Dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, që mbulojnë veprimtarinë përgjatë sundimit osman i kaluan Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë nga homogia e saj turke.
DPA është pasuruar kështu me mbi 1 milion njësi dokumentare, të përftuara në formën e një dhurimi të radhës prej Arkivit të Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll.
Dokumentet e marra nën zotërim janë në trajtë digjitale dhe mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesë-shekullor.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në një njoftim sqaron se mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe, etj, dhe dokumente të karakterit religjoz.
Gjithashtu, pjesë e këtyre dokumenteve që i shtohen fondit të materialeve osmane, janë zhvillimet fetare në rajon, si feja Islame, e Krishterë dhe Judaizmi. Në këto dokumente do të gjejmë edhe dinamikat sipas shoqërive përkatëse – thuhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Ky dhurim vjen në vazhdën e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore. DPA shprehet se më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente.
Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës.
Kjo bazë e gjerë kërkimore sipas kësaj drejtorie do të shërbejë si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë periudhës osmane deri në shpalljen e Pavarësisë.