DËSHMI RRËQETHËSE

Thuhet se fantazmat që përndjekin muret e Shtëpisë së Bardhë nuk janë të pakta, por asnjë fantazmë nuk është dëshmuar më shumë nga të gjallët, sesa Abraham Linkolni. Që prej vdekjes, sipas gjasave Linkolni u fanitet mysafirëve të rezidencës presidenciale. Mendohet se nuk e bën me qëllim të keq, përkundrazi, rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, kur vendi ka nevojë për ndihmën e tij, pasi dëshiron të përfundojë atë që nuk mundi ta realizojë para vrasjes./Konica.al

Ai “pa” vdekjen e tij… më shumë se një herë!

Me sa duket Linkolni kishte njëlloj parandjenjë për vrasjen e tij të ardhshme. Menjëherë pasi Linkolni u zgjodh për herë të parë president në 1860, ai pati një takim fantazmatik me veten. Një ditë, kur po shikohej në një pasqyrë të shtëpisë në Springfilld, Ilinois, në reflektimin e saj dalloi dy variante të fytyrës së vetë. Njëra fytyrë ishte ajo e asaj dite – fytyra e tij “e vërtetë”, fytyra tjetër ishte një kopje e zbehtë e fytyrës reale. Ishte thatanik dhe i ftohtë, gati për vdekje. Kishte elemente fantazme, që e bënin përjetimin edhe më rrëqethës. Kur thirri të shoqen, Meri Tod Linkolnin, ta shihte, ajo nuk arriti ta shihte reflektimin e dyfishtë që po i përshkruante i shoqi. Meri Todd ishte supersticioze. U shqetësua për të shoqin, pasi dëgjoi rrëfimin e tij për atë që pa dhe bëri një parashikim rrëqethës për të ardhmen e të shoqit. Ajo besonte se dy fytyrat ishin një shenjë. Për të, fytyra “e vërtetë” tregonte se ai do të jetonte mandatin e parë si president, kurse fytyra fantazmë ishte shenjë se ai do të rizgjidhej për një mandat të dytë, por nuk do të jetonte për ta përfunduar. Një saktësi e frikshme.

Më vonë, një natë në fillim të vitit 1865, ai e ëndërroi vdekjen me hollësi të frikshme. “Pas pak fillova të ëndërroja. Rreth meje dukej sikur mbretëronte një qetësi vdekjeprurëse. Më pas, dëgjova ngashërime të heshtura, sikur disa njerëz po qanin. Mendova ta lija shtratin dhe shëtita poshtë… Arrita në Dhomën Lindore. Përpara meje ishte një kreven, ku prehej një kufomë e veshur me rroba funerali. Rreth tij qëndronin ushtarë roje; dhe kishte një turmë njerëzish, disa që shikonin kufomën me pikëllim, fytyra e të cilit ishte e mbuluar, të tjerë qanin me keqardhje. “Kush ka vdekur në Shtëpinë e Bardhë?” – pyeta njërin prej ushtarëve. “Presidenti”, – m’u përgjigj. “E vrau një vrasës”, – përshkuan Linkolni. Abraham Linkolni u qëllua në kokë nga John Wilkes Booth, më 14 prill 1865. Vdiq të nesërmen.

Edhe Linkolni, pa një fantazmë në Shtëpinë e Bardhë.

Para vrasjes, edhe Linkolni kishte përjetuar takim me fantazmat në Shtëpinë e Bardhë. I biri, Uilli, vdiq nga ethet e tifos në vitin 1862, në moshën 11-vjeçare, vdekje e cila pikëlloi Presidentin dhe të shoqen. Supozohet se fantazma e Uillit e vizitonte shpesh të atin në Shtëpinë e Bardhë, po edhe Meri Tod kishte përjetuar takime me të birin e vdekur. Pas vdekjes së tij, Meri Tod mbajti zi pa dalë një javë nga dhoma, nuk u largua asnjë sekondë. Ajo raportoi se gjatë asaj kohe, një herë e pa djalin të qëndronte në këmbët e shtratit të saj.

Zonja e Parë Greis Kullixh (Grace Coolidge), ishte e para që tha se kishte parë fantazmën e Linkolnit. Ajo pohon se e pa ish-presidentin në këmbë, duke vështruar nga dritarja e Zyrës Ovale. Me sa duket, me duart lidhur pas shpine, ndërsa qëndronte atje, shikonte tutje nga Potomaku. Shumë thonë se ai po shikonte nga dritarja për të vëzhguar ish-fushat e betejës së Luftës Civile pak përtej lumit. Fillimisht, e ashtuquajtura Dhoma e gjumit Blu, dhoma e studimit të Linkolnit, mori emrin e tij pasi atje u pa shumë herë fantazma e tij. Elenor Ruzvelt (Eleanor Roosevelt) ishte një nga ato që përjetoi fantazmën e Linkolnit. Ajo shprehet, se thuajse çdo herë që punonte në Dhomën e gjumit “Linkoln”, do të ndjente edhe një prani tjetër në dhomë. Këtë prani e ndjente veçanërisht, kur punonte atje natën vonë dhe ishte e bindur se Linkolni i bashkohej në studimin e tij të mëparshëm. Shpesh ndiente sikur po e vëzhgonte mbi supe./Konica.al

Uinston Çërçilli (Winston Churchill) e vizitoi shpeshherë Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Frenklin D. Ruzveltit dhe, në një rast të veçantë, Elenora kishte planifikuar që ai të qëndronte në dhomën e gjumit “Linkoln”. Çërçillit nuk i pëlqeu shtrati ndaj zgjodhi të flinte në suitën “Rose”. Megjithatë, ai përdori banjën e dhomës së gjumit “Linkoln” për t’u larë, duke takuar fantazmën e Linkolnit në një mënyrë aspak të hijshme. Çërçilli sapo kishte dalë nga banja e mbrëmjes, krejt i zhveshur, me një puro në gojë, kur vuri re fantazmën e ish-presidentit të ulur para oxhakut të dhomës. Me sa duket Çërçilli i foli fantazmës, duke i thënë: “Mirëmbrëma, zoti President… Të më ndjeni se më keni kapur në situatë të pafavorshme”. Legjenda thotë se fantazma e Linkolnit nënqeshi dhe më pas u venit.

Kur Mbretëresha Vilhelmina e Holandës vizitoi Shtëpinë e Bardhë, ajo u përshëndet edhe nga fantazma e ish-presidentit. Po flinte në dhomën e gjumit “Linkoln”, kur dëgjoi një trokitje në derë në mes të natës. Me mendimin se mos ishte ndonjë mesazh i rëndësishëm, ajo u ngrit të hapte derën dhe të shihte kush ishte. Kur ç’të shohë: para saj pa fantazmën e Linkolnit, me kapelën në kokë e gjithçka tjetër. E tronditur, i ra të fikët në vend. Kur erdhi në vete, fantazma ishte zhdukur.

Zonja e Parë Bërd Xhonson (Bird Johnson), po ndiqte një program televiziv, që mbulonte vdekjen e Presidentit Linkoln, kur pati përjetimin fantazmik. Teksa shikonte programin, në mur pikasi një pllakat. Nuk e kishte vërejtur kurrë më parë, prandaj u afrua ta hetonte. Kur e lexoi, ajo përshkruante kohën e Linkolnit në dhomë dhe, aty për aty, ndjeu ta përshkonte një valë ftohtësie dhe shqetësimi./Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here