Nga Kreshnik KUÇAJ

Një nga problematikat më të mëdha historike që ka frenuar zhvillimin e Shqipërisë vlerësohet se ka qenë çështja e pronësisë. Kjo konsiderohet si një problematikë historike e nisur që me shpalljen e Pavarësisë dhe e komplikuar edhe më tej me ligjet apo Reformat Agrare, që në fund e kanë bërë thuajse të pazgjidhshëm ‘lëmshin’ që krahas frenimit të zhvillimit, ka krijuar jo pak konflikte që kanë përfunduar, ose në gjykatë ose në vetëgjyqësi.

SCAN sjell për herë të parë në një cikël artikujsh një “diagnostikim” të plotë historik të çështjes së pronësisë duke nisur nga vitin 1912 kur u shpall Pavarësia për të analizuar më pas ngjarjet dhe ligjet që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht në këtë çështje.

Artikulli i parë trajton periudhën 1912-1930, kohë kur nisi të krijohet për herë të parë ngatërresa me çështjet e pronësisë në Shqipëri.

Në artikullin e dytë do të trajtohet reforma agrare e viteve ’30, studimi dhe rekomandimet e profesorit italian Giovanni Lorenzoni, kush përfitoi e kush humbi nga kjo Reformë, sa tokë u nda dhe sa u shit etj.?

Në artikullin e tretë do të analizohet Reforma Agrare e vitit 1945 ndërsa në artikullin e katërt, ligji 7501 që u miratua pas rënies së regjimit komunist.

Studimi i parë për pronësinë e Shqipërisë së 1912 dhe lindja e fenomenit të uzurpimit të pronave

Me shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912 dhe shkëputjen nga Perandoria Osmane,  Shqipëria njohu menjëherë fenomenin e abuzimit me pronat. Prona që u prek e para, ishte ajo shtetërore.

Por cila ishte situata e pronës në Shqipërinë në momentin e shpalljes së Pavarësisë?

Panoramën më të saktë e jep një studim i vitit 1913, që ka shërbyer si bazë për çdo studim të mëvonshëm të kryer për pronësinë në Shqipëri.

Në mars të vitit 1913, Shoqëria Italiane për Progresin Shkencor do të diskutonte idenë e dy profesorëve Vito Voltera e Carlo De Stefani për të organizuar në Shqipëri një ekspeditë shkencore.

Kësaj ideje i kishte paraprirë një vizitë e një profesori tjetër, Giovanni Magrini, që rekomandonte se Shqipëria duhej të analizohej në aspektin gjeologjik e bujqësor.

Ndërkohë, Bartolomeo Morschi në atë periudhë Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë në Itali kishte nisur punën për të gjetur personat që merrnin përsipër që të studionin kushtet bujqësore të Shqipërisë e që shfaqnin gatishmërinë për të udhëtuar në anën tjetër të detit.

Këtë detyrë e pranuan Profesor Umberto Rosati dhe Doktor Gaetano Baudin. Ministria e Luftës nga ana e saj do t’i bashkangjiste ekspeditës dy zyrtarë të ushtrisë, major Silvio Egidi dhe kapiten Giovanni Magrini që do të shoqëronin ekspeditën jo vetëm si ushtarakë por edhe si studiues.

Misioni italian do të niste udhëtimin në Shqipëri pa humbur kohë, në fillim të shtatorit të vitit 1913.

Në raportin përfundimtar për Shqipërinë, Profesori Giorgio Dal Piaz bën një përshkrim ku evidenton se udhëtimi do të përballej me vështirësi të shumta.

Ekspedita do të niste nga qyteti i Vlorës e udhëtimi nëpër Shqipëri do të zgjaste 20 ditë. Raporti përfundimtar do të përmbante detaje shumë interesante jo vetëm për pasuritë nëntokësore të Shqipërisë por gjithashtu edhe për situatën e pronësisë.

Studimi i profesorëve italianë do të publikohej në vitin 1915. Ai do të ndahej në dy pjesë, ku pjesa e parë përmban të dhëna për pasuritë natyrore të Shqipërisë ndërsa pjesa e dytë përmban të dhëna të detajuara e shumë interesante për mënyrën e organizimit të bujqësisë. Studimi për bujqësinë do të realizohej nga Umberto Rosati dhe nga Gaetano Baudin.

Ky i fundit, krahas të dhënave, lidhur me mënyrën sesi ishte ndarë toka në zonat e zhvilluara të vendit, bën një analizë të rentabilitetit të çifliqeve të asaj periudhe, kohë në të cilën akoma nuk ishte realizuar Reforma e parë Agrare…

Një pjesë e rëndësishme e raportit të ekipit italian i kushtohej çështjes së pronësisë dhe stadit të zhvillimit të bujqësisë në terësi.

Kjo pjesë e materialit do të përgatitej nga profesor Umberto Rosati dhe do të përmbante në mënyrë të detajuar të dhëna për mënyrën sesi ishte ndarë prona, si funksiononin fermat, taksat që paguheshin, marrëdhëniet mes bejlerëve dhe bujqve, të drejtat dhe detyrimet etj.

Në Shqipëri pronësia e tokës ishte pak e ndarë: dominonin kudo, por veçanërisht në Shqipërinë e mesme dhe atë të jugut si dhe në zonat fushore, çifligjet e mëdha që ishin në pronësi të shtetit, të bejlerëve apo të pashallarëve, shumë nga të cilët zotëronin mijëra e mijëra hektarë tokë.

Sipas Rosatit, origjina e këtyre pronësive të mëdha private nuk ishte e largët; ajo fillonte nga koha e sulltanit Abdul Hamid i cili u jepte tokë shtetërore subjekteve të ndryshme që tregonin besnikëri apo që kishin influencë. Po ashtu, ishin krijuar pronësi të mëdha si rrjedhojë e blerjes me çmime të ulëta nga qeveria turke.

Në një bilanc të përgjithshëm që bën profesori italian, ai del në konkluzionin se 2/3 e pronës në Shqipëri i përkistë pronarëve të mëdhenj privatë ose shtetit dhe vetëm 1/3 e saj i përkiste pronarëve të mesëm e të vegjël.

Kjo na jep të kuptojmë se në vitin e parë të pavarësisë, Shqipëri nuk kishte një copëzim të skajshëm të tokës bujqësore e të pronave. Skema që përdorej në këtë periudhë ishte që pronarët e tokave i jepnin ato me qira, ku familje të ndryshe vinin në pronë, banonin aty, punonin tokën dhe një pjesë të prodhimit e mbanin vetë e një pjesë tjetër ia jepnin pronarit të tokës.

bejleret-2-1024x498

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here