Në morinë e pafund të prodhimeve sekrete të Kombinatit, poliçanasit konsiderojnë më interesante historinë e prodhimit të automatikut P-84, i njohur si “Kallashi i Xhevdet Mustafës”. Ish-anëtari i Byrosë Teknike të Kombinatit dhe një nga njerëzit që u morën direkt me provat teknike të model “Mustafa”, prodhuar në Poliçan, përpiqet të zbardhë disa nga enigmat e mëdha që ka pasur kjo histori dhe shprehet i bindur se pikërisht këtu ka nisur edhe trafiku shtetëror i armëve për organizatat terroriste.

Rrëfimi i ish-anëtarit të Byrosë Teknike të Kombinatit të Poliçanit

“Kemi firmosur të jemi gojëkyçur deri në vdekje, thotë duke qeshur K. Hoxha dhe vazhdon, po t’më pyesnit pak vite më parë se çfarë prodhohej në Kombinat nuk do t’u thosha asgjë.

closevolume_off
Sepse vetëm për pak gjë sesa punëtorë ka Kombinati, p.sh., mund të zhduknin në mënyrë të mistershme, s’dihet se ku. Sepse kanë ndodhur edhe gjëra të tilla në Poliçan, vite më parë, ku janë zhdukur punëtorë të rëndomtë apo drejtues civilë e ushtarakë të Kombinatit.

Thuhej se në Poliçan, në çdo tre punëtorë, dy janë sigurimsa, ndaj dhe brenda familjes flitej me frikë, deri dhe për gjëra që s’kishin lidhje me sekretin shtetëror. Por, tani askush s’do t’ia dijë më për sekretin shtetëror dhe as për betimin me tre firma që bënte çdo njeri deri dhe për të banuar në këtë qytet ushtarak”.

Ish-anëtari i Byrosë Teknike të Kombinatit, tregon se vite më parë ka lexuar ç’kanë shkruar në një gazetë për prodhimin e P-84 dhe kërkon të japë më shumë hollësi në lidhje me këtë histori. K. Hoxha, thotë se ai e di më mirë se kushdo tjetër dhe se nuk është i sigurt në mendjen e tij, se çdo të thotë “P-84”, ndoshta “Projekt 84” thotë ai, pasi ky emër nuk i’u vu në Poliçan.

Më tej ai tregon se nga mesi i vitit 1984, tek ne erdhi një trastë me fishekë të kalibrit 7.9 mm. të prodhimit USA që më vonë u tha se ishin nga ata që i’u kapën Xhevdet Mustafës.

“Ne prodhonim fishekë për armë të ndryshme të ushtrisë shqiptare, deri dhe kalibra që nuk figuronin në armatimin e saj. Por, jo të këtij kalibri dhe të kësaj cilësie. Këta fishekë m’i lanë mua në ruajtje, por unë nuk i pata numëruar ndonjëherë sesa ishin në fakt.

Na thanë se duhej t’i prodhonim patjetër dhe sa më shpejt se për ta ushtria shqiptare kishte nevojë të ngutshme. U fillua nga puna menjëherë me projektet, me studimin e çdo pjese, me prodhimin dhe eksperimentimin e tyre.

Por, u deshën 7-8 muaj që të arrinim me sukses prodhimin e këtij artikulli. Pastaj nisëm prodhimin e tij në seri. Fishekët 7.9 mm. të modelit USA ,u futën në linjë dhe të gjithë repartet punuan për dy vjet, duke prodhuar rreth 6 milionë fishekë të këtij kalibri në muaj. Gëzhojat bëheshin në Repartet 102, P-1 dhe P-3, kurse kapsollat, bëheshin në Repartet 65-D, 509, 510 e 511.

Por, të gjitha kapsollat e P-84, kishin të stamposur numrin 511/1. Ndërsa automatiku i Xhevdet Mustafës erdhi në Poliça në gjysmën e dytë të vitit 1984, të cilin sërish ma lanë mua në ruajtje. Atëherë pëshpëritej se shumë ndërmarrje civile dhe ushtarake, kishin punuar për gati një vit, por nuk kishin arritur asgjë.

E para kishte qenë Uzina e Instrumenteve në Korçë, “Petro Papi”, pas saj edhe 11 ndërmarrje të tjera të industrisë mekanike, si: ‘Uzina e Autotraktorëve’, e ‘Dinamo’ në Tiranë, NSHRAK dhe ‘Drini’ në Shkodër, Uzina Mekanike e Naftës në Kuçovë, etj. Siç thuhej nën zë, këto 12 ndërmarrje mekanike nuk kishin mundur ta kopjonin, as veç e veç dhe as të gjitha së bashku në kooperim me njëra-tjetrën.

Ndaj kjo detyrë më pas iu ngarkua Uzinës së prodhimit të “Kallashnikovëve” në Gramsh. Por, edhe Uzina e Mjekësit, që prodhonte pushkë, automatikë të modelit “Kallashnikov”, mitraloza të lehtë etj, nuk mundi ta realizonte këtë artikull. Atëherë krerë të lart të shtetit, i kërkuan specialistëve të Poliçanit, të bënin të pamundurën e kësaj arme, në mënyrë urgjente.

Siç thashë, deri atëherë ne nuk prodhonim armë, por vetëm municione të ndryshme për ushtrinë shqiptare dhe ndoshta edhe për të shitur. Jo sepse nuk i prodhonim dot, pasi makinat dhe pajisjet që kishim ishin nga më modernet në botë, të ardhura nga Kina dhe Suedia, por sepse shteti nuk e kishte parë të arsyeshme t’i prodhonim edhe ato.

Në Poliçan pak njerëz e dinin se kjo armë ishte e Xhevdet Mustafës, e dinin vetëm ata që kishin pasur fatin të vizitonin Muzeun e Ministrisë së Brendshme në Tiranë sepse, askush nuk thoshte të vërtetën hapur. Ishte armë automatike e luftimeve të afërta dhe me preçizion tepër të lart, deri në 100 metra. Ishte e gjatë 80 cm. dhe peshonte gjithsej 3.8 kg. bashkë me krehrin e gjatë në formë harku, që mbante 70 fishekë.

Nuk ishte armë automatike e markës “Tomson”, por i tipit “BREN” anglez, prodhuar në SHBA-ës. Krehri i kësaj arme vendosej nga e majta dhe po nga e majta i dilnin gëzhojat gjatë qitjes, që për ne shqiptarët, ishte me rrezik ta përdornim. Gjatë provave që bënim në poligonin tone, e vendosnim në një stanok. Ishte i thjeshtë, pa silenciator, por shtinte pa zhurmë.

U konsultuam me punëtorë e specialistë të Reparteve 118 e 119, ku ishin dhe makinat e pajisjet më moderne të kombinatit dhe më kujtohet se, i pari që e mori përsipër këtë projekt, ishte frezatori i talentuar i Poliçanit, Riza Mançe. Pas gati një viti, me gjithë skarcitetet e mëdha, “BREN-i” u realizua me sukses, sipas origjinalit dhe në parametrat teknikë e fizikë.

Por vetëm zhurma nuk u eliminua. Për të eliminuar këtë defekt teknik, u punua edhe gjashtë muaj të tjerë dhe më në fund mund të thuhej pa frikë, se u prodhua një “BREN” origjinal “Made in Albania”. Pas këtij suksesi, Repartet 118 e 119, morën detyrën që brenda gjashtë muajve të ardhshëm të prodhonin të tërë sasinë e kontraktuar.

Qeveria shqiptare akordoi një fond shtesë për këto reparte, ku në atë kohë punonin rreth 100 punëtorë. Për këta punëtorë, qeveria shkeli edhe kriterin e shpërblimeve mujore deri në 4 % të pagës mujore, duke i shpërblyer me 8 deri në 10 mijë lekë.

Çdo turn prodhonte vetëm 10 copë P-84 dhe në çdo 100 copë të prodhuar, ne provonim në poligonin tonë 10 copë, të cilët ishin tepër të saktë, por nuk i futnim në inventarin e “BREN-ve” të kërkuar sipas kontratës. Këta mbaheshin në arka të veçanta për llogari të Kombinatit.

Kontingjenti i parë i “BREN-ëve” “Made in Albania” iku nga Poliçani me pretekstin se do të dërgoheshin për temperim e ratifikim në Pasha Liman. Por, në fakt prej aty ata dërgoheshin drejt mafies italiane apo dreqi e di se ku tjetër”.

Deri në vitin 1990, në Poliçan u prodhuan 6 mijë copë automatikë të tillë, nga të cilët një pjesë u dërgua në Pasha-Liman dhe një pjesë tjetër në magazinat e Ministrisë së Brendshme në Mullet. Në Poliçan mbetën vetëm ata 1000 copë, që iu bë prova në poligon. Me sa di unë, këta kallash kanë dalë nga Kombinati gjatë protestave të vitit 1992 dhe u zhdukën totalisht gjatë trazirave të ’97-ës”

Hoxha shprehet se shumë nga këta kallashë ndodhen ende në duart e civilëve të armatosur, ku në shumë raste policia shqiptare, nuk ka qenë në gjendje t’i dallojë se ata janë prodhime të Poliçanit. Më tej, ai tregon se: bashkë me P-84 nga Poliçani u larguan edhe miliarda fishekë të kalibrit 7.9 mm. Thuhej se një automatik model “Xhevdet Mustafa”, shitej me 150-200 USD.

Ndërsa në vitin 1992, kombinati bëri një tjetër kontratë me sllovenët për fishekë 7.9 mm. dhe për municione të tjera, por jo për kallash “Made in Albania”. Kujtoni pamjet e një kronike televizive të vitit ‘93, ku në anijen sllovene, arkat e municioneve të kapur në Adriatik, në anijen ku ishte edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, kishin inicialet e Kombinatit të Poliçanit.

Në anije kishte dhe kallash P-84 sepse arkat shkruanin “P-84” dhe numrin ”3”, që është numri i Uzinës dhe vitin e prodhimit 1986. Por, ish-anëtari i Byrosë Teknike të Kombinatit të Poliçanit, shprehet i bindur se trafiku shtetëror i armëve dhe municioneve, ka nisur shumë vjet më përpara.

Hoxha tregon se ka qenë punonjës i kësaj Uzine, që nga viti 1962 dhe se ka pasur detyra të rëndësishme për vite me radhë. Ai thotë se di gjithçka ka ndodhur aty dhe se nuk dëshiron të bëhet bukë-shkalur. Sipas tij, në Poliçan e dinë të gjithë se në vitet 1970-1978, armatimet i’u shiteshin kinezëve në këmbim të shlyerjes së Uzinës.

Ndërsa pas 1980-ës, armë dhe municione i’u shiteshin sllovenëve, turqve, maqedonasve, suedezëve e deri dhe serbëve. Por, pas ’90-ës, shteti e bënte këtë tregti të ndaluar nëpërmjet firmës private “MEIKO”, që një dreq e di se ç’është në të vërtet. Pas ’90-ës, me firmën “MEIKO”, armë iu janë shitur edhe vendeve arabe apo dhe çeçenëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here