Beteja e Savrës (18 shtator 1385)
Beteja e Savrës ose e njohur ndryshe dhe si Beteja e Vjosës, ishte një betejë mesjetare e luftuar më 18 shtator të vitit 1385 në afërsi të Lushnjës. Beteja e Savrës njihet si përballja e parë shqiptaro-osmane në histori, ku një ushtri e vogël shqiptare e komanduar nga princi arbër Balsha II u përball me një ushtri osmane shumë më të madhe e komanduar nga Hajredin Pasha.
Në fillim të vitit 1385, Balsha II sulmoi tokat e një princi tjetër arbëror, Karl Topisë, duke i pushtuar atij qytetin e Durrësit. Pas humbjes së Durrësit, princi Karl Topia u bëri ftesë Osmanëve për ta ndihmuar atë në konfliktin e tij kundër Balshës II. Ftesa e Topisë u pranua nga Hajredin Pasha, i cili solli një ushtri osmane prej 5,000 burrash nga rajoni i Ohrit në fushën e Savrës, pranë Lushnjës. Lajmet për sulmin e forcave osmane në rajonin e Beratit arritën tek Balsha II ndërsa ai ishte në Durrës. Sipas Mavro Orbinit, Balsha II mblodhi një ushtri të vogël prej 1,000 burrash në Durrës dhe, duke injoruar këshillat e fisnikëve të tij, u nis në betejë kundër sulmuesve osmanë. Marin Barleti na tregon se Balsha II ishte i guximshëm dhe idealist por nuk është për t’u habitur se forca e tij e vogël pati pak sukses. Ushtria e Balshës u shkatërrua ndërsa ai u vra në betejën kundër osmanëve dhe koka e tij iu pre dhe iu dërgua Hajredin Pashës si trofe.
Me shkatërrimin e Balshës II, princi Karl Topia ripushtoi menjëherë Durrësin ndërsa sipas disa burimeve, osmanët pushtuan dhe e mbajtën Beratin me synimin për ta përdorur atë si një bazë për të pushtuar Vlorën. Kjo betejë vulosi fatin për praninë shekullore osmane në këtë pjesë të Shqipërisë.