Në kalanë e Bashtovës, e cila iu nënshtrua një restaurimi të plotë për rijetësimin e saj, janë zbuluar gjetje arkeologjike.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se këto gjetje hapin dritare të reja mbi historinë e monumentit.

“Bashkë me lajmin e mirë të restaurimit të kalasë unike të Bashtovës, vjen dhe ai i gjetjeve arkeologjike, që na hapin dritare të reja mbi historinë e monumentit”, u shpreh kryeministri në rrjetet sociale.

“Sipas studimeve në kala ka gjurmë të periudhës otomane të shek. XVIII, bëhet fjalë për gjylet e përmasave të ndryshme si dhe materiale qeramike të së njëjtës periudhë”, u shpreh Kryeministri.

Jo vetëm gërmimet e mëtejshme, por edhe dokumentimi dhe studimi i materialeve të gjetura do të japin përgjigje më të sakta lidhur me këto gjetje.

Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi e kthen atë në një qendër tërheqëse për vizitorët.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra.

Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here