Një studim i ri sugjeron se mbetjet e një monumenti antik në Uellsin Perëndimor, tregojnë se gurët që qëndronin në atë vend mund të jenë çmontuar dhe përdorur për të ndërtuar rrethin neolitik, Stonehenge, sugjeroi një studim i ri.

Studiuesit besojnë se disa gurë të përdorur në Stonehenge, afër Salisbërit në Anglinë Jugperëndimore, janë përdorur në një monument të mëparshëm që ndodhet rreth 280 kilometra larg prej andej në Uellsin Jugperëndimor.

Ekipi që bëri këtë zbulim nga Universiti i Kolegjit të Londrës (UCL), tha se kishte elementë kryesorë që lidhnin Stonehenge, të ndërtuar në vitin 3000 Para Erës Sonë, me rrethin e mëparshëm prej guri me emrin Waun Mawn.

Ata sugjerojnë se gurët ngjyrë blu – pra gurët e dallueshëm në ngjyrë blu dhe gri që e kanë origjinën nga Uellsi – mund të jenë zhvendosur nga ndërtuesit antikë të Stonehenge, ndërsa komuniteti i tyre migroi atje.

Gjetjet, që do të publikohen në revistën “Antiquity”, mund të shpjegojnë arsyen se pse monolitet u zhvendosën kaq larg, kur monumentet më të ngjashme që nga ajo kohë u ndërtuan afër guroreve të tyre.

Waun Mawn është një nga objektet rrethore më të vjetra prej guri në Britaninë e Madhe, dhe i treti më i madh në vend. Rajoni përreth ka qenë një zonë e rëndësishme dhe shumë e banuar deri në vitin 3000 Para Erës Sonë, kur duket se aktiviteti njerëzor u ndërpre papritmas.

“Duket sikur ata thjesht u zhdukën. Ndoshta shumica e njerëzve emigruan, duke marrë me vete gurët e tyre, që ishin identitetet e tyre stërgjyshore”- thotë arkeologu Majk Pirson, nga UCL. Me rreth 80 gurë blu të ngritur në pllajën e Salisbërit, ka të ngjarë që Waun Mawn, në Kodrat Preseli në Pembrokshajër, të mos ishte i vetmi monument i ricikluar në formën e Stonehenge, shton ai.

“Ndoshta në Preseli ndodhen shumë objekte të tilla që presin të zbulohen. Kush e di? Dikush që është me fat do t’i gjejë ato”-thotë më tej Pirson. Të dhënat shkencore nga karboni dhe sedimenti në vrimat ku gurët qëndronin në sitin arkeologjik në Uells, zbulojnë se ai ishte ngritur afro 400 vjet para Stonehenge, ky i fundit i shpallur një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ndërkohë ka të dhëna se ndërtuesit e Stonehenge e kopjuan monumentin në Uells. Waun Mawn ka një diametër prej 110 metrash- i njëjtë me terrenin ku shtrihet Stonehenge – dhe që të dyja janë të rreshtuar nga agimi i Solsticit të mesit të verës. / Sciencealert – Bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here