DËSHMITË E ALBANOLOGUT HAN

Johan Georg von Hahn (1811-1869) ishte diplomat austriak dhe albanolog. Më 1847 u emërua zëvendëskonsull në Janinë, më 1851 në Syra dhe prej vitit 1869 në Athinë. Hahni ka mbledhur materiale nga zona veriore e Shqipërisë, mësoi gjuhën shqipe, si dhe dëshmoi përkatësinë e gjuhës shqipe si gjuhë e familjes indoevropiane. Që në rini e kishte ngacmuar kureshtja për gjuhën dhe historinë e popullit shqiptar. Në vitin 1850, në kohën kur ishte zëvendëskonsull i Janinës, pasi mësoi gjuhën shqipe, i ndihmuar nga dy shqiptarë të gjimnazit “Zosimea”, Apostol Panajoti dhe Kostandin Kristoforidhi, ngërmoi udhëtimin e parë për në Shqipëri./Konica.al

Udhëtimin e dytë e ndërmori pasi botoi veprën: “Studime mbi Shqipërinë”, të cilën kritika e kohës e quajti: “Vepër të pasur dhe të shkëlqyer, që ka kontribuar shumë për njohjen e popullit shqiptar”, etj. Han jep vlerësime të larta për popullin shqiptar, për doket, zakonet, për gjuhën dhe autoktoninë e shqiptarëve.

Një vend të rëndësishëm Hani i kushton trevës së Dukagjinit, ku, pasi sqaron prejardhjen e kësaj fjale, ndër të tjera thotë: “…shtrihet nga Drini, duke ndjekur drejtimin jugor për afër tri orë, deri në rrëzën verilindore të malit të lartë të Pukës… Shtrati i Drinit përbën kufirin verior të Dukagjinit”.

Duke folur për Komanin, si bajraku më perëndimor i 12 bajraqeve që përbëjnë Dukagjinin e mirëfilltë, Hani shënon, se: “Në këtë bajrak bën pjesë gjithashtu edhe Qerreti i Epërm, nëpër të cilin kalon rruga që shkon nga Shkodra për në Prizren”. Hani flet për 12 bajraqe të Dukagjinit, kur duhet të jenë 7 të Pukës. Në atë kohë, kufiri i Dukagjinit shtrihej si trevë deri në Mat, domethënë përfshinte edhe 5 bajraqet e Mirditës. Në vepër autori shpjegon gjithashtu se: “Puka e sotme, e cila ndodhet mbi një rrafshnaltë qendrore të maleve të Tërbufit, përputhet gjeografikisht e gjuhësisht me emrin e vendit Adpikaria të kohës antike, shënuar në hartën e Pautingerit, si stacion i vetëm i ndërmjetëm në rrugën nga Lezha në Lipjanin e sotëm, midis Shtimjes dhe Prishtinës, në Kosovë”. “Për mendimin tonë, – shkruante Hani, – për sa i takon identitetit të Pukës me Adpikarian, nuk dëshmon vetëm ngjashmëria e emrit, por edhe fakti që Puka edhe sot e kësaj dite është qendra e kreut qeveritar të Dukagjinit dhe, për zgjidhjen e këtij vendi, me siguri është marrë parasysh së pari leverdia ushtarake”.

Po ashtu, Hani jep edhe përshkrime të detajuara të malësorëve. “Komani, fshati i famullisë ka 36 shtëpi të shpërndara dhe famullia, kufijtë e së cilës përkojnë me ato të bajrakut, duke përfshirë këtu edhe fshatin e famullisë, bëhen rreth 80 shtëpi, pa llogaritur këtu, siç kuptohet, shtëpitë e muhamedanëve./Konica.al/ Banorët e këtushëm janë shumë të varfër. Megjithëkëtë, ata nuk merren vetëm me rritjen e bagëtive, gjë që vërtetohet me anën e faktit që e dhjeta që ata i paguajnë kishës përfshin mesatarisht 30 rupi misër”. Në Berishë, dijetari u ndal te një shtëpi larg fshatit: “Por aty, si të vjetrit, ashtu dhe të rinjtë, kishin ngjyrë të verdhë, si të njerëzve që vuajnë nga ethet dhe të gjithë ankoheshin, se këto ethe rëndonin vazhdimisht dhe jo vetëm në këtë shtëpi”. “Po në Berishë, – thotë ai, – takuam fëmijë të zhveshur, të cilët qëndronin kështu edhe në dimër. Burrat mbanin vetëm një këmishë në trup, ndërsa gratë vishnin drejtpërdrejtë mbi trup një rrobë prej leshi”. Kur flet për gjendjen ekonomike të malësorëve të këtyre anëve, Hani thekson ndër të tjera, se: “Toka bujqësore është e pakët, pyjet nuk shfrytëzohen, kështu që banorët janë jashtëzakonisht të varfër”.

Pasi flet gjerësisht për marrëdhëniet e këtyre malësorëve me sundimtarët turq dhe rezistencën e tyre që është për t’u admiruar, Hani ndër të tjera pohon, se: “Të thirrurit nën armë duhet të kujdesen vetëm për veshjen dhe armët e tyre, nga qeveria ata nuk marrin asnjë shpërblim, por vetëm një racion të thjeshtë buke. Sundimtarët turq, – sqaron më tej Hani, – i kanë mbajtur lidhjet e tyre përballë rezistencës së malësorëve, nëpërmjet krerëve bajraktarë. Në Aprripë, kreu i fshatit ishte vetëm gjashtë vjeç, meqë i ati i tij kishte dy vjet që kishte vdekur. Xhaxhai i tij drejtonte vendin si kujdestar i tij, deri me rritjen e djalit. Bie menjëherë në sy dallimi klasor midis krerëve bajraktarë dhe malësorëve të thjeshtë, që nga veshja deri në kushtet e banimit”.

Ja disa fragmente, që e dëshmojnë më së miri këtë gjë. Pasi flet hollësisht për veshjen e një burri në Karmë, ai thotë: “Dukej menjëherë, që ajo nuk ishte bërë për një bujk, as për një njeri të humbur, por për një njeri të nderuar. Kjo edhe për arsyen se dhe fëmijët e tjerë të kësaj familjeje ishin të veshur si s’ka më mirë” etj…/Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here