Gjatë kohës së diktaturës komuniste, data 25 prill quhej dita e krijimit të forcave të kufirit, e caktuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me vendimin nr.48, datë 23.11.1954. Në fakt më 25.4.1945 ishin marrë në dorëzim sektorët e kufirit në Korçë dhe Delvinë nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit. Në vitet 1944-1948 Shqipëria nuk kishte kufij me Jugosllavinë. Kjo u vulos edhe më shumë në vitin 1946 me bashkimin doganor me këtë shtet. Njësitë ushtarake pranë kufirit me Jugosllavinë u krijuan vetëm në vitin 1948, kur mbaroi “vëllazërimi i madh”. Në asnjë kohe tjetër, shteti shqiptar nuk ka qenë në këtë raport skandaloz në lidhje me kufirin me Jugosllavinë. Në vitin 1949 u shkri Divizioni i Mbrojtjes së Popullit dhe u krijuan Drejtoria e Kufirit dhe Brigada e Sigurimit të Shtetit (nuk ka lidhje me organet e Sigurimit të Shtetit. Emri u ndryshua shpejt dhe u formuan forcat e ndjekjes) në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në vitin 1951 u krijua Drejtoria e Forcave të Kufirit dhe Ndjekjes.