërsinë botërore, zanafilla e të cilave na çon te Homeri i verbër nga grimcat e veprave e të cilit, si thotë Eskili, u krijuan të gjitha tragjeditë e lashta klasike.

1-Personazhi i parë ilir

Personazhi i parë ilir në letërsinë botërore është një luftëtar. Kjo nuk është e çuditshme. Ai quhet Kaon dhe është tek Iliada. Është një personazh tipik , i cili në Luftën e Trojës, së bashku me fiset e tjera dardane dhe ilire, ka ardhur nga Kaonia e Shqipërisë së Jugut.

Në dy epet madhështore të Homerit përmenden fiset dardane, të cilat luftuan në Trojë. Është interesant se ata luftuan në krah të trojanëve, me të cilët kishin marrëdhënie të shkëlqyera. Vetë trojanët ishin pjesë e fiseve dardane.

Në ILIADË (“ilias” / Ἰλιάς), sa mbaj mend, asnjëherë nuk përmendet emri  “grek”, ndërsa përmendet 24 herë emri “dardan”.

Kohë më parë kam lexuar një libër të shkëlqyer, “Tanagra” nga studiuesi i pasionuar, i saktë dhe tejet shkencor, Naim Laçej, që në thelbin e tij ka fisin ilir të Dardanëve.

II.

Në mesjetën e hershme, janë disa epose që përmendin Shqipërinë. Kështu, në Këngët e Rolandit, eposit të famshëm francez, përmenden vise shqiptare, toponime nga Shqipëria, si dhe ngjarje të mjegulluara historike, që janë bërë pjesë e këtij eposi.

Por, edhe para tyre, nga shkrimtarë gjenialë, si Virgjili, në eposin latin ” ENEIDA”, kënga e dytë i kushtohet udhëtimit të Eneut në qytetin e Butrintit, që heroit antik i kujton ndërtimin e dikurshëm të Trojës së shkatërruar, çka tregon se Butrinti ka qenë një qytet i hijshëm dhe hijerëndë në të njëjtën kohë.

Kënga e dytë e “ENEIDA” është teksti më i fuqishëm antik që zhvillohet në territorin shqiptar e ku të pranishëm janë vendet , peizazhi, qyteti, lëvizje njerëzore, takimi i Eneut me Andromakën, gruan besnike të Hektorit.

Këtu ka edhe një fakt tjetër, nuk duhet harruar e dhëna tejet e rëndësishme e autorëve antikë, që Eubeasit, pas rënies së Trojës, erdhën dhe ngritën qytetin e ORIKUMIT.

Kështu, është e mundur që Orikumi të jetë qyteti më i vjetër në territorin shqiptar, pas Shkodrës, e ndoshta para Durrësit, që u themelua në vitin 627 P.K.

III.

Në Francë , shumë kohë më parë, thuajse 7 shekuj më parë, ishte i njohur poeti Aimon de Varaneses.

Ai ka shkruar një roman në vargje, rreth 17 mijë të tilla, të quajtur ” Florimont”. Moikom Zeqo është i vetmi studiues dhe shkrimtar që e ka trajtuar figurën e Florimontit dhe e ka bërë personazh të esse-ve të tij.

Ky roman është unik dhe në qendër të tij ka historinë e pabesueshme të heroit Florimont, që është i biri i Dukës së Durrësit, çka tregon edhe jetesën qytetare të Epidamnit të vjetër, me dukë e baronë, kontë dhe kontesha, ligje dhe qytetari.

Florimonti është personazh i çuditshëm, babai i tij konsiderohet edhe si gjyshi i Aleksandrit të Madh, një gjenealogji e habitshme, në kufijtë e mosbesimit.

Edhe emri “Florimont” është thjeshtësisht ilir, romani është botuar tri herë dhe në kohën e tij ka pasur sukses të ndjeshëm.

IV.

Dante Aligieri, poeti i madh, në fakt krijuesi i gjuhës letrare italiane, që e mori nga njerëzit e thjeshtë, në kryeveprën e vet poetike , “Komedia Hyjnore” përmend edhe qytetin e Durrësit.

Është një personazh i këtij qyteti, një peshkatar i varfër, i cili u tregua i guximshëm për të transportuar Qezarin mes një deti të stuhishëm dhe të frikshëm.

Dante nuk e thotë përfundimin e peshkatarit, nëse e ka gjetur në Parajsë apo në Purgator, sepse peshkatarët nuk mund të shkojnë në Ferr, pasi janë njerëz të detit dhe të ujërave.

Dante Aligieri, PARAJSA, Komedia Hyjnore, Pashko Gjeçi, përkth. 1966; k XI, v 67-69, ku edhe sqaron: “Amiklati: ishte një peshkatar i vorfën (Në poemën e Lukani Farsalia), që flinte me portën çelë pa pasë frikë se do ta vjedhin dhe që nuk u shqetësohej se rrethe qark vlonte lufta civile. Ai nuk pati frikë as kur në kasollen e tij hyni natën vetë Çezari (që i kallte botës frikë) për ta transportuar nga Durrësi, ku banonte, në Itali”.

Studjuesi i njohur nga Shkodra, Agron Luka shkruan se , „Në “Luftën e Epirit/Ilirisë ose Lufta e Epidamn-Dyrrahit”, pjesë Luftrave Civile Romake, midis Çezarit e Pompeut (mars – qershor – korrik, 48 p. Kr.), ndryshimi vendimtar i betejës, i dedikohet peshkatarit, varkëtarit e detarit të varfër epirot-ilir, Amiklati. Ky e strehoi, e nderoi, e mbajti në shtëpi dhe e përcolli në besë mikun Çezar, duke e nxjerrë jashtë rrethimit me varkën e tij, duke e shpëtuar me këtë rast, pa e kapur rob dhe pa e ekzekutuar Pompeu!

Në këtë ngjarje, veproi kanoniku/ligji antik: Shtëpia asht e Zotëve Hyjnorë dhe e Mikut. Miku që vjen në shtëpi, edhe në gjak, asht në besë të zotit të shtëpisë dhe detyrimi ndaj tij përfshin edhe shoqnimin e përcjelljen deri në një kufi! Asokohe ende ishte në fuqi politeizmi, por kishte lindur edhe kulti i Aleksandrit të Madh, si reformator i një feje të re të përbotshme, si biri i perëndisë Zeus, pastaj kulti i perandorëve romakë si hyjni perëndi, të cilat u luftuan gjatë nga priftërinjtë e monoteizmit.  Besnikëria e Amiklatit, është përzgjedhur dhe krahasohet te vargjet e Parajsës, nga vetë Dante, me besnikërinë e Shën Françeskut, me shëmbëlltyrat e Krishtit ndaj Zotit dhe me besnikërinë e Maries, e cila i qëndroi birit Jezus, deri në fund. (Dante Alighieri, La Divina Commedia, Con percorsi, verifice e letture critiche, Paradiso, bot. 1999, Torino, f 171-172; shih edhe skanimin e interpretimeve.)

Prokopi i Gazës, shkruante, mbi mikë pritjen dhe dashurinë njerëzore me të cilën banori epidamnas – dyrrahas e pret mikun dhe nevojtarin dhe i shtrin dorën e ndihmës, qoftë kur vjen nga toka e qoftë nga kur vjen nga deti.

(“Panegyricus in Imperatorem Anastasium”, cit. f 414)

Diodori i Siçilisë, bashkëkohës i Çezarit, shkruante, mbi luftërat e vazhdueshme midis vëllazërive ilire për gjaqe e sundime molosh/portesh, e më konkretisht tregonte edhe një lloj tregimi mitologjik e anekdote mbi vëllazërinë ilire të Dyrrahut, të cilët kishin hedhur në detin Adriatik një palë hekura – spirancë të skuqur në qymyr dhe u betuan se do t’i jepnin fund armiqësive në mes tyre, vetëm kur atë spirancë ta nxirrnin të skuqur përsëri nga fund deti”!   (Cit., nga “Ilirët dhe Iliria”…, f 144; shih edhe f 136; shih edhe Apianin etj)

Por, kishte edhe pushtues dinakë, që e shfrytëzuan mikpritjen ilire e luftëra-mosmarrëveshjet e tyre, duke i prerë në bukë e në besë! Këtë e vinte qartë në dukje Straboni, kur e nënvizonte se, maqedonët e pastaj sidomos romakët, i shfrytëzuan këto veti pozitive dhe  anën negative, duke i shpërngulur ilirët nga bregdeti në toka malore që nuk vlen as për bujqësi! (Straboni, Geographica, Lib.VII, 5, 6,7; cit, f 155)“.

V.

Në romanin e tij të njohur të Prosper Merimesë,” Kronikë e kohës së Karlit…” ka një shprehje që të bën përshtypje: “ai e ngiste kalin si një shqiptar”!

Pra, kalorësit më të mirë të Francës, para natës së Shën Bartolomeut, ishin kalorësit shqiptarë.

Nuk e dimë nëse ata morën pjesë në masakrën e njohur, por dihet me siguri se shumë prej tyre u venduan në tokat franceze dhe u bënë të njohur si kalorës të zot.

Edhe Rableja i madh, në kryeveprën e tij “Garantua dhe Pantagryel” përmend një personazh me veshje shqiptare, duke shkuar më tej në përcaktimin ” kapela shqiptare”, që, sipas përshkrimit, ngjan me kapelat e barinjve që ka pikturuar Onufri i Madh.

—-

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here