Për më shumë se 100 vjet, një nga vendet më të famshme arkeologjike në botë, Machu Picchu, është njohur me emrin e gabuar, sipas një raporti të botuar në Ñaëpa Pacha – Gazeta e Institutit të Studimeve të Andeve, shkruan CNN të premten.

Inkasit që ndërtuan qytetin antik ka të ngjarë ta quanin atë Huayna Picchu, thuhet në raport.

“Huayna përkthehet në ‘i ri’, ndërsa Picchu do të thotë ‘majë mali’ në gjuhën indigjene Keçua”, ka thënë Emily Dean, profesoreshë e antropologjisë në Universitetin e Jutas Jugore në Cedar City.

“Machu do të thotë ‘e vjetër’, kështu që ne e kemi quajtur atë majë mali të vjetër”, ka shtuar ajo.

Sipas autorit të raportit, Brian Bauer, profesor i antropologjisë në Universitetin e Illinois në Çikago të SHBA-së, vendbanimi inkas besohej të ishte ndërtuar rreth vitit 1.420 si një pronë për inkat mbretërore që jetonin në Cuzco, kryeqyteti i perandorisë inkase.

Kur spanjollët më vonë pushtuan Inkat, Huayna Picchu u braktis, thuhet në raport. Vendi kishte mbetur i fshehur për shekuj, thellë në malet e Andeve derisa eksploruesi amerikan, Hiram Bingham e rizbuloi atë në vitin 1911.

“Në shënimet e tij në terren, Bingham vendosi ta quante qytetin antik Machu Picchu, bazuar në informacionin e dhënë nga udhëzuesi i tij Melchor Arteaga, një fermer që jetonte në zonë”, ka thënë Bauer.

Gjatë hulumtimit të Bauer në Machu Picchu, ai gjeti prova se emri i tij origjinal kishte qenë ndryshe.

“Një nga dokumentet më mahnitëse ishte një raport i vitit 1588 që thoshte se njerëzit indigjenë të rajonit Vilcabamba po konsideronin të ktheheshin në Huayna Picchu”, ka thënë Bauer.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here