Historia e vikingëve ka magjepsur njerëzit për shumë shekuj. Por ndërsa një ekspozitë e madhe është hapur në Muzeun e Britanisë, disa kanë ngritur diskutimin se njerëzit ndoshta i kanë kuptuar gabim këta luftëtarë
Tom de Castella, BBC
Anijet e gjata mbërritën më 8 qershor. Murgjit në Lindisfarn nuk e dinin në atë kohë – ishte viti 793 – por ai qe fillimi i 300 viteve të sulmeve gjakatare britanike mbi Britaninë dhe Irlandën.
“Kurrë më parë nuk ishte shfaqur në Britani terror i tillë siç po vuanim ne nga raca pagane”, shkroi Alkuini i Jorkut në kohën e sulmeve. “Të pafetë derdhën gjakun e shenjtorëve përreth altarit dhe i hodhën trupat e shenjtorëve të tempullit të Zotit, si thasë në rrugë”.
Më shumë se 12 shekuj më vonë, vikingët janë bërë subjekti i një ekspozite të madhe në Muzeun e Britanisë – dhe ata sërish vijojnë të mbajnë të pushtuar imagjinatën. Burra biondë me trupa të fuqishëm dhe helmeta me brirë, shpërthenin nga hundët agresion, zbrisnin në vendbanime për të përdhunuar dhe grabitur.
Ky së paku është perceptimi i përgjithshëm. Por këndvështrimet e vjetra tashmë janë duke u sfiduar.
Le të fillojmë me helmetat, aq të dashura për tifozët e futbollit në Skandinavi. Vikingët nuk i mbajtën kurrë ato. Ato janë përfshirë në përshkrimet e vikingëve që nga shekulli i 19. Vagneri lavdëroi legjendat Norse në operën e tij Valkiriet dhe helmetat me brirë u krijuan si mjete për shfaqjen e tij Unaza e Nibelungëve, në festivalin e parë të Bajereuth më 1876.
Helmeta me brirë bazohet në një fakt historik, thotë Emma Boast nga qendra Jorvik, por ajo thjesht nuk ishte diçka vikinge. Muzeu i Britanisë ka një helmetë me brirë ceremonish nga Epoka e Hekurit që u zbulua në Lumin Tejms. Ajo datonte nga vitet ‘150-‘50 para Krishtit.
Vikingët përdornin brirët në festa dhe gjatë pijeve dhe u frynin atyre për komunikim. Ato janë pikturuar në zbukurime. Ato nuk visheshin. Dhe për betejë, ato do të ishin një pengesë madhore, pasi i shtojnë peshë helmetës.
Por sot, nëse një fëmije i kërkohet të vizatojë një viking, ai do të fillojë me helmetën me brirë, thotë Boast. “Unë mund ta kuptoj se pse fëmijët janë të mësuar me diçka të tillë. Është kaq i ngulitur si perceptim në shoqërinë tonë sa nuk mendoj se do ta heqim ndonjëherë qafe. Por në fakt ka edhe një shpjegim më të pasur dhe të gjithanshëm”.
Me ekspozitën e re ka pasur edhe një kërkim të së vërtetës nga ana e medias. Një gazetë së fundmi publikoi artikullin ku në titull shtrohej pyetja: “Vikingët kanë shpikur telenovelat dhe ishin pionierë të globalizimit – pse i përshkruajmë ne kaq barbarë?”.
Një analizues i Daily Telegraph, i rritur me idenë për ta si “nofullgjerë të kërleshur me sy të zgufllatur për përdhunime dhe grabitje” – dyshon se ekspozita e re në Muzeun e Britanisë do të sjellë një demaskim akademik. “Unë do të mësoj se këta grabitës të pangopur në fakt qenë vegjetarianë, që kujdeseshin për disa nga universitetet më të rëndësishme të kohës dhe, më e keqja nga të gjitha, ata nuk mbanin helmeta me brirë”.
Këto konkluzione tregojnë se Muzeu i Britanisë ka një punë të vështirë nëpër duar. “Debati nëse vikingët qenë shtazë të buta apo jo ka ardhur në rritje prej ca kohësh”, thotë Methju Touned (Mattheë Townend), i cili jep leksione për gjuhën e vjetër Norse në Universitetin e Jorkut.
Këndvështrimi klasik është i artikuluar në filmin e Hollivudit të vitit 1958, Vikingët. Me Kirk Dagllas (Douglas) Xhenet (Janet) Leight dhe Toni Kurtis (Tony Curtis) në rolet kryesore, filmi, sipas kritikëve të kohës sonë është “përshkrim plot gjak i përdhunimeve, zjarrit dhe grabitjeve”. Së paku, atje nuk kishte brirë në dukje.
Në vitet 1960 dhe ‘70, portretizimi i tyre si barbarë grabitës u vu në dyshim. Akademikët theksuan se shumica e të dhënave të shkruara për pushtimin viking të Anglisë u shkruan nga murgj, të cilët, si “viktima”, nuk mund të ishin objektivë. Arkeologjia filloi të zëvendësojë sagat Norse, të shkruara shumë shekuj më vonë, si provat më të besueshme.
Pika vendimtare e kthesës erdhi vonë në vitet 1970. Gjatë ndërtimit të një qendre tregtare në zonën Kopergejt të Jorkut, u zbuluan shtëpi, rroba dhe bizhuteri vikinge të ruajtura më së miri nga dheu i lagësht.
Ajo solli krijimin e qendrës Jorvik. Vikingët filluan të shihen si banorë vendës, njerëz të orientuar nga familja.
“Deri në zbulimin në Kopergejt, këndvështrimi ynë mbi vikingët ishte i shtrembër”, thotë Kris Tuklej (Chris Tuckley), kreu i interpretimit në qendrën Jorvik. Objektet vikinge të zbuluara i transformuan ata nga sulmues gjakatarë në tregtarë plot gjallëri. Një ekspozitë e Muzeut të Britanisë në vitin 1980, e fundit para ekspozitës aktuale, e pasqyroi këtë këndvështrim. Ata qenë poetë. Vishnin këpucë lëkure të kombinuar me flokët e tyre.
Në një udhëtim në Dublin më 2007, ministri i Kulturës së Danimarkës, Brian Mikkelsen, raportohet se i ka kërkuar ndjesë popullit irlandez për atë që kishin bërë vikingët.
Më vonë ai mohoi të kishte thënë “kërkoj ndjesë”, duke i thënë një gazete daneze: “Ajo që unë përmenda në fjalimin tim ishte ‘ai i shkaktoi shumë dëme popullit të Irlandës’, por ne nuk kërkojmë ndjesë për atë që vikingët bënë 1 mijë vjet më parë. Ajo ishte mënyra se si ndodhnin gjërat në atë kohë”.
Kërkimi i ndjesës 1 mijë vjet më pas do të ishte absurd. Por të tjerë e vënë në dyshim argumentin e dytë të Mikkelsen, atë që sjellja e tyre ishte e zakonshme dhe normë e kohës.
Korrigjimi i asaj që “shtazët” vikinge kanë bërë, ka shkuar tepër larg, thotë profesor Sajmon Kejnes (Simon Keynes), një historian për botën anglo-saksone në Universitetin e Kembrixhit. “Nuk ka dyshime se sa të egër, të pakëndshëm dhe të dhunshëm ishin ata. Ata kanë bërë gjithçka që vikingët kishin reputacion se bënin”.
Ata vodhën gjithçka që mundën. Kishat qenë depozita thesaresh që mund të grabiteshin. Ata morën bagëti, para dhe ushqime. Ka gjasa që ata rrëmbyen gjithashtu edhe gra.
“Ata dogjën vendbanime dhe lanë pas një sërë shkatërrimesh”. Ishte një agresion i paprovokuar. Dhe ndryshe nga shumica e ushtrive, ata erdhën nga deti, me anijet e tyre me fund të ngushtë dhe të gjata, të cilat i mundësonin të lundronin përgjatë lumenjve dhe të godisnin vendbanimet në mënyrë surprizë. Ajo ishte para së gjithash një blitzkrieg detar.
Më e keqe ishte natyra përsëritëse e sulmeve. Vikingët, njësoj si hajdutët, ktheheshin sërish dhe sërish tek e njëjta shtëpi, refuzonin të linin fshatrat rehat.
Ivari pa Kocka thuhet se ka qenë veçanërisht i pamëshirshëm. Sipas sagave, ai e vendosi Edmundin, Mbretin e Anglisë Lindore, te një pemë dhe i vuri burrat e vet ta qëllonin me shigjeta deri sa koka e tij të shpërthente.
Dhe mbreti rival viking Ella u vra në Jork pasi ia prenë brinjët nga kurrizi, brinjët e tij u thyen në mënyrë që të dukeshin si krahë dhe mushkëritë iu nxorën nga plagët që kishte në kurriz. Ai u bë i njohur si Shqiponja e Përgjakur. Por saktësia e këtyre historive është vënë në diskutim.
Dhe të tjerë vënë në dukje se anglo-saksonët vështirë se qenë respektues të Konventës së Gjenevës. Më 2010-n u raportua se trupat e 50 njerëzve që u ishte prerë koka, u zbuluan në Vejmuth. Besohet se ishin pengje vikinge të ekzekutuara.
Vikingët lundruan gjithashtu në perëndim për te Njufoundland, në Francën e Veriut dhe në Gjermani, si dhe në lindje të asaj që sot është Rusia dhe Ukraina. Ndoshta më pak i njohur është ndikimi i Vikingëve në Azinë Qendrore dhe në Lindjen e Mesme. “Është shumë e vështirë të gjesh një mënyrë të vetme të vlerësimit të të gjithë vikingëve për shkak se ata bënë kaq shumë gjëra”, thotë Kejnes.
Pjesa më e madhe e burimeve të shkruara mbi vikingët në shekujt e 9 dhe të 10 është në arabisht, thekson Xhejms Montgomeri (James Montgomery), profesor i arabishtes në Universitetin e Kembrixhit. Vikingët mbërritën në Detin Kaspik dhe dolën në kontakt me perandorinë Kazare. Ata mund të kenë mbërritur deri në Bagdad në rast se një burim i shekullit të 9 pranohet si i vërtetë. Vikingët e njohur si “rusë” mendohet se kanë ndihmuar në krijimin e principatës së Kievit, e cila më vonë u bë Rusia, thotë Montgomeri.
Kjo i ka nxitur disa t’i paraqesin vikingët si tregtarë ndërkombëtarë më shumë se sa si luftëtarë. Dhe edhe – me sagat e tyre irlandeze – si shpikës të asaj që sot mund të quhen novela të gjata dhe të lehta dramatike (telenovela).
Revizionizmi është i natyrshëm. Akademikët gjithmonë kërkojnë për një këndvështrim të ri. Dhe njerëzit ndryshojnë mendim sipas evoluimit të pikëpamjeve shoqërore.
“Stendali parashikoi që biografia e Napoleonit do të rishkruhej çdo gjashtëdhjetë vjet”, thotë historiani Antoni Bevor (Antony Beevor), autor i librit “Lufta e Dytë Botërore”.
Por revizionizmi dhe kundër-revizionizmi ndodh më shpesh në disa fusha të historisë – Lufta e Parë Botërore për shembull – më shumë se të tjerat. Për Beevor kjo ka tendencën të ndodhë “për periudha dhe pyetje të cilat kanë rezonancë politike bashkëkohore – luftërat civile, skllavëria dhe kolonializmi, puna, trajtimi i grave e të tjera”.
Tounend thotë se vikingët ishin njëkohësisht pushtues dhe emigrantë. Ata nuk është se thjesht sulmuan, grabitën dhe ikën. Përgjatë 300 viteve të periudhës Vikinge, shumë prej tyre qëndruan. Sjellja e tyre ndaj popullatës vendëse ishte më e komplikuar se sa thjesht ajo e një pale sulmuese grabitqare.
“Ata nuk i shfarosën vendësit. Pra si ndodhi që këto dy grupime jetuan së bashku?”
Ajo bëhet histori jo thjesht pushtimi por edhe emigrimi dhe asimilimi. Shumë vikingë përqafuan kristianizmin. Ka pasur martesa me vendësit. Mbreti Knut (Cnut), i cili u bë Mbret i Anglisë dhe sundoi për 25 vjet, duke zëvendësuar ata që ishin në majë të shoqërisë, por lejoi pjesën tjetër të vijonte të jetonte si më parë. Në të njëjtën kohë, ata ruajtën emrat Norse dhe traditat.
“Në këndvështrimin tim ka pasur shumë gjëra për të marrë dhe për të dhënë”, thotë Tounend.
Haakon dhe Gud u konvertuan në kristianizëm ndërsa ishin në Angli. Kur u kthye për të sunduar Norvegjinë, “ai përjetoi kohë të vështirë”, thotë Touned. “Besimi i tij fetar ishte shumë i ndryshëm nga ajo e shumicës së grigjës së tij”.
Ajo që erdhi pas vikingëve, argumentohet se ishte edhe më keq, thotë Tukjel. Normanët u hynë këtyre punëve në mënyrë edhe më sistematike, thotë ai. “Ata shtypën popullsinë vendëse në vend që të integroheshin, siç bënë vikingët”.
Nuk ka dyshim se revizionizmi dhe kundërargumentet do të vijojnë të ekzistojnë. Por historia e vikingëve – e mbushur me dhunë, kolonializëm dhe tregti – i ka të gjitha. Me apo pa brirë.
Gazeta Shqip