Beteja e Albulenës ose e njohur ndryshe dhe si beteja e Ujëbardhës, është beteja më e suksesshme e Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe fitorja më e madhe historike e popullit shqiptar.
Sot më 2 shtator të vitit 1457 kujtojmë 565 vjetorin e betejës së Albulenës ku ushtria arbërore e Skënderbeut prej 8,000-10,000 ushtarësh arriti të shkatërrojë një ushtri osmane prej 80,000 ushtarësh të komanduar nga Isak Beu dhe nipi i Gjergj Kastriotit, Hamzai. Rezultati i betejës për osmanët ishte katastrofik.
Por si e arriti Skënderbeu këtë fitore të jashtëzakonshme?
Gjatë fundit të gushtit 1457, ushtria osmane bëri kamp në fushën e Ujëbardhës (Albulenës), ndërsa më 2 shtator 1457, me të parë që ushtria osmane ishte e papregaditur për luftë, Skënderbeu vendosi të kalojë në ofensivë me qëllimin e vetëm të bënte një sulm të rrufeshëm ndaj osmanëve për ti kapur ata në befasi. Gjatë natës Skënderbeu ndau ushtrinë në tri grupe dhe rrethoi kampin osman, ndërsa në mesditë, Skënderbeu urdhëroi sulmin. Forcat osmane u kapën në befasi. Zhurmat kalorësisë arbërore dhe e mijëra mjeteve metalike tmerruan osmanët, të cilët, të zënë nga paniku, u thyen shpejt. Për 2 orë i gjithë kampi osman ra në duart e Skënderbeut.
Në këtë betejë, humbjet e ushtrisë osmane ishin shumë të mëdha, rreth 15,000-30,000 ushtarë osman u vranë ndërsa 15,000 të tjerë u kapën rob, mes të cilëve dhe Hamza Kastrioti, ndërsa humbjet në ushtrinë arbërore ishin të pakta.
Fotoja është gravurë nga viti 1587 e cila paraqet sulmin arbëror në kampin osman gjatë betejës së Albulenës /old.albanian.history