Si sot, më 4 tetor të vitit 1416, shënohet pikërënia e Despotatit të Artës, një shtet mesjetar arbëror i krijuar nga fisnikët Pjetër Losha dhe Gjin Bua Shpata në prill të vitit 1359 gjatë fushatës së tyre për të marrë nën zotrim Epirin.
Pinjolli i fundit nga 4 sundimtarët e dinastisë Shpata të Despotatit të Artës ishte Jakup Bua Shpata, i njohur dhe si sundimtari i parë musliman arbëror në mesjetë (Dinastia Shpata sundoi Despotatin e Artës nga viti 1374 e deri më 1416).
Jakub Bua Shpata trashëgoi fronin e Despotatit nga vëllau i tij, Muriqi, në vitin 1414/1415. Gjatë sundimit të tij të shkurtër (1414/15-1 tetor 1416), ai ishte në luftra të shpesha kundër rivalit të tij, Karlo Toko, një sundimtar italian që synonte pushtimin e Despotatit të Artës dhe Epirit.
Më 1 tetor të vitit 1416, Karlo Toko organizoi një pritë kundër Jakub Bua Shpatës duke e zënë atë në befasi. Pas betejës që u zhvillua, Karlo Toko arriti ta kapte despotin arbër Shpata të gjallë dhe menjëherë urdhëroi ekzekutimin e tij.
Pas vdekjes së Jakub Bua Shpatës në moshën 47 vjeçare, fisnikët e Artës morrën kontrollin e qytetit nga nëna e Shpatës dhe ofruan t’ia dorëzonin atë Karlos nëse respektoheshin të drejtat dhe privilegjet e tyre ekzistuese. Karlo pranoi dhe hyri në Artë më 4 tetor 1416, me ç’rast mori fund dhe Despotati arbëror i Artës.
📸 Në foton e parë, vizatim i Jakub Bua Shpatës, ndërsa në foton e dytë, kufijtë e Despotatit të Artës gjatë vitit 1390