Jahja Drancolli

Si sot më 4 tetor 1448, 574 vjet më parë, Gjergj Pelini, diplomat kosovar për qëllime strategjike, për të mos luftuar në dy fronte, pajtoi Skenderbeun me Republikën e Venedikut. Kjo ngjarje pati jehonë në historinë botërore, veçanërisht te Napoleoni, i cili kishte vuajtur rëndë pas luftimeve në dy fronte në të njëjtën kohë!

Është e njohur se nga viti 1445, Skënderbeu përveç luftës me osmanët kishte rënë në konflikt me Republikën e Venedikun lidhur më çështjen se kush do ta zotëronte qytetin Dagno (sot Vau i Dejës). Përveç qytetit në fjalë, Skënderbeu bënte përpjekje për të kthyer dhe Durrësin e Drishtin, qytete këto të pushtuara shumë kohë më parë nga Venediku. Skënderbeu, së bashku me aleatët e tij nga Kuvendi i Lezhës, Arianitin, vjehrrin e tij, Dukaginet dhe disa princa të tjerë arbër, në vjeshtën e vitit 1447, bëri luftë kundër Venedikut në rrethet e Durrësit, Shkodrës, Ulqinit dhe Tivarit. Në këtë luftë, siç duket, ai u ndihmua nga Alfonsi V, mbret i Argonit dhe Napolit, i cili ishte armik i Republikës së Venedikut. Nga ana tjetër, venedikasit po punonin në mënyrë aktive për të shkëputur disa princa arbër nga Skënderbebeu dhe për t’i ngritur osmanët kundër tij. Senati venedikas ishte aq i inatosur ndaj Skënderbeut sa që më 4 maj 1448 kishte angzhauar dhe një person të nderuar, i cili ishte përgjegjës për vrasjen e Skënderbeut.

Më në fund, më 4 tetor të vitit 1448 me ndihmën e Gjergj Pelinit, diplomatit të madh nga Kosova u lidh marrëveshja midis Venedikut dhe Skënderbeut, sipas të cilës ky i fundit u tërhoq nga pretendimet e tij mbi Dagno dhe Drisht kundrejt një pensioni vjetor prej 1400 dukatësh (një kopje e dokumentit të marrëveshjës të zbuluar në Archivio di Statot di Venezia, ruhet dhe në arkivin tim‘ familar). Pas kësaj marrëveshje, Skënderbeu ishte në gjendje të përgatiste seriozisht për një veprim kundër osmanëve në bashkëpunim me ushtrinë hungareze në krye më Janosh Huniadin, veprim ky që do të realizohet në Betejën e Kosovës më 17-20 tetor 1448. Për këtë qëllim, Heroi ynë kishte kërkuar dhe një hua nga Republika e Raguzës.

Burimi: Archivio di Stato di Venezia (20 gusht 1463, shiko në regjistrat e Senatit Sekret)!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here