SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI
Ahmet Zogu cilësohej shovinist sepse persekutonte serbët.
Më 24 mars 1946 në Universitetin “Kollarçevo” të Beogradit u formua shoqëria kulturore “Shqipëri-Jugosllavi”. Në sfond ishin vendosur fotot e dy udhëheqësve komunistë, Titos dhe Enverit si dhe në dy gjuhë, parulla: “Rroftë miqësia e pazgjidhshme ndërmjet popujve të Jugosllavisë dhe popullit shqiptar!”.
Më 1 prill 1946 u mbajt në kinema “Kosova” në Tiranë mbledhja e dytë e shoqërisë në fjalë. Kryetar u zgjodh Ramadan Çitaku. Në sallën përkatëse ishin vendosur portrete të udhëheqësve komunistë të dy vendeve, si dhe parulla e madhe “Rroftë miqësia e madhe në mes të popullit shqiptar dhe popujve të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë!”.
Organi i shoqatës ishte revista “Shqipëri-Jugosllavi” e cila doli në 5 numra. Në numrin e parë të saj u botua një artikull tepër servil i Enver Hoxhës për Titon. Deri këtë kohë, regjimi komunist fajësonte Ahmet Zogun që nuk kishte punuar për miqësi me popujt “vëllezër” jugosllavë, madje duke e cilësuar edhe “shovinist”.
Në numrin e tretë të revistës, gjendet edhe një artikull interesant për mësimin e sërbishtes në Shqipëri. Marria ishte aq e madhe saqë u dukej Jugosllavia si maja botërore. Ndër të tjera në këtë artikull të gjatë, gjejmë edhe këto fjalë:
“Në vendin tonë, studimit të gjuhëve sllave jo vetëm që nuk u ishte dhënë ndonjë rëndësi në të kaluarën, por elementi që praktikonte një gjë të tillë persekutohej. Shembuj të tillë kemi mjaft që tregojnë qëndrimin fanatik të regjimeve antipopullore. Mjaftonte që të dëgjoheshe nga agjentët e Zogut të flisje sërbisht, për t’u ndjekur si armik i regjimit dhe për të përfunduar shpejt a vonë në internim a burg.
Të rinjtë tanë që ndiqnin shkollat helmoheshin përmes gjuhëve të huaja me ideologjinë e kalbur të regjimeve antipopullore. Këtë edukatë e transmetonin emisarët e ndërgjegjshëm të ardhur në Shqipëri për këtë punë….
Kështu mundoheshin ta edukonin popullin regjimet që nuk kishin asgjë të përbashkët me popullin, e edukonin atë me frymën e shovinizmit të urrejtjes dhe mbillnin antagonizmat në mes të vendeve dhe gjuhëve të tyre. Kjo është arma e grindjeve për përçarje e sundim.
Mësimi i gjuhës serbo-kroate që ka filluar të mësohet te ne, nuk është i njëjtë me rastet e mësipërme të gjuhëve të tjera.
Pushteti popullor i ngritur në vendet tona dhe vendosmëria e popujve tanë për të shkuar përpara drejt një jete të re, krahpërkrah dhe të vëllazëruar dhe të pandarë me popujt e Jugosllavisë të mareshalit Tito, siç thotë shoku komandant, u duket vdekje”.
Në foto, artikulli i revistës dhe kurset e mësimit të serbishtesh në Tiranës.