22 prill 1998

“Ngjarjet në Kosovë janë dramatike si në çdo luftë të gjatë, që herë zbutet dhe herë bëhet e ashpër dhe e përgjakur. Unë këtë dramë luftarake e kam përjetuar si shqiptar, apo më mirë si intelektual shqiptar, realist, i veshur me rrobat e luftës dhe jo me petkat romantike të salloneve sentimentale. Domethënë i kam përjetuar ngjarjet me një dhimbje krenare si të atij luftëtarit që lufta e ka gjetur në udhë e sipër dhe ky luftëtar mundohet t’i mbajë lotët duke shtrënguar dhëmbët, i bie kokës me grushte dhe bërtet: “Si nuk u ndodha në fushën e betejës!”. Ulërin për fëmijët, gratë dhe nëna e vrara dhe rend si një Maratonomak me një zemërim të tmerrshëm ndaj pushtuesve barbarë serbë. Mua tani më ka ikur përjetimi romantik, më ka ikur dhe dëshira abstrakte romanik—patriotike e stisur dhe artificiale për pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e popullit shqiptar. Nga kjo dhimbje e kam konkrete, realiste krenarinë për luftën popullore; e kam konkret dhe realist edhe qëllimin final të kësaj beteje. Mjaft me romantizma dhe politikë se u çmendëm…!

Tani zjarri është ndezur. Ky është një zjarr i shumëpritur. U shty dhe u shty me ankth dhe me frikë nga diplomatët shqiptarë e të huaj. “Obo-bo-bo, se mos na shpërthejë flaka”! Por drutë aq shumë ishin tharë sa zjarri buçiti dhe erërat fryjnë nga grykat e Shqipërisë andej Drinit dhe këndej. Prandaj zor se shuhet ky zjarr. Dhe nëse Evropa do të përpiqet ta shuajë duke premtuar ndonjë gjë të vogël, thëngjijtë do të mbeten të ndezur. Një gjë është kryesore: shqiptarët janë vënë në lëvizje për çështjen e tyre shqiptare dhe diplomacia evropiane dhe armiku gjithashtu është vënë në lëvizje, madje është trembur se zjarri në Kosovë mos përfshijë edhe Ballkanin dhe neve kjo frikë e Evropës na bën mirë! Ne duhet të mos e qetësojmë Evropën me fjalët “shqiptarët edhe këtej e tutje janë paqësorë dhe ndjekin rrugën paqësore për çështjen e tyre”.

Ne duhet ta bëjmë Evropën të kuptojë se Shqipëria është një shkëmb dinamiti dhe po nuk u zgjidh çështja e saj, zjarri i këtij dinamiti del në Karadak e në Olimb, në Malet Ballkanike dhe në Siçili. Atëherë me të vërtetë hapet dritë jeshile për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Dhe për këtë unë jam një optimist realist i përmbajtur dhe jo një optimist i çartallosur romantik. 3. Për t’ia arritur një qëllimi kombëtar nuk përdoret vetëm një lloj arme, vetëm arma e dialogut. Kjo është një valium për të të vënë në gjumë.

Popujt e tjerë nuk janë çliruar vetëm me dialog. Vietnami vetëm me dialog u çlirua? Bosnja me dialog u çlirua? Irlanda e Veriut me dialog po çlirohet? Irlanda e Veriut kishte dialoguar, por kishte edhe IRA-n. Kosova të ketë dialogun, por të ketë edhe UÇK-në. Pse irlandezët veriorë ta kenë UÇR-në dhe shqiptarët të mos e kenë UÇK-në?

Më të mirë se shqiptarët janë ata?Për sa i përket asaj sesi do ta shohë faktori ndërkombëtar problemin shqiptar, unë e thashë: Evropa duhet të bindet se shqiptarët nuk do ta shuajnë zjarrin gjersa të çlirohen. Evropa duhet jo vetëm të bindet, por edhe të frikësohet nga rrebeshi shqiptar.4. Shteti shqiptar ç’është e vërteta e ka intensifikuar luftën politike dhe diplomatike për çështjen e Kosovës dhe këtë e ka parë si çështje të përgjithshme shqiptare. Por ky shtet ka një lëkundje në strategjinë e tij për çështjen kombëtare.

Drejtuesit e tij një herë janë të mendimit se Kosova duhet të bëhet autonome, një herë republikë minus një, një herë republikë e pavarur dhe me radhë. Kjo lëkundje varet nga humori i forcave politike në Shqipëri dhe nga lëvizja diplomatike në Evropë e në Amerikë.

Për mendimin tim, shteti shqiptar duhet të jetë më i qartë dhe më konsekuent në strategjinë e çështjes shqiptare dhe të mos kthehet nga të fryjë era. Nga ana tjetër edhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar, edhe përfaqësuesit e qeverisë në Kosovë duhet ta heqin nga fjalori i tyre termin “terrorizmi shqiptar”, apo shprehjen qerpiç: “dënojmë terrorizmin ngado që të vijë”. Ka vetëm një terrorizëm, ai është terrorizmi serb. Gjithashtu, përfaqësuesit e shtetit shqiptar dhe ata të qeverisë në Kosovë duhet të mos ngatërrojnë UÇK-në me terrorizmin.

Ushtria Çlirimtare është një realitet i thirrur nga historia, do apo nuk do ti. UÇK-në e ka ftuar historia të dalë në shesh dhe historia është e plotpushtetshme, që nuk pyet as për qeveritarë, as për intelektualë, as për shkrimtarë, qofshin këta edhe nobelistë.Por shteti shqiptar duhet të bëjë një politikë të mençme për zhvillimin e Shqipërisë, një politikë të drejtë ekonomike, shoqërore dhe kulturore, një politikë pajtimi e bashkimi jashtë prirjeve përçarëse, korruptuese dhe bizantine.

Edhe problemin e Kosovës shteti dhe partitë të mos e përdorin artificialisht për interesat e tyre politike, duke u betuar se kush e do më shumë Kosovën! Kosova nuk ka nevojë për betime dhe lot mallëngjimi, për “ta marrça” e “t’u bëfsha”. Kosova ka nevojë për dashuri të ndërgjegjshme patriotike, për luftë konsekuente të gjithanshme për çlirimin e saj, se çlirimi i Kosovës është çlirimi final i Shqipërisë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se Shqipëria nuk është ende e çliruar dhe e pavarur, megjithëse ne festojmë 28 Nëntorin, ditën e flamurit me shqiponjën dykrenare. Në fakt, shqiponja jonë është njëkrenare. Ju thoni si të doni…!

****

Dorëshkrim mbi Çështjen Kombëtare dhe UÇK

Të nderuar pjesëmarrës,

Për zgjidhjen e Çështjes kombëtare shqiptare janë bërë shumë diskutime, janë mbajtur sesione shkencore, janë hartuar programe nga Akademikë në Tiranë e Prishtinë, janë botuar shumë libra dhe janë organizuar disa tryeza intelektuale. Të gjitha këto kanë ndihmuar Lëvizjet Kombëtare të vitetve 1968, 1974, 1981, 1989 dhe Luftën e UÇK-së në 1999 në Kosovë. Me ëndrrën e zgjidhjes së Çështjes Kombëtare Shqiptare shumë nga ne intelektualët kanë vdekur, dhe shumë jemi plakur. Po le t’i themi të vdekurve: ndjesë paçin dhe t’u urojme të gjallëve të plakur dhe të rinjve të kenë fat që ëndrra e zgjidhjes së Çështjes kombëtare t’u bëhet realitet, ashtu siç ëndërronin Rilindasit e mëdhenj.

Dhe mesa duket, pas Luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së Forcave Ndërkombetare në 1999 për Çlirimin e saj nga agresorët serbë, shpresat për zgjidhjen e Çështjes Kombëtare janë rritur, megjithe vesshtiresite jot e vogla. Por besojmë se me hir dhe me pahir, Kosova do ta ketë marrë Statusin e Shtetit të Pavarur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Kjo do të jetë pothuajse faza e parafundit e zgjidhjes së Çështjes Shqiptare. E them këtë se Çështja shqiptare zgjidhet, kur të ketë një Shqipëri: Shqipëria këtej Drinit dhe Shqipëria përtej Drinit – mbi të njëjtin truall dhe nën të njëjtën çati.

Këtë mendim na lejohet ta themi, pasi tryeza ku jemi mbledhur, nuk bën pjesë në tryezat qeveritare, ku merren parasysh konjukturat e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.

Megjithatë edhe mendmet e lira dhe të vërteta të tryezave jo-shtetërore, si kjo jona, nuk janë pa ndikim në politiken qytetare. Por tani për tani në këtë tryezë ne kuvendojmë dhe kërkojmë që të mbyllet përfundimisht Çështja e Statusit të Kosovës, dhe ajo të bëhet shtet i pavarur dhe i lirë para se ne pleqtë të vdesim dhe shumë më parë se të rinjtë të plaken”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here