Berisha është një fis historik shqiptar në Pukë, në veri të Shqipërisë dhe është një nga fiset më të vjetra Arbërore.
Berisha për së pari herë u dokumentua gjatë mesjetës, më saktë në vitin 1242 në Ulqin. Arkivat raguzane dokumentojnë pjesëtar të fisit Berisha në shumë raste si: Petrus de Berisna (1280-1304), Laurentius de Berisna (1280-1304), Dominko Berisha (1264) etj. Në dhjetor të 1274, Anzhuinët nënshkruan një traktat me fisnikët Arbëror që të pranonin Karlin si mbretin e Arbërisë, dhe një nga nënshkruesit ishte “Sevasto Tanussio Berissa”. Gjatë shek. 14, në të gjithë Kosovën mund të gjenden mikrotoponime të shumta si: Berishin, Berishtar, Berishofc, Berishtani, Berishane dhe Berishiç. Në 1348, Stefan Dushani përmend “Fushën e Berishës” afër Mushtishtit në Kosovë. Përmendje të shumta i përkasin dhe shek. 15 si në kadastrën Veneciane të Shkodrës në 1416–7, ndërsa historiani Arbëror Marin Barleti më 1508 përmend dy vëllezërit Berisha (Dhimitrin dhe Nikollën) si komandantë të shquar të Skënderbeut.