Ali Pashai do të realizonte ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës në vitet 1812-1813. Ai ishte i gjatë 12 km dhe nëpërmjet një arkitekture të veçantë, me ura dhe harqe, sillte ujë nga mali i Sopoti për të furnizuar kalanë
Nga Blerim Kore
Mbetjet e ujësjellësit të famshëm të Kalasë së Gjirokastrës, i cili nëpërmjet urave të gurta sillte ujin nga mali i Sopotit për të furnizuar kështjellën, vazhdojnë të tërheqin kërshërinë e vizitorëve të ndryshëm që mbërrijnë në qytetin e gurtë.
Nga ujësjellësi i dikurshëm, i ndërtuar i gjithi me gur ka ngelur një urë e gurtë, në pjesën e sipërme të lagjes “Dunavat” si dhe disa fragmente muresh dhe harqesh, në zona të ndryshme të pjesës veriore të kalasë. Ujësjellësi i gurtë, i Kalasë së Gjirokastrës, përbën një ndër ndërtimet më të veçanta për kohën e vet. Ai ishte i gjatë 12 km dhe nëpërmjet një arkitekture të veçantë, me ura dhe harqe, sillte ujë nga mali i Sopoti për të furnizuar kështjellën e Gjirokastrës.
Sipas studiuesve, megjithëse në disa dokumente historike flitet se ujësjellësi është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, në vitet e kulmit të sundimit të tij në Pashallëkun e Janinës, sërish ndërtimi i ujësjellësit të gurtë të kështjellës ka fillesa më të hershme. Studiuesit mendojnë se ndërtimi i tij i përket shekullit të XII ndërkohë që Ali Pasha do të restauronte pjesë të rëndësishme të tij, duke qenë i fundit që jepte kontributin në lidhje me ndërtimin e ujësjellësit.
Ndërkohë sipas burimeve historike Ali Pashë Tepelena do të realizonte ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës në vitet 1812-1813 si pjesë e ndërhyrjeve në kështjellën e qytetit. Krahas ndërhyrjeve në kështjellën e gurtë Ali Pasha do të ndërtonte edhe ujësjellësin, i cili i ngritur mbi një sistem kanalesh dhe urash madhështore, do të furnizonte me ujë nga mali i Sopotit kështjellarët. Ashtu si pjesa më e madhe e fortifikimeve dhe kështjellave të ndërtuara nga Veziri i Janinës në këtë periudhë edhe kjo vepër e veçantë do të mbante firmën e arkitektit Petro Korçari.
Lexo edhe : Ataturku, babai i turqve
Ujësjellësi ose ndryshe “aquadoti” ishte i ndërtuar mbi ura dhe harqe të gurta, ku pasi ujë kalonte në një sistem kanalizimesh të gurta, depozitohej në rezervuaret në brendësi të kalasë. Por ai që do ta përjetësonte ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës, si një dëshmi e vërtetë për këtë vepër të rrallë në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit, do të ishte piktori i famshëm britanik Eduard Lir, i cili gjatë udhëtimeve të tij në Jug të Shqipërisë e vendosi ujësjellësin e Kalasë së Gjirokastrës në qendër të një tabloje të vet. Krahas vlerave artistike kjo tablo është edhe një dëshmi historike në lidhje me ujësjellësin e gurtë të Kalasë së Gjirokastrës.
Dëshmitë historike në lidhje me ekzistencën e pjesëve të veçanta të këtij ujësjellësi i gjejmë deri në fillim të viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Ndërkohë një ndër mbetjet më të veçanta të këtij ujësjellësi vazhdon të jetë një urë e gurtë mbi lagjen “Dunavat”. Ura, e cila njihet ndryshe edhe me emërtesën “Ura e Ali Pashës”, është e ndërtuar e gjitha me gur dhe është e lartë 16 metra, e gjatë 40 metra dhe ka një gjerësi 2.3 m. Kjo urë, dëshmi e ujësjellësit të famshëm tregon për vlerat arkitektonike, ndërtimore dhe mjeshtërinë e gurgdhendësve gjirokastritë, të cilët realizuan ujësjellësin e kështjellës.
Edhe në ditët e sotme studiues apo vizitorë kureshtarë ngelen të mahnitur nga mjeshtria e ndërtimit të saj. “Ndihem mjaft i emocionuar që kam parë nga afër një vepër të tillë dhe mendoj së është diçka e veçantë”, thotë hollandezi Harmond Din, pasi ka vizituar Urën e Ali Pashës. Si ai edhe vizitorët e tjerë shprehin vlerësimin në lidhje me këtë vepër të rrallë arkitektonike dhe historike.
Dëshmitë, mbetje të ujësjellësit të gurtë të Kalasë së Gjirokastrës vazhdojnë të përbëjnë një element interesant