Në vitin 2002, një kryeadministrator energjik, gjermani Michael Steiner, kishte bërë një udhëtim special me helikopter nga Prishtina deri në Beograd. Guvernatori i OKB’së për Kosovë kishte shkuar atje me mision për ta sjellë “Hyjneshën në Fron”, të cilën e kishte vjedhur Serbia derisa administronte dhe e mbante Kosovën me ushtri e polici. Që prej atëherë, ajo që njihet si kulturë materiale e vendit, një pjesë e saj ose 1247 artefakte mbahen atje. Autoritetet e Kosovës kanë zgjedhur t’ua rikujtojnë këtë ndërkombëtareve, duke i postuar këto figurina në Twitter, pikërisht kur po u bëhet presion që ta zbatojnë vendimin për Manastirin e Deçanit.

Gazeta Express

“Hyjnesha në Fron”, kopjet e së cilës tani janë dhuratë e pashmangshme nga institucionet e Kosovës për të huajt, ishte kthyer në Prishtinë dhe ruhet në muzeun kryesor të Kosovës. Por, përveç objektit arkeologjik – me gjasë më të njohurit në Kosovë – që kryeadministratori e kishte liruar me influencën e vet, mbi 1247 artefakte të regjistruara nga arkeologët e Kosovës mbahen në Serbi. Kosova i konsideron të vjedhura.

Në fakt, pos dëmeve në njerëz e shkatërrimeve në infrastrukturë, ka një konsensus se Serbia i ka vjedhur diçka Kosovës.

Ish-emisari i OKB’së për statusin final, Martti Ahtisaari, këtë e kishte elaboruar në mënyrë metaforike në vitin 2008 kur kishte marrë çmimin Nobel për Paqe për rolin e tij si ndërmjetës nëpër botë, përfshirë edhe Kosovën ku ishte involvuar dy herë.

Hajninë e Serbisë e kishte përmendur në CNN para gazetarit Jonathan Mann.

“Për shembull, të themi se Serbia është hajni dhe ia ka vjedhur kuletën Kosovës. Nëse unë jam ndërmjetës, unë nuk i këshilloj ata që të vendosin se sa para duan të mbajnë e sa t’ua kthejnë atyre që ua kanë vjedhë kuletën. Duhet ta kthejnë kuletën që e kanë vjedhur, e pastaj të shkojnë në burg për atë që e kanë bërë”.

Në propozimin e tij për statusin e Kosovës që e kishte bërë në vitin 2007 duke ia bashkëngjitur edhe rekomandimin për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, Presidenti i Finlandës e kishte adresuar edhe këtë çështje. Ai kishte kërkuar që të gjitha artefaktet që ishin marrë nga muzetë e Kosovës të kthehen në Kosovë 120 ditë pasi marrëveshja të hyjë në fuqi. Por, Serbia s’e kishte pranuar pakon e Ahtisaarit dhe ato s’janë kthyer kurrë.

Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata në Bruksel. Krahas tyre, dy vendet manifestojnë armiqësi e mosdurim sa herë që kanë rastin.

Ditëve të fundit Ministria e Kulturës ka nisur një fushatë që këto artefakte të mos mbahen ilegalisht në shtetin serb.

Institucioni që drejton Ministri nga radhët e VV’së, Hajrulla Çeku, ka nisur të përmendë edhe me emra artefaktet e vlefshme të Kosovës që janë vjedhur nga Serbia. Për këtë, Ministria e Kulturës po iu bën thirrje edhe institucioneve europiane që të reagojnë dhe ta sanojnë këtë padrejtësi.

“1247 artefakte të Kosovës të mbajtura padrejtësisht dhe ilegalisht në Serbi. Për më shumë se dy dekada, Serbia vazhdon të mbajë artefaktet tona padrejtësisht, duke shkelur konventat e UNESCO-s, marrëveshjet origjinale për kthim dhe dokumentin e Ahtisaarit”, thuhet në një nga postimet e fundit të Ministrisë në Twitter.

“Okarina është një instrument muzikor i bërë nga balta e pjekur. I përket periudhës së neolitit të hershëm (mijëvjeçari VII–VI p.e.s.). Gjetur në Runik, Skënderaj, Republika e Kosovës. Na ndihmoni! Ktheni OKARINËN në shtëpi”.

Kthimi i këtij instrumenti identitar është edhe peng për mjeshtrit kosovarë që luajnë me të.

Thirrjen e njëjtë, Kosova e drejtoi edhe për figurinën antropomorfe.

“Kjo figurinë antropomorfe i përket periudhës së neolitit të vonë (mijëvjeçari V – IV p.e.s.), kulturës së Vinçës. Gjetur në Fafos II, Mitrovicë, Republika e Kosovës”.

“Skulptura e mermerit e njohur si ‘Zonja Dardane’ paraqet një shembull unik të krijimit artistik të popullatës autoktone, të krijuar në shekullin II – III. Gjetur në Vërban, Kllokot, Republika e Kosovës”, është artefakti tjetër për të cilin Kosova kërkon llogari.

““Koka e aktorit” e mermertë (shek. II pas Krishtit), është zbuluar në Nekropolin Verior (Memoria) të qytetit të periudhës romake, Ulpiana, Republika e Kosovës. Tregon ekzistencën e një Teatri ose Odeoni aty pranë”, është postimi i fundit nga Ministria e Kulturës.

Duke iu referuar Librit të Kthimit 1998-99, Ministria e Kulturës thotë se artefaktet u morën për një ekspozitë të përkohshme në Beograd, por 24 vjet më pas ende nuk u kthyen në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Serbia po shkel në mënyrë flagrante konventat e UNESCO-s, marrëveshjen origjinale dhe dokumentin e Ahtisaarit”.

Ky aktivitet i Kosovës po ndodhë në kohën kur Kosovës po i bëhet presion që t’i regjistrojë 24 hektarë tokë si pronë të Manastirit të Deçanit, duke e zbatuar edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë. Një organizatë joqeveritare europiane, “Europa Nostra”, e cila është për trashëgimi kulturore po insiston se Manastiri i Deçanit është “monument i rrezikuar” dhe duhet të ruhet 24 orë.

Megjithatë, ky pretendim i Europa Nostras hasi në mohim të ashpër nga Ministri Çeku, i cili tha se vendimi i vitit të kaluar i kësaj organizate për listimin e Manastirit të Deçanit në mesin e shtatë objekteve të rrezikuara nuk ka bazë në logjikën e shëndoshë.

“Në arsyetimin e kësaj organizate shihet qartë njëanshmëria e saj kur referencat i merr kryekëput nga historiografia serbe në rastet kur përmend karakteristikat e brendshme të objektit, derisa Kosovën e përmend me një fusnotë! Kjo qasje e Europa Nostra është joprofesionale, jorealiste, e njëanshme, dhe me ndikim të qartë politik”, kishte shkruar Çeku. Por, “Europa Nostra”, përfaqësuesit e së cilës ishin në Kosovë ditëve të fundit, nuk ndryshuan mendje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here