Nga: Spartak Topollaj (titulli i autorit: “A e vetëvramë ne, Bekim Fehmiun, Marlon Brandon shqiptar?”)

Plot 50 vite më parë, për dy javë rresht ( 20 prill – 4 maj 1972 ), rikthehej pas dekadash të tëra, qysh prej fëmijërisë së tij në Shqipëri (saktësisht në Shkodër), aktori ynë i madh me famë botërore, Bekim Fehmiu (Sarajevë, 1 qershor 1936 – Beograd, 15 qershor 2010).

Bekim Fehmiu, ky artist i jashtëzakonshëm i skenës dhe ekranit, prej 12 vitesh më parë, i iku kësaj jete dhe kësaj bote me dëshirën e tij, por jo pa arsye! Pa dyshim, iku mes dilemave të mëdha, se si shpirtmadh që ishte, donte familjen, popullin, kombin, Kosovën, Shqipërinë dhe artin e aktrimit e interpretimit, që ishin dhe pasioni më i madh mbi gjysmë shekullor i tij!

Por, ndryshe nga shumica e atyre, që nuk janë më mes të të gjallëve, ai, falë cilësive të rralla aktoriale dhe talentit të madh të lindur, mbetet mes nesh, i paharruar kurrë, ashtu i fiksuar në celuloid, shirita të videove, DVD apo CD pa fund, me 40 filmat e tij kinematografikë, tetë filmat televizivë dhe dhjetëra rolet në dramat e shumta shfaqur në skenat më të njohura …

Për këtë artist të madh, dëgjova për herë të parë maturant, kur filmi “Mbledhësi i Puplave” (ose “Kam takuar edhe ciganë të lumtur”), në të cilin ai interpreton shkëlqyeshëm ciganin Belli Bora (Bora i Bardhë), u vlerësua nga Oscari evropian, me Çmimin e Madh të Jurisë së Festivalit të 20 jubilar në Kanë – “Palma e Artë” dhe u shpall filmi më i mirë i huaj në konkurrimin për Oskcarin amerikan!

Më pas, teksa nisa studimet universitare në Fakultetin Histori-Filologji, Kursi Histori-Gjeografi, për Bekimin më folën gjerë e gjatë me superlativa të gjithë studentët vëllezër shqiptarë të Kosovës, arratisur nga Ferri titist, që duke kaluar nëpër Purgatorin e Sigurimit të Shtetit ( hetuesi e gjatë dhe disa vite internim në zona të thella ), kishin mbërritur në “Parajsën” – skëterrë të regjimit karikaturë stalinist të diktatorit Hoxha në tokën amë, ku edhe iu ishte akorduar ndonjërit prej tyre e drejtë studimi. Një ditë, krejt papritur, miku im kosovar, i miri Myrsel Halimi, më dhuroi një fletë reviste me ngjyra, ku shquante portreti i një burri jashtëzakonisht të pashëm dhe me shikim të thellë zhbirues e të mendueshëm, të cilin e kisha parë vetëm te një tjetër gjeni i filmit, holivudiani Marlon Brando, ose Emiliano Zapata, si na pëlqente asokohe ta quanim ne, ngjashmëria me të cilin ishte dukshëm e qartë!

Filmi amerikan “Rroftë Zapata” ( 1952 ), i regjisorit të famshëm hebreo-amerikan, Elia Kazan, në Shqipëri u shfaq i dubluar në frëngjisht (për të humbur sadopak “gjurmët” e Holivudit dhe një prej më të mëdhave studio të tij:20th Century Fox)

Kjo bindje m’u përforcua, pas disa vitesh, kur pashë edhe një tjetër film të madh të Brandos, transmetuar së pari nga RAI1, në ciklin prej katër filmash, “Rebelët e të djeshme”! Ishte filmi “I egri” (në origjinal “The Wild One”), pasuar nga “Rini e djegur” (“Rebel pa shkak”).

Ishte pranvera e bukur e vitit 1972, gjatë së cilës, nga Perëndimi, kish nisur e po frynte një puhizë e lehtë “detare” liberalizmi, që siç dihet nuk zgjati shumë prej paranojës së diktatorit tonë, kur njëri nga miqtë e mi, edhe ai student i Kosovës, në një kurs me mua, Ejup Gashi, më thotë se ka mbërritur në Tiranë aktori i madh Bekim Fehmiu, i akomoduar në të famshmin dhe të vetmin hotel për të qenë, “Dajti”. Ishte një lajm i gëzuar ky, ndaj e binda veten se ishte rasti më i mirë që ta shihja nga afër artistin që adhuroja aq shumë, të cilin do të bëja çmos edhe ta takoja, qoftë edhe për pak sekonda e një autograf. Dhe, kështu ndodhi. Sapo mësova, se artisti i madh do të ishte i pranishëm në premierën e dramës së akademikut shqiptaro-rumun, Viktor Eftimiu, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, interpretuar nga studentët e Degës së Dramës, bashkë me dy miqtë e ngushtë, Ing. Mikel Dyshniku dhe Dr. Riza Vani, e mbajtëm frymën në sallën e ILA (sot Akademia e Arteve).

Çasti i shumëpritur erdhi, kur pas një takimi vëllazëror e të përzemërt me studentët dhe pedagogët e Dramës, ku ai i përgëzoi ata për shfaqjen, doli nga salla dhe holli i mermertë, në sheshin para Akademisë dhe mes Viktor Gjikës, Milkanit dhe Anagnostit, dallonte hijshëm, Bekimi i bekuar edhe nga Zoti!

Karizmatik dhe tejet elegant!

Nxora një bllok italian De Agostini dhe stilolapsin Parker, i dola përpara, duke iu paraqitur se kush isha, e komplimentova duke i bërë krahasimin me Brandon, në të dy filmat e përmendur më lartë dhe pashë se me një nënqeshje, më shumë ishte jo miratues! Thjeshtësi e natyrshme njerëzore, edhe pse fama e tij, kish kapërcyer shtete, madje dhe oqeane!

Emrin e paske të bukur tha, teksa po më jepte autografin! Po fluturoja nga gëzimi, e ndoshta kisha të drejtë, isha takuar me më të famshmin aktor shqiptar të kohës, i cili qysh 15 vjeç kish shfaqur para të atit se donte të bëhej aktor, si i madhi Aleksandër Moisiu. Mbasi më dha bllokun e stilolapsin, më zgjati dorën e më pyeti: cilat janë pasionet e tua?

Historia, gjeografia, diplomacia, letërsia, filmat, muzika dhe futbolli.

A nuk janë si shumë tha, duke vënë lehtas buzën në gaz dhe u largua, duke më përshëndetur me një të mirupafshim të ngrohtë!

Ende nuk po më besohej, e gjitha ç’ka ndodhi brenda atyre pak çasteve!

Por, takimet me atë nuk ishte e thënë të kishin mbaruar.

Herën e dytë, teksa shëtisnim me tim vëlla Shpendin, në shëtitoren buzë detit, pamë rastësisht se u ndal afër nesh një autoveturë, Polski FIAT 125, ngjyrë qumështi, nga e cila zbriti Bekim Fehmiu, ardhur në Durrës për të vizituar ndër të tjera edhe Muzeun Arkeologjik afër Hotel “Vollgës”.

Doja shumë ta takoja edhe njëherë, por po hezitoja, hezitim që ma përforcoi im vëlla të cilit i kisha treguar për takimin e parë, teksa më këshilloi, se “syshqiponjat” janë rrotull dhe dy herë janë shumë, për t’u takuar me dikë, që gjithsesi vinte nga Jugosllavia e Titos?!

Si sot, e kujtoj me veshjet luksoze dhe elegante firmato, xhup lëkure i zi shevró, si motoçiklisti Johnny (Brando) te “I egri”, pulovër kashmiri i bardhë, punuar hollë dhe me jakë golf, xhinse të zeza dhe këpucë lëkure boks me majë e me taka të larta kaubojësh.

Veshja tjetër ishte xhaketë blu, dopiopet me kopsa të argjendta pantallona të hirta, kravatë kuq e zi dhe këpucë lustrafin ngjyrë kanelle!

Prej atëherë nuk e pashë më kurrë Bekimin, madje edhe kur vizituam më 1991 me të parin delegacion të Partisë Demokratike, të ftuar nga Partia për Prosperitet Demokratik e shqiptarëve në Maqedoni dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me Dr. Rugovën në krye, ish-Jugosllavinë që po shpërbëhej!

Ai jetonte në Beograd, ku edhe u shkollua në Akademinë e Arteve të Bukura, e u njoh, u dashurua, e u lidh për jetë me aktoren e famshme e të bukur serbe, Branka Petriq (interpretuese në 70 filma dhe në shumë drama ), lindur më 17 prill 1937 në Novi Vinodolski!

Me Brankën u bënë me dy djem, Uliks dhe Hedon! I pari ndoqi rrugën e babait të madh, ndërsa bija e tij Nika Uliks Fehmiu, lindur në Nju-Jork më 1995, është artiste e bukur dhe topmodele, e promovuar edhe nën kujdesin e të mirënjohurit fotograf, Fadil Berisha.

Le ti rikthehemi Bekimit.

I lindur në Sarajevë, ku ishte vendosur për punë familja prizrenase Fehmiu, pak kohë më vonë vjen në Shkodrën mijëravjeçare të ardianëve ilirë, kala e qytetërimit, identitetit, kulturës, demokracisë, e qëndresës së shqiptarëve në shekuj, e bukur si Rozafa! Në Shkodër kish njohur edhe dashurinë e parë, që s’e kish harruar kurrë, as pse kishin kaluar plot 30 vjet! Mbante mend me hollësi gjithçka, shtëpinë, familjen e saj, por pushtetarët injorantë të kohës, me alibi idiote, nuk ia krijuan, madje ia penguan mundësinë ta takonte!

E vetmja vizitë familjare që iu mundësua, edhe si amanet i nënës së tij, ishte te e veja e Bajram Currit, ndoshta edhe nga krushqia që këta të fundit kishin me familjen e heroit Emin Duraku!

Bekim Fehmiu spikat me karizmën dhe talentin e tij, kudo në Jugosllavinë e Titos, aspak dashamirëse ndaj shqiptarëve, por uragani i skenës dhe i ekranit nuk mund të ndalej!

Ai kërkohej nga regjisorët më në zë të teatrit dhe filmit jugosllav, duke qenë interpretues në 12 filma, nga i pari më 1961, deri te “Mbledhësi i puplave” i regjisorit të famshëm Aleksandër Petroviq, më 1967, fitues i Palmës së Artë në Kanë, film që nuk u arrit dot as pas 20 vitesh, kur artistët e njohur pro-milosheviqianë, Kusturica dhe Bregoviq, realizuan filmin “Shtëpia për t’u varur)!

Tashmë ai kërkohet kudo, në Evropë, edhe si aktor poliglot që ishte (fliste në pesë gjuhë), e sidomos në Italinë e regjisorëve e aktorëve më të mëdhenj evropianë!

Menjëherë (më 1968), thirret nga i madhi producent italian i filmave Dino de Laurentiis dhe regjisori i shquar Franco Rossi, për filmin e mrekullueshëm televiziv me tetë seri “Odiseja”, ose “Aventurat e Uliksit”, krahas divës tjetër shqiptare, por me famë botërore si greke, arvanitases Irene Papas (Leleku), në rolin e Penelopës! E ku mund të gjendej çift më i përkryer aktorësh protagonistë se këta dy shqiptarë klasi?!

Më 1975, në krah të të madhes tjetër Klaudia Kardinale, por edhe Adolfo Celit, interpreton në filmin e njohur mirë nga ne, “E dashura ime, Libera” të Mario Bologninit dhe me kolonën zanore të madhështorit Ennio Morricones, “perandor” i muzikës së filmave!

Më pas vjen Hollivudi dhe filmat amerikanë me të madhen Ava Gardner. Po kaq bukur ai interpreton në serialin me gjashtë pjesë “Përgjithmonë Xhulia”, të regjisorit e aktorit të shquar Enrico Maria Salerno, krahas bukuroshes me famë Tahnee Welch, bijë e një tjetër aktoreje edhe më të famshme, Rachel Welch, por dhe krahas të shquarve Fabio Testi, Dalila Di Lazzaro, Laura Antonelli dhe Jean Pierre Cassel!

S’mund të mos përmendet mes shumë e shumë filmave të Bekim Fehmiut, edhe një prej tyre, tashmë i spikatur: “Edukimi special” i Goran Markoviqit (1977), që disa e konsiderojmë edhe më të mirin film të tij, me interpretimin brilant si inspektor Munizhaba!

E, teksa fama dhe emri i tij rritej çdo ditë dhe kish mbërritur në apogje, në krye të Partisë Socialiste dhe Serbisë, qarqet shovene dhe ekstremiste serbomëdha sollën në pushtet Sllobodan Milosheviqin, diktator delirant e paranojak, stalinist i pakorrigjueshëm, që do të njihej më pas si Kasapi i Ballkanit, të cilit i duhen dhënë “meritat” si shkatërrues i Jugosllavisë, kësaj krijese artificiale të fuqive të mëdha!

Gjenocidi, masakrat dhe krimet e luftës të serbëve në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe sidomos në Kosovë, nga armata dhe milicia e Milosheviqit, Daçiqit, Vuçiqit (Gëbelsi i Sllobos) etj. dhe paramilitarët e Karaxhiqit, Mlladiqit, Sheshelit e Arkanit, nuk mund të pranoheshin, e aq më pak të faleshin nga artisti i madh, që në mënyrë demonstrative u tërhoq nga jeta artistike, duke mos interpretuar më kurrë para vrasësve!

Patjetër që jeta e tij, falë rrethanave dhe zhvillimeve të kohës, kishte kaluar gjithnjë mes dilemave të mëdha, por tani që ai vendosi të ndahet përfundimisht nga profesioni dhe kryepasioni i tij, kryedilema që mbetej ishte: ç’do të bëjë ai me veten dhe me jetën e tij?!

E ndjente se për dekada të tëra ishte paragjykuar për Brankën serbe, po aq shqiptare sa edhe ai, njeriun e jetës së tij; ishte paragjykuar pse qëndroi në Beograd; ishte paragjykuar edhe nga vetë shteti amë, që nga një anë e ftonte e nga ana tjetër e survejonte, deri edhe kur shkonte në WC, me dyshimin idiot dhe të turpshëm se mos ishte agjent titist … e deri edhe pse i çoi djemtë në Amerikë?!!!

Të gjitha këto paragjykime, e të tjera që mund t’i dinte vetëm ai, bënë që Bekimi, ky artist përmasash të mëdha me ADN shqiptare, që kurrë nuk pranoi të ndryshonte emër, siç bënë e bëjnë dhjetëra të tjerë (sa për ilustrim Carlo Pedersoli – Bud Spencer, apo Mario Girotti – Terence Hill), t’i rrallonte daljet në publik (i pa ndarë nga Branka) dhe të mbyllej çdo ditë e më shumë!

Një nga intelektualët më të shquar kroato-boshnjakë, Milenko Jergoviq (1966), shkruan në “Jutarnji list” më 26 qershor 2010, një ndër vlerësimet më të ndjera dhe më të arrira për madhështinë e Bekimit, vetëm 10 ditë pas fluturimit të tij për në Parajsë!

Është po ky autor që mahnit me një opinion brilant, edhe për gjeniun tonë të përmasave evropiane e botërore, Kadare, po në “Jutarnji list më 18 korrik 2010!

Edhe aktori i famshëm Rade Sherbexhia (1946), mik e dashamirës i Bekimit (interpretues në 48 filma kinematografikë, përfshi “Eyes Wide Shut”, film i fundit i të famshmit Stanley Kubrick, 1999, me Tom Cruise e Nicole Kidman, apo dhe “In the Land of Bloode and the Honey” nga Angelina Jolie, me subjekt Luftën në Bosnje, që u deklarua herët kundër luftërave të Milosheviqit, e u detyrua ta lerë Jugosllavinë), e vlerëson me superlativa, aktorin e madh shqiptar!

Si mund të mos ishte atdhetar dinjitoz, aktori ynë, i lindur e i rritur në familje patriotike, babanë e të cilit, arsimtar e intelektual, që mori pjesë në Kongresin e Elbasanit më 1920 dhe e burgosën dy herë serbët dhe malaziasit?! Të tetë fëmijëve, katër  djem e katër vajza, prindërit e tij iu vunë emra të bukur shqiptarë: Bashkim, Shpresa, Fatmir, Besa, Luljeta … deri te më i vogli, Bekim, që mbeti i bekuar!

Mbasi ka dhënë ndër vite intervista plot zgjuarsi, nisur ndër më të hershmen, si ajo për gazetarin e moderatorin e famshëm italian Antonio Lubrano di Scampamorte, vendos të hedhë në letër kujtimet e tij dhe ia del bukur fort në krye! I titullon ato “Shndritshëm dhe tmerrshëm”! Shkruar shumë bukur, libri i tij tregon se ai ishte intelektual kalibri edhe si shkrimtar, po aq sa i madh ishte edhe si aktor. Përkthyer së pari nga miku im i mirë dhe i mençur, ambasador Xhelal Fejza, e më pas i tëri nga Shkëlzen Maliqi, ky libër, bestseller, gjendet vetëm me “mik” nëpër librari.

Faqet e shumta, ku flet për vizitën e para 50 viteve në Shqipërinë e regjimit karikaturë të diktaturës enveriste të proletariatit, janë nga më të bukurat, por plot dhimbje për mjerimin, izolimin e prapambetjen e “socializmit fitimtar”, që “marshon përpara”, si edhe plot qesëndi, ironi e sarkazëm për regjimin!

I ftuar në tribunën butaforike të 1 majit 1972 para Hotel “Dajtit”, i rrethuar nga “vëllezërit” tanë kinezë, mbërthyer gjer në grykë me uniforma gjysmë ushtarake, qëndronte i menduar “miku” kosovar Bekim Fehmiu, i cili mezi dallonte nga 20 metra larg, profilin e Enver Hoxhës, që aq shumë e donte dhe e “ruante” vetë populli, i cili, nuk la gardist të kuq kinez, apo delegacion vietnamez, korean, kamboxhian, afrikan, indigjen etj. pa i sajdisur dhe s’gjeti 15 minuta kohë ta takonte Bekim Fehmiun e madh, paçka se ai qëndroi plot dy javë në Shqipëri, ndërkohë që njihej si pari dhe më i shquari aktor nga vendet e Lindjes, vlerësuar nga Perëndimi i të dy brigjeve oqeanike?!

Bekimi ndoqi me shumë interes të parën javë të Filmit Shqiptar në Beograd, ku takon Anagnostin dhe Milkanin, të cilët, ishin të parët, që plot dashamirësi dhe me iniciativën e tyre, i kishin bërë ftesën për të vizituar Shqipërinë, ftesë e pranuar gjithë kënaqësi e dëshirë!

Kur mësoi për ftesën, intelektuali më i shquar serb, filozof, shkrimtar dhe kritik i famshëm, Borislav Mihajloviq Mihiz ( 1922-1997 ), që kryesonte edhe Komitetin për Mbrojtjen e Lirisë së Artistëve në Beograd, i tha Bekimit: Në Shqipëri është një shkrimtar shumë i madh, që ndër të tjera ka bërë një libër të mrekullueshëm, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”! Bëj çmos të ma sjellësh!

Dhe, Bekimi, jo vetëm e takoi gjeniun tonë, Kadare, por me autograf mori prej tij një kopje të këtij libri me rezonancë universale në frëngjisht, kryevepër kjo, botim i “Albin Michel” të Parisit, në përkthimin e supermjeshtrit Jusuf Vrioni!

I dhënë i tëri pas pasionit të jetës, aktrimit, Bekim Fehmiu, nuk parapëlqente politikën, por vlerësonte Dr. Ibrahim Rugovën, Gandin e Ballkanit, ndërsa Presidenti Rugova, sa herë që pata fatin dhe nderin ta takoja qysh prej viti 1991 e deri pak muaj para se të ndërronte jetë, për të jashtëzakonshmin Bekim Fehmiu, fliste me superlativa!

Bekimi erdhi edhe njëherë tjetër në Shqipëri, pas 31 vitesh të tjera, më 2001, kësaj here bashkë me Brankën, i ftuar në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë” në Pallatin e Kongreseve. Foli thjeshtë dhe bukur, me shqiptarinë në çdo fjalë dhe recitoi shkëlqyeshëm, duke ndezur flakë sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve me “Flamur Shkabë”.

Pengu i madh i jetës time, thotë i përlotur ai, është që nuk munda të interpretoj asnjëherë në film, në gjuhën time amtare, kaq të ëmbël!

Çuditërisht, edhe kësaj here, në demokraci, nuk i bëhet asnjë nderim nga autoritetet socialiste shtetërore! Me sa dukej, dekoratat, çelësi, e sahati i Tiranës, ruheshin për Bregoviqët, Kusturicat, Çoliqët etj?!

Për më keq akoma, ai kësaj radhe njihet me dy raportet zyrtare të vitit 1972, të deklasifikuara e të publikuara në media, të zëvendësministrit të Arsimit e Kulturës dhe Drejtorit të Punëve të Brendshme të Tiranës, të cilat tregonin hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e neveritshme, tashmë proverbiale të regjimit, ndaj vëllezërve kosovarë dhe Kosovës vetë! Por, ai deshi Shqipërinë dhe jo regjimin!

Më mbeti peng i madh, që nuk munda ta takoj, e ndoshta të bisedoja më gjatë e më lirshëm kësaj here, mbasi ndodhesha me një delegacion për herë të dytë në ShBA. Një përpjekje serioze, për të paraqitur përmasat e vërteta të këtij aktori të madh, bëri së fundmi Valmir Tertini i “Sinemania”-s, që realizoi një film dokumentar cilësor me skenar të gazetarit Fahri Musliu, i shfaqur në Muzeun Historik Kombëtar vetëm pak javë më parë, ku foli regjisori ynë i mirënjohur dhe miku i Bekim Fehmiut, Pirro Milkani. Të pranishëm në këtë eveniment me zonjën dhe vajzat, menduam se ishte e pafalshme që për këtë diamant të çmuar të kulturës dhe artit shqiptar, paskemi ditur kaq pak?!

I lënë disi në harresë, normalisht e pafalshme për autoritetet shtetërore e kulturore dhe kudo ku jetojnë shqiptarë, shtojmë dhe arsyet që i kemi përmendur në krye të këtij shkrimi modest ndaj një personaliteti artistik të përmasave të mëdha, Bekim Fehmiu zgjodhi, me dëshirë, të ikte nga kjo botë me aktin dëshpërues të vetëvrasjes!

Vërtetë, ai e vuri vetë tytën e pistoletës në tëmth, por këmbëzën e saj e tërhoqëm ne, ndaj dhe nuk e zgjodha rastësisht ta titulloj këtë shkrim: “A e vetëvramë ne, Bekim Fehmiun, Marlon Brandon shqiptar?” Të madhin dhe të jashtëzakonshmin Bekim Fehmiu do të duhej ta kishin nderuar me kohë Kosova dhe Shqipëria me titujt më të lartë të tyre, e pse jo edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi …

Presidenti i Republikës, SH.T.Z

Ilir Meta, në vazhdën e nderimeve dhe dekorimeve të merituara, të drejta, të ekuilibruara, e të menëura, që ka bërë e po bën, kam bindjen dhe besimin e plotë, se nuk do ta mbyllë mandatin e tij presidencial më 24 korrik 2022, pa i dhënë titullin më të lartë, padrejtësisht të munguar, por të stërmerituar, Nderi i Kombit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here