Gjuha dhe prejardhja
‘Ali Pasha e ka përdorur greqishten gati si gjuhë të tij zyrtare. Mbi portën e kështjellës së tij është një mbishkrim në greqisht në të cilin ai thekson se është pasardhës i Pirros, mbretit të Epirit. Poema epike madhështore me më shumë se 10 000 vargje, që i rrëfen të bëmat e tij dhe të cilat i lexoheshin atij me kënaqësi të madhe nga autori Haxhi Shehreti, një shqiptar mysliman nga Delvina, është e shkruar tërësisht në greqisht. Një shqiptar mysliman, i cili deklaron të jetë pasardhës i Pirros dhe mrekullohet me epikën në gjuhën greke për të bëmat e tij, të recituara për të nga Homeri i tij, është një fenomen nga më madhështorët.’
- Wace & Thompson, ‘The nomads of the Balkans’ (1914), f 192.
Vaje për Ali Pashën
0 lavdia Ali Pashë, bir, heroi i gjithë Epirit
I llahtarshëm dhe i tmerrshëm, si të ish i Pirros, biri
Ç’qe për ty vallë kjo mandatë, ç’ishte vallë kjo lemeri
Pleqërise hidhëruar, shëmbur bashkë me Mbretëri
Kjo është një poezi, me titull ‘Vaje për Ali Pashën’, e zbuluar së voni, por mendohet se është shkruar në greqisht nga Haxhi Shehreti, autori i ‘Alipashiadës’ me 10 000 vargje. Në të dy rastet flitet për prejardhjen e Ali Pashës që lidhet me mbretin Pirro. Kjo është një tendencë e hershme e elitës shqiptare për ta lidhur origjinën fisnike me lashtësinë.
Sidoqoftë, për Ali Pashën ka poezi edhe në gjuhën shqipe por me alfabet grek, që mendohet se fillimisht kanë qenë këngë, e që janë krijuar gjatë kohës së tij apo pas vdekjes.