Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Jeta argëtuese në Tiranë është modeste, por nuk janë arsyet e dobëta ekonomike, që i japin këtë karakteristikë të thjeshtë. Ajo është modeste, sepse banorët e Tiranës vetë nga natyra, janë njerëz modestë dhe gati s´lakmojnë më shumë nga jeta, se bukë për ditën, kafe, cigare, raki dhe një a dy, frekuentim kafeneje apo kinemaje. Ndoshta edhe pak vajtje ardhje, midis familjesh, pra kjo është e gjithë. Ndonjë jetë restorantesh në kuptim kontinental, nuk ka farë kuptimi për ta dhe ato restauronte që ka, funksionojnë veç dhe vetëm si lokale për të ngrënë. Ndonjë jetë nate nuk ekziston fare, dhe Tirana është me siguri i vetmi kryeqytet në Evropë, që s´e di se çdo të thotë restaurant vallëzimi.
Kryeqyteti shqiptar është shumë më ndryshe nga qendrat e tjera ballkanike. Pa marrë parasysh madhësinë, dominon krejt tjetër atmosferë në Zagreb, Beograd dhe Sofje. Në qytetet jugosllave dhe bullgare, gjen një jetë të ethshme dëfrimi, e shtrenjtë dhe vulgare së bashku. Tirana është një qytet oriental në rrugë transferimi, në një perëndimor. Por ende peshon nga orientalizmi. Çdo familje është një njësi e mbyllur, që bën jetë për vete ose hyrje e dalje të kufizuar me familjet fqinjë. Unë kam theksuar, se Tirana është e hapur në një formë rrethi, shumë të madh me një shesh relativisht të dukshëm perëndimor, si pikë qendrore. Në periferi të këtij rrethi, gjen shtëpitë e vërteta të banimit. Ato bartin gjurma të pa përdorshmërisë. Fasadat e shtëpive, nuk janë deri në rrugë, por ndahen me mure të larta.
Mund sidomos natën, të japë përshtypjen e shëtitjes, midis një grumbulli kështjellash të mesjetës. Shtëpia e qytetarit nuk është një shtëpi në kuptimin e zakonshëm, përveç se një kështjellë parashikuar që t’i garantoj atij, atë izolim nga bota përjashta, të cilën ai absolutisht kërkon. Nëse ke shëtitur një herë në këto lagje, kështu që e kupton, pse mbrëmja e Tiranës nuk josh me dritare restorantesh dhe muzikë xhazi. Mbas orës tetë të darkës, Tirana është me pak përjashtime, gati një qytet i heshtur, po aq e heshtur sa para disa pak orësh përpara gjëmonte, intensive dhe mahnitëse.
Në se e merr fjalën argëtues, me kuptimin e saj të gjerë, e cila përmbledh gjithçka, që të ofron një pushim të mirëpritur nga puna e lodhshme e ditës, atëherë duhet të jetë logjike në përshkrimin e jetës argëtuese të Tiranës, t´a fillosh me cigaren. Duhani luan siç duket në të vërtetë, një rol më të madh në Shqipëri, se sa në ndonjë shtet tjetër evropian. Ai përbën pjesën jashtëzakonisht të madhe, që bën jetën të vlefshme për t´a jetuar. Autoritetet shqiptare e dinë këtë, kur ata befasuan nënshtetasit t´i konfrontojnë, me monopolin e duhanit. Çmimet e monopolit janë jashtëzakonisht të arsyeshme. Ata madje dhe nuk kanë guxuar, të vejnë çmime të ndryshme për cigare të ndryshme.
Ka shumë lloj cigaresh, por të gjitha kushtojnë njësoj: 25 qindarka, për 20 copë. Tregtarët e duhanit i kanë vënë në stiva kutitë më të bukura të cigareve, nëpër dritaret e dyqaneve. Ato janë paketa të gjelbërta, blu dhe të bardha, disa me emra standarde evropiane, të tjerat me emra fare shqiptare, dhe të gjitha janë të mrekullueshme. Duhani shqiptar është i butë dhe i këndshëm, autoritetet kanë shpresa të mëdha, për një eksport të ardhëm, me gjithë konkurrencën shumë të ashpër, prej Greqie, Bullgarie dhe Turqie, e ka bërë atë që ndonjë eksport i rëndësishëm, akoma nuk ka mund të fillojë.
Duhani përbën pra një nga karakteristikat e jashtme të shqiptarit. Nëse ai nuk e ka cigaren në gojë, atëherë e ka vu në vesh. Kafet e Tiranës janë të mbushura me qiejt më të dendur të tymit të duhanit, që unë ndonjëherë kam parë. Ke ndërruar dy fjalë me një person të pa njohur, ai menjëherë të ofron një cigare. Gratë pinë duhan, po aq sa burrat, por jo në publik kur shamia dhe tradita e pengojnë. Unë kam mund ta konstatoj këtë, nga gishta e tyre me ngjyrë duhani. Por njësoj si italianët edhe shqiptarët, preferojnë cigare.
Ndonjë puro nuk prodhohet fare. Unë jam veç se i kënaqur, që puroja nuk ka gjetur ndonjë publik këtu. Do të ishte e lemeritshme, të shihje këta shqiptarë të veshur kaq bukur, me pallto me qëndisje të larmishme dhe shallvare të bardhë, të ecnin duke thithur në kudurminë e zi. Mjafton plotësisht me çadrat gjysmë të mbyllura, që me qejf mbajnë nën dorë dhe se aty shkakton një rrezik serioz, kundër romantizmit shqiptar. Si do të ishte, sikur Mbreti Zog, të urdhëronte me i’a heq këto surrogate të dyshimta, në vend të pushkëve tashmë të ndaluara?
Mbreti Zog ushtron, siç e kam përmend, një nga kushtet e rrepta të nevojshme të diktaturës politike. Ndoshta mundej për arsye të pozitës që ka, të ndërmerrte përkufizime më të mëdha, në liritë e nënshtetasve të vet. Por ka dy gjëra, të cilat janë tabu absolute: kafja dhe duhani. Ai mund të ngrejë taksat, të zgjas kohën e shërbimit ushtarak, të mbyllë të gjitha kafet e Tiranës, nëse ai dëshiron. Një atentat kundër duhanit, më lejoni të themi në formën e ngritjes së madhe të çmimit të konsumuesit, do të shkaktonte diçka të tmerrshme. Unë pyeta një shitës cigaresh, se çfarë mendonte ai, nëse do të kishte rezultat, një ngritje çmimi një lek, për një paketë cigaresh. Ky burri i sjellshëm hezitoi në fillim, që t’í përgjigjej kësaj pyetje. Ai mendoi se unë u talla me të. Por kur unë insistova, atëherë u përgjigj me një ton serioz të vendosur me vetëm një fjalë elokuente: Revolucion.
Më tepër nuk i duhej atij të thoshte. Unë dëgjova tashmë thirrjet luftarake, të dëgjohen prej Shkodre në Sarandë dhe pashë luftëtarët e vjetër, të oshtinin në gryka dhe qafëmalesh. Revolucion, revolucion…!
Një ngritje të pa arsyeshme të çmimit të kafes, do të sillte sigurisht rreziqe të njëjta, sepse në jetën e shqiptarit, kafja luan të paktën, të njëjtin rol aq të madh, sa cigarja. Kafja është një simbol i qetësisë dhe rehatit, për bujari dhe kulturë. Ajo është një mjet kënaqësie dhe karakteri të shenjt. Ti mund të jesh i vobektët, si një që merret me gomar ose i pasur si një bej Elbasani, nuk fton ti për një filxhan kafe, atë që të shkel në prag të derës, atëherë ke shkel ligjet, më fondamentale të krahinës. Nuk ka asnjë rëndësi se kush është, që vjen brenda. Ai qoftë mik apo armik, zengjin ose fukara, i njohur apo i panjohur, mjafton që ai qëndron në pragun tënd, ai është mysafiri yt dhe të kërkon, miqësinë tënde.
Të ftosh për një filxhan kafe, është obligimi i parë në botë, shumë më e rëndësishme, se sa shtrëngim duarsh ose të thuash mirëdita. Kafja e fillon miqësinë. Së pari vihen filxhanët e vegjël përpara dhe aroma e ëmbël, të gudulis këndshëm vrimat e hundës, pastaj fillon muhabeti. Kjo bisedë mund të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme. Ndoshta trajtohet të merret një vendim i shpejtë ose të parashtrohet një çështje urgjente. Etiketa është gjithnjë e ngurtë: përpara kafe, pastaj çështja.
Në fillim të ardhjes time në Shqipëri, para se unë ende nuk e kisha kuptuar, rëndësinë e kësaj ceremonie të kafes, nuk më shpëtonte të vëreja edhe pse shpejt dhe fshehtas, por një irritim, tek disa persona të autoriteteve zyrtare, që unë pata kontakt. Një suedez e ka zakon, që në një vizitë tek shefi i Policisë ose tek nëpunësi i ministrisë, menjëherë dhe pa ngurrim të paraqesë çështje e tij. Kjo nuk tingëllon mirë në Monarkinë e Mbretit Zog. Një kërkesë takimi, të një nëpunësi për të marrë informacione, përfshinë katër momente të rëndësishme, radhitja e të cilave nuk ndryshon:
- Prezantim dhe disa fjalë të përzemërta mbi kohën, erën, bukurinë e qytetit ose vendit etj.
- Pirja e kafes.
- Hapja e bisedës për arsyen e vizitës.
- Refuzimi dhe një filxhani tjetër kafe.
Ndonjë orë pas ardhjes sime në Tiranë, bëra sipas marrëveshjes me shkrim, përpara një vizitë tek shefi i Shtypit, tek seriozi i sjellshëm Dr. Sherko, i cili ka selinë në ndërtesën e ministrisë së Brendshme. Pas pirjes së kafes, më shoqëroi Dr. Sherko, për te shkëlqesia e tij ministri i Brendshëm, ku ato katër pikat e lartpërmendura, rifilluan po në të njëjtat forma kënaqësie. Prej zyrës së ministrit të Brendshëm, më çuan me radhë te shkëlqesitë e tyre ministrat i Jashtëm, Financë, Kulturë dhe Drejtësisë, të gjithë simpatikë dhe zotërinj të kulturuar, të cilët në asnjë mënyrë, devijuan nga programi tradicional i pritjes.
Vizitat qenë fare të shkurtra dhe kur unë u ktheva në hotel, kisha qenë larguar ekzakt, një gjysmë ore. Unë atëherë kisha pirë gjashtë filxhanë kafe, por më vonë konstatova se kishte qenë me të vërtetë e çuditshme, që unë nuk kisha arrit me më shumë filxhanë gjatë kësaj kohe, kaq të gjatë sa tridhjetë minuta. Duke kaluar nëpër hotel, më priste një befasi. Në tavolinën time në dhomë, ndodheshin pesë kartëvizita të palosura. Unë lexova me radhë emrat e të pesë ministrave.
Këtë duhet ta quash përgjigje vizite në taktin modern. Nuk është vetëm, që vetvetiu, kënaqësia dhe kultura e etiketës së pirjes së kafes, ka shkuar në absurditet. Tregtarët qerasin me kënaqësi myshteritë me kafe, posaçërisht nëse ai është i huaj dhe pra, supozohet të jetë në gjendje të mirë ekonomike, sipas metrit shqiptar. Sepse si për mua dhe zonjën time, qe e pamundur të blinim diçka, thjesht gjëra të vogla, pa pirë kafe me shitësin. Pati ditë, që unë numëroja filxhanët e kafes dhe arrita deri në shtatëmbëdhjetë. Po kjo është një shifër modeste në krahasim me atë, që vetë banorët e Tiranës arrinë. Tridhjetë-dyzet filxhanë, për ditë nuk është aspak e jashtëzakonshme. Një ditë pyeta kamerierin e vogël simpatik të restorantit “Adriatik”:- Nuk ju dhemb barku nga ky konsumimi kaq i madh i kafes? Ai më shikoi, dhe pyeti: -Dhimbje barku? Unë nuk e kuptoj tamam këtë…! Për këtë anë të çështjes, nuk kishte reflektuar kurrë ai. Asnjë nuk reflekton mbi këtë. Kjo është mirë kështu siç është.
Tani janë dy rrethana, të cilat janë të rëndësishme për ta kuptuar drejt këtë kafe, kulturë të çuditshme: madhësia e filxhanëve dhe aroma e jashtëzakonshme e kafes. Kafja shqiptare është një kafe turke e modifikuar. Ajo është shumë e imët, piqet së bashku me sheqerin, në një xhezve të vogël, të çuditshme bakri dhe sapo fillon të vloj, zbrazet në filxhan, i cili është pak më i vogël, se një filxhan i kafes ‘Moka’. Pas ndonjë minute bie kafja e trashë në fund dhe sipër saj një lëng, i errët, që ka një aromë të mrekullueshme.
Por ndryshe nga orientalët e vërtetë, shqiptarët e pjekin kafen më të butë, në krahasim me të atyre. Ajo nuk është aq intensive si p.sh. turkja, por shijon krejtësisht stimuluese. Siç duket është kjo arsyeja, që shpjegon, sëmundjet e stomakut, s´janë më të zakonshme. Për atë të cilit i pëlqen ta shijojë, i bëhet pasion. Me gjithë numrin e shumtë të filxhanëve të kafes, që neve me ose pa dëshirë, ftoheshim për çdo ditë, u bë plotësisht e natyrshme të porosisnim, një filxhan çdo një ose çdo dy sahat. Neve nuk pimë, në të vërtetë, kurrgjë tjetër, përveç kafes dhe nuk patëm asnjë dëm prej saj.
Në Suedi, kafja zakonisht karakterizohet si pija nacionale suedeze. Atëherë është kjo kryesisht në Shqipëri, pija nacionale. Unë nuk guxoj të mendoj se çfarë do të ndodh, nëse Shqipëria për një, apo tjetër arsye, bllokohej nga importi i kafes. Unë dyshoj, se mundësisht një pushtues i huajë më forcën e armëve, t´a nënshtronte vendin. Natyrisht do të ishte ai zot vetëm si emër, por jo më shumë. Për këtë pike, historia jep përgjigje të qartë. Por ndoshta do të arrihej me një bllokadë efektive të kafes. Ndjekjen dhe shtypjen, fukarallëkun dhe urinë, mund ta duroj shqiptari. Për arsye se ai është shumë i përvojshëm. Por pa kafe? Veç Zoti e di se si do të bëhej, pa kafe!
“Nacional”, më e madhja nga dy kinematë e Tiranës, është mbushur deri në karrigen e fundit. Poshtë në parket, janë ulur shumica e popullit: fare përpara një grumbull çunash rrugaçë, pas të moshuar, por gati jo aq xhentëlmen. Ziejnë radhët e karrigeve nga shqetësimi. Njerëzit shkojnë e vijnë, bërtasin e përshëndesin me dorë, vizitojnë njëri tjetrin, një dëfrim i mrekullueshëm. Nuk mundesh me pa një kokë pa mbuluar. Mbi qeleshet e bardha dhe të zeza, valëvitet një re gri e errët nëpërmjet të cilës, sheh zjarrin e shumtë të cigareve, sikur xixëllonja. Ajo erë, që ngrihet ngadalë në tavan, s´është e këndshme. Ajo nuk kundërmon vetëm duhan dhe njerëz. Ajo kundërmon edhe hudhër, por ajo erë nuk është tipike shqiptare. Mbi gjithë Ballkanin, qëndrojnë pezull me të vërtetë re të ndyta, të perceptueshme të padukshme, të erës së hudhrës. Por është e pa besueshme, se si njeriu aklimatizohet. Ditët e para në Ballkan, njeriu reagon rrëmbyeshëm. Pas një jave, janë zhduk retë e hudhrës.
Lart në lloxhë ulemi ne klasa e lartë, që kemi vakt të paguajmë një lek për biletë. Atje poshtë janë biletat, shumë më të lira. Atje ulesh për pesëdhjetë qindarka dhe bile më pak, por në “lloxhën” e tribunës, duhet të paguash për privilegjin e dallimit social, që këto karrige përbëjnë. Në lloxhën pranë, janë grupuar mbi dhjetë oficerë, rreth një gjenerali të respektueshëm, në gjoksin e të cilit gërshetohen kordonët e adjutantit mbretëror, si gjarpërinj të florinjtë. Është një burrë i pashëm madje, me paraqitje inteligjenti dhe pak flokë të thinjura. Kur unë dua të ndez një cigare dhe nuk gjej çakmakun, përkulet menjëherë përpara dhe më zgjat një shkrepëse të ndezur. Kur unë përgjigjem me “Merci, exellence”, u përkul me xhentiles dhe buzëqeshi me dhëmbë të mirëmbajtur. Është fare korrekt të përdorësh titullin ekselencë, kur ke arsye të supozosh, se personi në fjalë i përket shtresës së lartë të shoqërisë.
Më vonë mësova t´a njoh përsëri këtë gjeneralin elegant: Leon di Gjilardi, një ish oficer austro-hungarez, që nga shkaku i rrethanave, ka hy në shërbim shqiptar dhe ka arrit të bëhet, një faktor i fuqishëm në politikën shqiptare. Ai ishte një nga miqtë më të zgjedhur të Mbretit. Para disa vjetësh, në të vërtetë dihej nga të gjithë, se kishte konflikte midis këtyre dy zotërinjve, por një pajtim rrënjësor u arrit dhe në sajë të sjelljes së këndshme dhe të gëzuar, u bë di Gjilardi, idhulli i shpallur i Oborrit Mbretëror të Tiranës. Në gusht 1935, vetëm ndonjë muaj pas ardhjes time në shtëpi, prej Shqipërie, ai vritet në qytetin e vogël Fier, nga një gazetar. Vrasja synonte të jepte sinjalin e një përpjekje revolte, që në fakt u shua, që në fillim por epilogu i saj përmbajti, jo më pak se 31 dënime me vdekje.
Kur gjenerali popullor u varros, qëndroi Zogu te shkallët dhe i dha lamtumirën e fundit, mikut tij të vrarë. Tani në darkë mbështetet ky gjenerali i famshëm, prapa në karrige i kënaqur dhe oficerët e tij, shikojnë sa majtas djathtas, për të zbuluar ndonjë damë në lokal. Por është mundim i kotë. Nuk ka as dhe një grua, në këtë kinemanë e madhe, të mbushur përplot. Drita shuhet dhe aparati i zërit të filmit fillon. Numri i parë në program, është ky i suksesit botëror, që në Suedi, xhirohet me emrin “Sulltani i kuq” dhe artisti gjerman Fritz Kortner, luan rolin e personalitetit të komplikuar, të Abdyl Hamidit.
Atje sheh një Sulltan të frikësuar, dyshimtarë i sëmur, që sillet vërdallë në pallatin e tij të mrekullueshëm (i cili nuk ka gjë të përbashkët me Yildiz, qoshkun e vërtetë) dhe thur intriga dhe pusi. Është një sundues fatkeq, i fortë dhe i dobët, në të njëjtën kohë. Ai frikësohet nga gjithçka: shtete, individë, sende të vdekura. Jo pak i trembet Shqipërisë, ky vend, që e ka furnizuar me ushtarët më të mirë dhe nëpunësit shtetëror më inteligjentë, por shërbimin e tyre e ka shpërblyer me terror dhe persekutim.
Kjo ka sigurisht signifikimin e saj, të ulesh në një kinema Tirane dhe të shohësh këtë film, mbi një burrë dhe një shtet, të cilin Shqipëria, dëshiron ta harroj. Shumë nga këta, që janë ulur dhe zgurdullojnë sytë, me gojë hapur në ekran, kanë përjetuar atë kohë, kur sulltani i kuq nga ndjenja e persekutimit, inspironte operacione ndëshkimore dhe bënte jetën të vështirë dhe të pasigurt, për secilin nga nënshtetasit e vendit. Por kur unë studioj oficerët afër meje, kam përshtypjen se pothuaj asnjë, nuk interesohet për përpjekjet e Kortners të japë një shpjegim psikologjik, të masave të ashpra qeveritare të Sulltanit.
Ata flasin dhe qeshin dhe i ofrojnë njëri tjetrit cigare. Por kur regjisori u paraqet spektatorëve, haremin e shumë përfolur të Abdyl Hamidit, mbajnë pupilet e syve të ngrira në fytyrë. Dhe kur baleti përdredh këmbët e bukura, në teatrin privat të Oborrit të Sulltanit, ku sundimtari është ulur, vetëm, në kolltukun e parë, goja e spektatorëve, rri hapur dhe figurat si të derdhura në hekur. Mua më duket se shoh një farë xhelozie në shikimin e tyre. Por natyrisht është padrejtësi, që është vetëm ‘Sulltani i Kuq’, në vendin e tij afër skenës së teatrit të Oborrit, i pajisur me një dylbi të madhe dhe të fortë…!Memorie.al
MESAZHI
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Përkthyer nga Adil N.Biçaku