Nga Kreshnik Kuçaj

Praktika e themelimit të kompanive me kapital të përbashkët dhe me aksione është një praktikë që në Shqipëri njohu zhvillimin më të madh në vitet ‘20. Në këtë periudhë kemi një serë rastesh kur sipërmarrës shqiptarë bashkojnë paratë e tyre për krijimin e shoqërive të ndryshme aksionare.

Në këtë periudhë nuk mungojnë as kompanitë e huaja që vijnë në Shqipëri për shfrytëzimin e pasurive natyrore, kundrejt miratimit të koncesioneve përkatëse.

Në studimin e ekonomistëve të njohur Iljaz Fishta dhe Muharrem Doçi për ndërhyrjen e kapitalit italian në Shqipëri në periudhën 1925-1944 evidentohet se ndonëse vendi ishte i prapambetur në vitet ’20 filluan të lindin format më të organizuara të sipërmarrjeve, sikurse janë shoqëritë aksionere, kartelet etj.

Në këtë periudhë, ka pasur një përballje të fortë për tregun mes kompanive shqiptare dhe kompanive të huaja.

Kompanitë e para aksionere shqiptare 

“Vlora e lirë” u krijua në vitin 1921 si shoqëri anonime që ushtronte veprimtarinë e ngarkim shkarkimit në portin e këtij qyteti. Në vitet e mëvonshme rritet numri i shoqërive kapitaliste të krijuara me kapital vendas.

Në vitin 1923 krijohet shoqëria “STAMLESS” me qendër në Durrës, në 1925 krijohet “Shoqëria e Përgjithshme Elektrike”, në 1926 krijohet Shoqëria Anonime “Mërkur” me qendër në Korçë. Në 1927 krijohen disa shoqëri aksionere në Tiranë ku më e njohura ishte shoqëria SITA, Në Shkodër krijohet shoqëria “Portland Cemento Shkodra”, në Elbasan shoqëria “SAIDE”, në Sarandë shoqëria “DRINOS” etj.

Referuar shifrave të publikuara në studimin e dy ekonomistëve, vetëm gjatë vitit 1927 u investuan 2.5 milion franga ari për shoqëritë aksionere të krijuara rregullisht, përveç 1 milion franga ari të tjera të investuara në shoqëritë aksionere që nuk kanë qenë të krijuara rregullisht. 

SHOQËRIA E PËRGJITHSHME ELEKTRIKE E KORÇËS u krijua në vitin 1925 nga një grup sipërmarrësish shqiptarë. Qendra e saj ishte në qytetin e Korçës dhe kapitali fillestar i kësaj shoqërie ka qenë 200 mijë franga ari por në vitet e mëvonshme është rritur duke shkuar në 800 mijë franga ari.

Themeluesit e kësaj shoqërie ishin Llambi Mano, Pando Mulla, Llambi Bimbli, Vëllazën Qirjako, Mihal dhe Vasil Fundo, Selim Mborja etj. Kjo kompani e përqendroi aktivitetin e saj kryesisht në sektorin e elektrikut dhe në drejtimin e një mulliri të fuqishëm bloje.

Kjo shoqëri mori koncesionin për ngritjen e centralit elektrik të Vithkuqit për furnizimin e Korçës me energji eletrike.

Deri në atë periudhë, energjia elektrike prodhohej nga motorë më lëndë djegëse e ndryshe nga më parë, kjo shoqëri nisi prodhimin e energjisë elektrike nga uji për herë të parë në Shqipëri. Në këto kushte, pati jo pak debate me banorët e zonës për faktin  se duheshin mbyllur disa mullinj që punonin me ujë. Pas debateve, u ra dakord që mullinjtë të kalonin në prodhim duke përdorur energjinë elektrike.

Kompania nënshkroi statutin e saj që parashikonte që kohëzgjatja e saj të ishte 50 vite. Kapitali i shoqërisë ishte 200 mijë franga ari i ndarë në 200 aksione të zakonshme.

Statuti mbante firmën e themeluesve Pandeli Mulla, Dhimitër Bimbli, Dhimitër Fundo dhe Selim Mborja, të gjithë banues në Korçë. Dëshmitarët ishin avokati Thoma Orollogaj dhe Hysen Dvorani.

Kompania funksionoi deri në Luftën e Dytë Botërore, ku në përfundim të saj, u shtetëzua dhe kaloi në administrim shtetëror.

Mëposhtë lista e aksionerëve të SHOQËRISE SE PËRGJITHSHME ELEKTRIKE E KORÇËS: 

STAMLES (Shoqëria Tregtare Anonime për Monopolin e Letrave dhe Shkrepsave). Është krijuar në mars të vitit 1923 nga një grup sipërmarrësish shqiptarë të kryesuar nga Jusuf Beshiri. Qendrën kjo kompani e kishte në Durrës. Kapitali fillestar ishte 186 mijë franga ari por që do të rritej në periudhën e mëvonshme.

Bashkë me SITA-n, kjo ishte ndër shoqëritë e para aksionere me kapital vendas.

Kjo kompani e përqendroi veprimtarinë e saj në ushtrimin e monopolit të letrës së cigareve dhe shkrepësave, në prodhimin e duhanit dhe cigareve dhe në prodhimin e shitjen e energjisë elektrike.

Kjo kompani u krijua si pjesë e një projekti të qeverisë për të dhënë monopolin e letrave të lojës, shkrepëseve dhe të cigareve të paketuara.

Gjatë periudhës së perandorisë osmane, duhani ishte monopol shtetëror që administrohej nga Administrata e Borxhit Publik Osman, por pas shpalljes së Pavarësisë monopoli kaloi në duart e shtetit shqiptar.

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, qeveria vendosi ta japë me koncesion, edhe për të luftuar kontrabandën.

Vetë kompania pati përplasje të forta me autoritetet shtetërore gjatë periudhës së koncesionit. Megjithatë, kjo kompani prodhonte disa prej paketave të cigareve më të famshme të kohës.

Po ashtu, kjo kompani e shtriu veprimtarinë e saj edhe në prodhimin e energjisë elektrike ku mori koncesionin e furnizimit të qytetit të Durrësit me energji elektrike.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kompania e prodhimit të duhanit u shtetëzua dhe u emërtua ndërmarrja Nish Cigare Durrës Telat Noga.

Mëposhtë lista e aksionerëve të kompanisë STAMLES :

SITA-Shoqëria Industriale Tregtare Anonime

Një nga përpjekjet më të rëndësishme në këtë drejtim ishte në vitin 1927, vit ku biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë u bashkuan në një sipërmarrje të përbashkët të emërtuar SITA-Shoqëria Industriale Tregtare Anonime.

Grupi i biznesmenëve shqiptarë të kësaj sipërmarrje kryesohej nga Aleksandër Hobdari, një nga biznesmenët më të njohur të kohës.

Pjesë e këtij grupi ishin edhe Koço Kota, Milto Tutulani, Pandeli Vangjeli, Xhemal Vrioni etj. Të gjithë aksionerët e kësaj kompanie ishin politikanë të lartë dhe aktivistë të njohur për çështjet kombëtare.

Qendra e kësaj shoqërie ishte në Tiranë. Kjo shoqëri sipas statutit, mund të zhvillonte veprimtari të ndryshme por ajo në bazë të koncesioneve të marra nga qeveria shqiptare e asaj kohe e zhvilloi veprimtarinë industriale e tregtare në dy drejtime kryesore; në prodhimin, shpërndarjen e shitjen e kripës në të gjithë territorin e vendit dhe në prodhimin e shitjen e energjisë elektrike në Tiranë.

Shoqëria SITA e kishte qendrën në Tiranë. Ajo u themelua me kapital fillestar 1 milion franga ari. Më vonë,  ajo bëri dy emisione aksionesh të reja duke shtuar kapitalin në 2.2 milionë franga ari.

Kompania kishte 4.400, secili nominativ që kishin një vlerë nga 500 franga ari secili. Në bazë të një dispozite të statutit të saj aksionistët nuk mund të ishin veçse nënshtetas shqiptarë dhe për këtë arsye shoqëria u formua dhe mbeti me kapital thjeshtë kombëtar.

Në këtë mënyrë,  duke vendosur kushtin e të pasurit të aksionarëve vetëm shqiptarë, kompania synonte të mbante një frymë nacionaliste.

Për herë të parë, potenciali natyror i Shkodrës për të prodhuar çimento u zbulua gjatë pushtimit austriak, ku disa teknikë do të evidenton se në malin e Taraboshit kishte gurë nga të cilët mund të nxirrej lënda e vlefshme për ndërtim. Më vonë, disa tregtarë të Shkodrës do të ndërmerrnin inicativën për të mbledhur disa kampionë dhe për t’i dërguar për analizë laboratorike nga e cila rezultatet do të ishin pozitive.

Pozita gjeografike ishte e favorshme pasi mundësonte transportin përmes rrugëve detare në portet e vendit. Duke qenë se Buna ishte lumë i lundrueshëm dhe fabrika mund të ngrihej në breg të lumit, mbartja e produktit mund të bëhej me barkat e ulqinakëve me lehtësi në të gjitha skelat e Shqipërisë, me çmim të ulët.

Për ngritjen e fabrikës do të investoheshin 700 mijë franga ari, një pjesë e të cilave do të ishin investim i tregtarëve e një pjesë tjetër e individëve të thjeshtë që kishin blerë aksione në kompaninë shqiptare.

Fabrika do të niste normalisht prodhimin e fillesat do të ishin pozitive për aksionarët e kompanisë së çimentos. Megjithatë makineritë e vjetëruara e të papërshtatshme për zhvillimin e kompanisë do të bënin që ajo të prodhonte nën potencial e mirëmbajtja do të kishte kosto të lartë, çka ndikonte negativisht te fitime.

Për të rritur kapacitetin prodhues të fabrikës, këshilli administrativ i shoqërisë do të kërkonte zgjerimin e kapitalit. E në këtë rast, si aksionar i shoqërisë do të bashkangjitej Fazlli Ademi, pronar i fabrikës së famshme të duhaneve, Taraboshi. Ky i fundit, për të përmirësuar gjendjen e fabrikës vendosi të hynte në shoqëri duke investuar 100 mijë franga ari.

Por sërish kompania nuk do të arrinte të performonte mirë e do të bllokonte punimet dy herë.

Në këto kushte në vitin 1933 një kompani gjermane (MIAG) do të shprehte interesin që të mbështeste fabrikën për të arritur kapacitetin e prodhimit 600 ton në ditë.

Nga ana tjetër, edhe qeveria në vitin 1935 do të ndërmerrte lehtësi fiskale për të mbështetur funksionimin e fabrikës duke hequr taksat doganore për lëndët e para që nevojiteshin për përpunimin e materialit.  Kapitali i fabrikës do të arrinte ne 1.2 milionë franga ari ndërsa prodhimi i saj do të arrinte që të përmbushte për kohën nevojat e vendit. Fabrika do të vijonte aktivitetin deri në momentin e shtetëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.

Mëposhtë lista e aksionerëve të kompanisë PORTLAND ÇIMENTO: 

Shoqëria Anonime ‘Mërkur’ është krijuar në vitin 1926 në Korçë nga sipërmarrës të ndryshëm. Operonte në fushën e prodhimit të alkoolit.

President i kësaj shoqërie ishte Vasil Andrejev. Në listën e aksionereve të kësaj kompanie ishin edhe familjarët e drejtuesit, Fedor Andrejev, Ana Andrejev, si dhe biznesmenët shqiptarë Gaqo Turtulli, Vasil e Petraq Katro etj.

Aksionerë të tjerë të saj ishin edhe Pandi Mulla dhe Llambi Mano, të cilët njëkohësisht zotëronin aksione edhe në shoqërinë e përgjithshme elektrike të Korçës.

Aksionerët e kësaj shoqërie dispononin kapitale të mjaftueshme dhe erdhën duke i rritur ato në përputhje me nevojat e tregut. Shumë shpejt shoqëria do të ishte e para në tregun vendas.

Shoqëria Nikaj e shokë. Kjo shoqëri është themeluar në vitin 1921, në qytetin e Shkodrës, nga një grup sipërmarrësish shkodranë, ndër të cilët vëllezërit Nikaj, vëllezërit Sali Mehmeti, Kol Gj. Pashkja. Çmimi i tokës dhe i ndërtesës llogaritet të ketë kushtuar rreth 120 mijë fr. ar.

Që në fillim, në mes të pjesmarrësve të kësaj shoqërie, pati mosmarrëveshje dhe, një pjesë e aksionerëve u larguan dhe distileria mbeti në duart e vëllezërve Nikaj. Në vitin 1931 fabrika u pajis me makineri moderne për kohën.

Në vitin 1932 aktiviteti pushoi përkohësisht. E njëjta gjë ka ndodhur edhe nga viti 1939 deri në vitin 1942, ku si pasojë e konkurencës së madhe të alkoolit të importit, fabrika u mbyll. Në vitin 1943 nga mungesa e kapitalit, fabrika u shndërrua në shoqëri kolektive “Nikaj e shokë” me një kapital prej 175 mijë fr. ar.

Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri numëroheshin rreth 50 kompani të rëndësishme aksionere, një pjesë shqiptare e një pjesë të huaja, kryesisht italiane.(SCAN)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here