Milazim Krasniqi

Shteti osman filloi të ngrihej në shekullin XIII, në kohën
kur Bizanti ishte në vështirësi të mëdha, si pasojë e
shkatërrimit që kishte lënë prapa Kryqëzata e Katërt dhe e
luftërave të brendshme për pushtet. Studiuesi Aurel
Plasari, duke iu referuar historianit Rene Grouset njofton:
“Kryqëzata e Katërt në të vërtetë parapërgatiti në mënyrë
afatgjatë, por të sigurt, pushtimin osman.” (Plasari: 176)
Është e çuditshme se ngritja e këtij shteti, i cili më
vonë do të bëhej perandori gjigante, që do të shtrihej në
tre kontinente, filloi nga një person i vetëm, Osmani dhe
në një qytet të vetëm, Bilexhikun. Në këtë qytet sot,
ekziston një pikë e njohur turistike, një tyrbe me
varrezat e osmanëve të parë dhe një xhami e viteve të
hershme të shtetit osman e bashkë me të edhe një
legjendë për ëndrrën e vjehrrit të Osmanit, sheh
Edebalit, që paskësh parë në ëndërr se si do të
shndërrohej si në një lis me shumë dega trashëgimia e së
bijës së tij, që do të martohej me Osmanin.
Si filloi ngritja e shtetit osman? Prirja fillestare e Osmanit
ishte që të kishte bashkëpunim me të krishterët në atë zonë.
Kjo do të bëhet në gjithë historinë e Perandorisë Osmane
një prirje e saj e pashmangshme, për arsye se ajo u shtri dhe
u zgjerua në territore që më parë ishin të banuara me të
krishterë. Vetë themeluesi i shtetit, Osmani, aleatin kryesor
në luftën e tij të hershme për pushtet e territore, e pati të
krishterin Mihal Qosja, i cili ishte sundimtar i Harmankajës.
Ndërsa, bashkëpunimi i shtetit të ri osman me Bizantin,
krahas konflikteve të armatosura që shpërthenin për
lokalitetet të ndryshme, ishte vendimtar për ngritjen e këtij
shteti të ri. Bashkëpunimi i Orhanit, të birit të Osmanit me
Gjon Kantakuzenin, qëlloi vendimtar për forcimin e shtetit
të ri osman.
“Joan Kantakuzenit iu desh që të kërkonte një aleat tjetër
(pas vdekjes së emirit të Ajdinit, (plotës yni.) Emiri më i
fuqishëm por njëkohësisht edhe fqinji më i afërt ishte emiri
osman, Orhani. Gjatë dimrit 1344-1345 Orhani e ndihmoi
Joan Kantakuzenin të pushtonte disa qytete, që ndodheshin në
Detin e Zi, me përjashtim të Sozopolit. Pas disa muajve Joan
Kantakuzeni i dha për nuse vajzën e tij, Teodorën. Në qershor
1346 u bë martesa me dasmë të madhe. (…) Më 1347 dhe
1349, të udhëhequra nga Sulejmani, njëri prej djemve të
Orhanit, këto trupa ndihmuan Joan Kantakuzenin që të
luftonte kundërshtarët e tij.“ (Mantrani: 32)
Martesa e Orhanit me Teodorën, vajzën e perandorit
bizantin, Kantakuzenit, sipas standardeve që kanë
mbretëruar në ato kohëra për legjitimitetin e sundimit, e
ka bërë atë “pjesëtarë të familjes perandorake“, me të
gjitha rrjedhimet që nënkupton ky status. Pra, dinastia e
osmanëve, pavarësisht që kishin fenë islame, ishin të
lidhur në një fije me familjen perandorake bizantine
Kantakuzeni dhe si të tillë kishin edhe pretendime për
sundim mbi Bizantin.
Edhe kalimi fillestar i osmanëve në truallin evropian,
ndodhi për shkak të aleancave të tyre me bizantinët,
ndërsa më vonë ata filluan të bashkëpunonin edhe me
sundimtarë të tjerë të gadishullit, të ftuar po prej tyre në
raste konfliktesh që zhvilloheshin ndërmjet sundimtarëve
të krishterë të Ballkanit :
“I biri i Joanit V, Matheu, Kantakuzen, bashkëpunëtor me
t’anë (1353-1357), i thirri përsëri trupat turke kundër serbëve
dhe bullgarëve. Mercenarët turq do t’i ftonin mandej Stefani
Dusan kundër Perandorisë, mbreti i bullgarëve kundër
hungarëve dhe vllehëve, përsëri Paleologët kundër rivalëve të
tyre të fronit, mandej despoti i Epirit kundër bizantonëve, dhe
me radhë zotër të tjerë të krishterë të rajonit që e kërkonin
“jashtë” ndihmën me sherret mes tyre: të gjitha veprime që
Jorga i ka quajtur “krime kundër besimit dhe racës.”
(Plasari: 185)
Edhe fillimi i prezencës së osmanëve në tokat e
arbërve, erdhi si pasojë e konflikteve ndërmjet vetë
arbërve dhe ftesës së tyre që osmanët të ndërhynin në
konfliktin e tyre:
“Më 1385 feudali shqiptar sundimtar i Durrësit,
(Durrazo) Karl Topia, i përzënë nga pronat e tij prej një fisi
sundimtarësh nga Veriu, prej Ballshajve, u bëri thirrje
otomanëve për ndihmë. Ballsha II nxitoi të kundërshtonte
turqit, por qëndresa e tij u thye pranë lumit të Vjosës
(Voyonsa). Duket se pas fitores së otomanëve zotët kryesorë
feudalë shqiptarë e njohën sovranitetin e Sulltanit.”
(Skendi: 17)
Faktikisht, arbrit kanë rënë nën sundimin osman pak
para se të ndodhte Beteja e Kosovës, e cila e dërrmoi
përfundimisht edhe sundimin serb në pjesët e tjera të
territoreve ku jetonin arbrit, por nën sundimin serb. Pas
humbjes së serbëve në betejën e vitit 1389, fillon
instalimi në një shkallë më të gjerë i sundimit osman në
territoret e gjera të Gadishullit Ballkanik. (Fragment nga libri “Ekskomunikimi si histori e fshehur”)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here