MËRGATA SHQIPTARE
Nga: Idriz Lamaj
Nga veprat e apostujve të Shqipërisë etnike
Xhafer Deva
Në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës
Parathënie
Ndoshta si shumë të tjerë, edhe unë, shpeshherë shfletoj letrat me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, që nuk janë më në këtë jetë. Duke i shfletuar ato, për një çast shpalosen kujtime që më duket se disa prej tyre mund t’i shërbejnë historisë tonë. Pastaj, kthehem te vetëdija për gjendjen e e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, e them me vete: “Vallë, çfarë mund të shërbejnë në këtë kohë të zymtë kujtimet e mia për të tjerët ose letrat e njerëzve të vdekur?”
Pa qenë ndjellës ogurzi i pesimizmit, duke menduar si gjithmonë për një të ardhme më të mirë, kthehem tek detyrimet e mia ndaj miqve të mi dhe si një vëzhgues i akullt i kohës, pa asnjë pretendim shërbimi historik, kur më jepet mundësia e botimit, shkruaj atë që kam në mend, gjithnjë të mbështetur në shkrimet dhe në letrat e tyre. Ky parim ndiqet edhe në këtë libër për Xhafer Devën. Xhafer Devën e njoha në person, kemi këmbyer vizita dhe kemi pasë letërkëmbim të dendur.
Kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij dhe kam trashëguar të gjithë korrespondencën e Xhafer Devës me Rexhep Krasniqin, shokun e tij më të ngushtë, për mëse 40 vjet. Mbas shumë vjetësh, bisedova në telefon me të bijën dhe dhëndrin e zonjës Deva. Në bisedë e sipër, duke përfituar nga miqësia e vjetër, pyeta për letrat e tij dhe më njoftuan se të gjitha i kishte Qefali Hamdia, mik i familjes së tyre.
Në qershor të vitit të kaluar (2001) shkova në Kenosha, Wisconsin, mysafir i Qefali Hamdisë, për të shikuar korrespondencën e Xhafer Devës, të cilën ia kishte dërguar zonja Deva vite më parë, kur ajo, për shkak të moshës së thyer, po mbyllte shtëpinë e vet për të vajtur në shtëpinë e 5 së bijës dhe të dhëndrit, zonjës Burgl Dagmar dhe Rev. Dennis Logie.
Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i merrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihet një periudhë mbi 30 vjet, 1945 – 1978. Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë – tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht. Letrat dhe shkrimet e Xhafer Devës, me përjashtim të atyre me shkronja të turqishtes së vjetër dhe të serbishtes me shkronja cirilike, kryesisht janë të shkruara me makinë, të mbajtura mirë dhe të renditura si mbas alfabetit, me personat që ai kishte të bëjë.
Aty përfshihen edhe letrat e tij familjare. Ai ruajti me kujdes kopjen e çdo letre që dërgoi dhe çdo letre që mori. Zonjës Oswalda Deva, të bijës Burgl, dhëndërrit Dennis Logie dhe z. Qefali Hamdia me familje, i’u shprehi falënderimet më të përzemërta për besimin që më dhanë. Me mirënjohje të veçantë kujtoj këtu ndihmesën që më dhanë vëllezërit – Kapidan Nue Gjomarkaj dhe Nikoll Gjomarkaj, në përgatitjen e njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të këtij libri.
Kapidan Nou, përveç vënies në dispozicion të lëndës mbi marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe dërgimin e parashutistëve në Shqipëri e në Kosovë, shqyrtoi bashkë me mua secilin dokument të asaj periudhe, dhe formuluam tekstin në formë bisede; ndërsa Nikolla, deshifroi letrat, transkriptoi dhe përktheu nga italishtja, materialet e papublikuara deri më sot, të cilat u botuan në këtë kapitull.
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Ç’ka nuk ka pa dhe çka nuk ka përjetue Kosova para dhe mbas dy Luftërave Botnore nën robninë e egër të regjimeve monarkiste e komuniste të Jugosllavisë: mija e mija familje mërgimtarësh pa asnjë gjë mbas shpirtit, t’ue i lanë lamtumirën me dhunë atdheut të tyne, për të mos u kthye më kurrë në te; mija djem të ri e burra të shtyem në moshë, mbërthye në armë, t’ue bë qëndresën e dëshpërimit deri në heroizëm legjendar, vetëm e vetëm për të mbet bashkë me Shqipninë; mija e mija të tjerë, të shuem jete ndër qelitë e errëta të burgjeve, si ai i Stara Gradishkës, Mitrovicës së Sremit, Idrizovës së Shkupit, Goli Otokut dhe Nishit, etj., etj., si këta; mija nâna, motra e gra shqiptare të mbetuna qyqe në votër, mbulue në zi të përjetme, tue rritë fëmijë jetimë në prehnat e tyne.
E pra, gjith ai gjak e ata lot nuk u derdhën për qëllime vetjake, as për shpërblime, e as për të marrë nji pllambë tokë a pasuni të huajën, por vetëm për me i ruajt dy gisht fytyrë e një grusht dhë të trashëguem nga mjegulla e gojëdhënës. Popullsia shqiptare e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, që i ka qinrue në çdo kohë besnik për vdekje atdheut etnik, e që ka dhânë shembuj të lavdishëm në historinë tonë kombëtare, asnjëherë dhe në asnjë periudhë nuk e ka n’ie veten mâ të sigurt në bashkimin e kombit se sa gjatë vjetëve të stuhisë së Luftës së Dytë Botnore, periudhë që ajo popullsi e quejti “Koha e Shqipnisë”. Pa e pâ aspak pushtimin e ushtrive gjermane e italiane, ajo e njohu atë kohë si kohën e bashkimit me Shqipninë shtet, si në pikëpamjen shpirtnore, ashtu edhe në atë fizike.
Kjo shprehje përcaktimi, bien në kundërshtim të plotë me shprehjen “Shqipnia e Madhe”, që propaganda e Beogradit, qoftë nacionaliste, qoftë komuniste e socialiste, e përdorë në kuptimin e zgjerimit imperialist shqiptarë, dje në kurriz të Jugosllavisë, e sot në kurriz të Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë. Burri i shtetit shqiptar etnik, që në emën të atij populli luajti rolin mâ vendimtar në “Kohën e Shqipnisë”, pa dyshim âsht Xhafer Deva. Le ta shohim tash se në çfarë rrethanash ai dhe shokët e tij i lanë lamtumirën Kosovës dhe çfarë roli luajti ai dhe ‘Grupi Kosovar’ në mërgim. Ky grup me Xhafer Devën në krye, e lëshoi Prizrenin, kryeqytetin simbolik të Shqipnisë etnike, aty nga mesi i nandorit të 1944-tës.
Para largimit, u bâ dorëzimi i Zyrës Qendrore të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në mënyrën ma të rregullt e ma të ndershme. Udhëheqësit e kësaj Lidhje që kishin qeverisë e drejtue luftën, ashtu si administratën e Kosovës përmes zjermit të luftës, i dhanë nji randësi të veçantë dorëzimit të gjendjes financiare, e që ishte mjaft e konsiderueshme. Dorëzimi i thesarit të paprekun, që gjendej në arkën e Lidhjes, âsht shembulli ma tipik i burrnisë kosovare dhe dëshmia e plotë e moralit të naltë të Xhafer Devës e bashkëpunëtorëve të tij. E vërteta âsht, se as anmiqtë sllavokomunist, deri me sod, nuk kanë mujtë me e hapë gojën kundër tyne për shpërdorime morale ose përfitime personale.
Në mbramjen e 17 nandorit të 1944-tës, dy ditë mbas largimit prej Prizrenit, përmes gjëmimeve të bombardimit e sulmeve të tërbueme mbi qytetin e Prishtinës, ku rrugët ishin shndërrue në gërmadha e gadi të gjitha vijat që lidhnin qytetin me periferitë ishin shkatërrue ose ndërpre, ‘Grupit Kosovar’, që përbahej prej Rexhep Mitrovicës, Rexhep Krasniqit, Tahir Zajmit e Xhelal Mitrovicës, Xhafer Deva u siguroi tërheqjen drejt Kralevës. Megjithate, ata nuk mundën me u nisë deri në orët e vona të asaj nate të stuhishme me shi e luftë, sepse Rexhep Mitrovica mungonte. Ishte besnikëria e patundun e shokëve të tij dhe njifarë mrekullie, që Rexhep Mitrovica shpëtoi pa u vrâ ose pa râ rob në dorë të partizanëve. Ma në fund, me automobilin personal të Xhafer Devës, ata arritën pikën ku do t’i merrte aeroplani për në Zagreb.
Kryetari i shtetit kroat, Ante Paveliq, bashkë me ministrin e Jashtëm, që ishte një boshnjak, mik i shqiptarëve, i mirëpritën dhe u dhanë zemër. Në Zagreb, ky grup me Xhafer Devën në krye, përkujtoi me nderime të qeverisë kroate, festën tonë kombëtare, 28 Nandorin, dhe qëndroi në Kroaci dy javë. Në fillim të dhjetorit të atij viti, Grupi Kosovar prej pesë vetësh, kaloi me shumë mundime Alpet Slloveno-Austriake, të cilat ishin mbulue me borë deri në brez. Veriu i rreptë dhe ngrica memzi i lejonin të shihnin njani-tjetrin. Të pestë, vetëm me nga nji pale rroba në shtat e Deva me nje çantë ushqimesh të thata në shpinë e një revole në brez, kaluen kështu Alpet dhe u strehuan për disa ditë te nji mik i Devës.
Prej aty hynë në Vjenë për me u takue me aleatët perëndimorë, në zonën e kontrollit të të cilëve kishte ra Austria perëndimore, e kthyer në gërmadha dhe në një gjendje kaotike, ku grumbuj emigrantësh të zhveshun e të rraskapitun nga Lufta e ikja, endeshin gjithandej për t’iu shmangë lavës komuniste që përvlonte kahdo. Pasiguria dhe uria mbretnonin kudo. Aty edhe miku kishte frikë t’i shtrinte dorën mikut. Burra shtetesh të Evropës Lindore, vuejshin për një copë bukë dhe dridheshin qosheve të mahnitun, t’ue kqyrë qëndrimin e vdekun të aleatëve ndaj lubisë ruse, që po vnonte kufinin në zemër të Evropës.
‘Grupi Kosovar’, në saje të miqve personal të Xhafer Devës, u vendos në Vjenë, ku siguroi jetën si refugjat dhe u vu në shërbim të sistemimit të grupeve nacionaliste shqiptare, që mbrrinin aty nëpërmes vështërsinave të pa përshkrueme. Grupeve të ‘Ballit Kombëtar’, grupit të Mirditës me Kapidan Gjon Marka Gjonin në krye, Nuredin Bej Vlorës, Shefqet Verlacit, Mehdi Frashërit me familje, Kol Bib Mirakës e shumë të tjerëve, Xhafer Deva u siguroi strehim të përkohshëm, e shpëtim nga furia e Ushtrisë së Kuqe që kishte mbërri në pragun e Vjenës. Banesa e Grupit Kosovar, u bâ qendër zyrtare në shërbim të t’gjithë emigrantëve shqiptarë, t’ue përfshi edhe shumë student që i zu puna atje.
Në mënyrë të veçantë, Xhafer Deva u kujdes për Rexhep Mitrovicën, shëndetlig, të cilit, me anë miqësh personal, i siguroi strehimin në një Sanatorium, në një rreth të qytetit Feldkirch afër kufirit me Zvicrën. Në fund të vitit 1945 e deri në fillim të vitit 1947, Xhafer Deva u tërhoq te disa miq të vet në Austrinë perëndimore, prej ku ndejti në lidhje të vazhdueshme me shokët e ‘Grupit Kosovar’ dhe u përpoq të marr lajme e të krijojë ndërlidhje me qëndresën antikomuniste në Kosovë, por lajmet që merrte, ishin tepër tronditëse: gjatë atyne dy vjetëve, regjimi i Titos kishte vendosur diktaturën ushtarake në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni, ku mija e mija shqiptarë kishin përfundu nën breshnin e skuadrave të pushkatimit dhe nëpër burgje.
Lajmi i shuemjes së kryengritjes së Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe Ymer Berishës, ndjekun me vetëmohim nga masa popullore e atij rrethi që la në fushën e luftës ma se 5000 vetë dhe shkrimja në zjerm e 44 katundeve, e tronditi së tepërmi Grupin Kosovar. Shpresa dhe premtimi se aleatët mund të zbritnin në Ballkan, po të kishte kryengritje të tilla të qëndresës së organizuar nacionaliste në vende nevralgjike, si në Kosovë, filloi të venitet, për të mos thanë se u shue. Tashmë në Kosovë qëndronin vetëm çeta të veçueme në ndjekje të vazhdueshme, si ajo e Ymer Berishës, Adem Agë Rashkocit, Ali Morinës, Xhem Gostivarit në Maqedoni, etj.
Shumicën e këtyre udhëheqësve kosovar e përfshiu flaka e ndjekjeve të tërbueme të Sigurimit jugosllav, gjatë vjetëve 1946 e 1947. Ata që mbetën gjallë kaluen kufinin e hynë në Greqi. Megjithate, Xhafer Deva nuk mund të qëndronte asnjanës e pezull. Më 1947, ai kaloi në Itali, ku u takue me Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin, Ali Dragën dhe i tërhoqi prej Austrie Rexhep Mitrovicën, e përmirësuem nga shëndeti dhe Rexhep Krasniqin. Së bashku shkuen në Gjenovë të Italisë, ku me ndihmën e një diplomati turk, i cili ishte shqiptar nga Prizreni dhe mik personal i Xhafer Devës, i siguruen lejen Rexhep Mitrovicës për të shkue në Turqi.
Ashtu bânë edhe me Dr. Nuri Dinon me familje, një tjetër patriot i njohun i Çamërisë martire. Në fund të vitit 1947, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica dhe Tahir Zajmi, emigruen në Siri, ku rifilluen aktivitetin e tyne politik me nxjerrjen e gazetës “Bashkimi i Kombit”, një ndër 12 gazetat e para të nacionalizmit shqyptar, të mbas luftës. Xhafer Deva në Siri ndejti katër muej dhe u kthye papritmas në Romë. Gjatë qëndrimit të tij në Damask, njohu shumë kosovar të vendosun atje kohë ma parë, të cilët kishin dalë në Siri nga Turqia, në periudha të ndryshme. Shumë prej tyne mbanin në mend gojëdhanat e të parëve mbi vuajtjet mbinjerëzore gjatë përzanjes me dhunë nga Kosova.
Megjithë largimin e Xhafer Devës nga Siria, shokët e tij e vazhduen veprimtarinë politike me botimin e gazetave. Grupi Kosovar, filloi botimin e gazetës “Bashkimi i Kombit”, tue pasë për editor Xhelal Mitrovicën, gazetar i shquem dhe dis’hepull i Gjergj Bubanit. Numri i parë që doli në fillim të vjetit 1948, dallohet për programin, shkrimet, aktualitetin e asaj kohe dhe rrethanat ende të turbullta të saj. Qartësia e mendimeve të ‘Brithyesit’ (pseudonim i Xhelal Mitrovicës – I.L.), Rexhep Krasniqit, Tahir Zajmit, etj., studimet, analizat e pasura historikopolitike, asnjanësia sa i përket grupeve politike shqiptare në mërgim, lufta serioze kundër komunizmit dhe mbrojtja me vendosmëni e zanit të heshtun të popullit shqiptar në atdheun amë dhe nën Jugosllavi, e bajnë këte gazetë të denjë për titullin që mbante dhe të dëshiruar për studiuesit e çështjeve etnike.
Nga “Bashkimi i Kombit” (29.6.1949) mësojmë se ‘Grupi Kosovar’ me kohë i kishte dhânë mandatin Xhafer Devës, për ta përfaqësue në bisedimet politike të atëhershme, kur kishin fillue të ngjalleshin shpresat për një kryengritje të përgjithshme, në të cilën padyshim mërgata jonë do të luante një rol të dukshëm në mbrojtjen e jashtme të kryengritësve. Vitet 1948 – 1949, për Xhafer Devën, janë periudhë e randë pune dhe lëvizjesh të pandërprera. Në atë kohë kur për shumë emigrantë kishte më shumë fjalë se punë, Xhafer Deva përpiqet që mbrenda trupit të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, që po themelohej, të përfaqësohej edhe Kosova me viset tjera të robëruara nën Jugosllavi, pa marrë parasysh se cili do të ishte përfaqësues.
Megjithëse nuk kishte asnjë lidhje me inteligjencën angleze, ai ndikoi zhdrejtasi që çështja e Shqipërisë etnike, të mos ndahej prej problemit të shtetit të cunguar shqiptar. Në anën tjetër, kur Mbreti Zog thirri në Aleksandri të Egjiptit përfaqësuesit më të rëndësishëm të partive shqiptare, Xhafer Deva u zgjodh kryetar i Kuvendit të Aleksandrisë. Nderimi që i’u bë Xhafer Devës në atë Kuvend, pasqyrohet në “Bashkimin e Kombit” (29.6.1949): “Xhafer Deva ka vetëm nji qëllim të naltë e të arsyeshëm të formimit të bazave në Kosovë e në Shqipni, gja që ka përfundue me sukses, mbasi sot kemi lidhje me Kosovën. ‘Grupi Kosovar’ përfaqsohet nga Xhafer Deva, përfaqsuesin e vet e konsideron si element të vlefshëm, dinamik dhe të aftë në fushën e përgaditjeve të strategjisë së akcionit. ‘Grupi Kosovar’ do të vazhdojë botimin e “Bashkimit të Kombit” dhe do të përpiqet të veprojë në stil të gjanë e me mjete ma të plotësueme. ‘Grupi Kosovar’ beson t’i ketë interpretue jo vetëm direktivat popullore kosovare, por edhe dëshirat e popullit shqiptar”.
Xhafer Deva dha një kontribut të fortë në përgatitjen dhe vendosjen e qendrave të rezistencës në malet e Shqipërisë, sidomos në lidhje me grupet veriore, të cilat bënë përpjekje të përgjakshme dhe sakrifikuan veten për ta pâ Shqipërinë të lirë dhe të bashkuar brenda kufijve etnik. Krijimi i qendrave radiofonike në Shqipëri e në botën e jashtme, zgjati deri kah mesi i vitit 1953, kohë kur Perëndimi hoqi dorë nga veprimtaria për çlirimin e Shqipërisë nga sistemi dhe diktatura e egër komuniste. Për më se tetë vjet, 1944 – 1953, qëndresa antikomuniste në malet e Shqipërisë e në të njejtën kohë edhe në Shqipërinë etnike, mbeti e gjallë dhe e padorëzuar, besnike e idealeve të thjeshta shqiptare kundër regjimeve komuniste të Tiranës dhe të Beogradit.
Gjatë gjithë këtyre viteve, Xhafer Deva, duke u përshkuar edhe nëpër rreziqe të jetës së vet, i doli zot dhe e ndihmoi me gjithë shpirtë për ta ngritur lëvizjen kombëtare në akcione, për ta çliruar Kosovën nga thundra sllave dhe Shqipërinë nga shërbëtorët e armiqve të kombit. Me 1954, Deva hyn në punë në një zyrë polake për refugjatë, prej kah përsëri ndihmoi nga të gjitha anët dhe mundësoi emigrimin e refugjatëve shqiptar në Kanada, Amerikë, Australi, etj., të cilët kishin mbetur prej kohësh nëpër kampet e Italisë dhe të Greqisë. Memorie.al