Arkeologu italian Ugolini, ka regjistruar një legjendë të çuditshme që ka mbijetuar te shqiptarët në Jug të Shqipërisë. Legjenda vjen nga Mesjeta, të paktën nga shekulli XII. Sipas saj, Juda, apostulli dhe tradhtari i Krishtit, gjoja paska lindur në Akropolin e Butrintit.

Ky besim i çuditshëm dhe fantazmagorik, ndoshta e ka prejardhjen nga një keqkuptim i natyrës topografike, pra është një lloj kakofonie. Në ishullin e Korfuzit ka një fshat që quhet Skaria (ndoshta emri homerik i Korfuzit). Banorët quhen skariotë – nga Skarioti te Iskarioti rruga e ngatërrimit është tepër e ngushtë, por edhe e lehtë. Por, banorët e Korfuzit nuk kanë dashur ta kenë “këtë lavdi të palavdishme”. Dhe, thonë se vendlindja e Judës ka qenë Butrinti.

Që kjo legjendë nuk është shpikje mendore e kohërave moderne, apo një kuriozitet i thugët, del qartë nga fakti se luftëtarët e Kryqëzatës së IV-të (viti 1204) e dinin këtë gojëdhënë të nëmur, që përmendet edhe nga abati benediktin i Piterborosë, në veprën e tij “Bëmat e Mbretit Henriku i Dytë”. Zanafilla e gojëdhënës është shumë më e vjetër se shekullin XIII. Kjo do të thotë që në shekullin XII kjo histori e paragjykuar qe gati një traditë e besueshme, e gatshme, një material për të ndërtuar struktura fantazish, të përshtatshme për kryqtarët.

Nuk dihet dhe nuk mund të shpjegohet pse lindi miti, se Butrinti qe vendlindja e Judës. Kjo është në kundërshtim të plotë me informacionin e katër ungjijve sinoptikë. Ndoshta buron nga ndonjë ungjill apokrif? Ndoshta kultura gnostike ka gëluar këtu në Antikitetin e Vonë dhe në Mesjetën e Hershme?

Dihet se një komunitet hebrenjsh ka jetuar në rrethinat e Vlorës dhe emri qytetit Orikum u quajt prej tyre me emrin e qytetit biblik Jeriko. Kjo ngatërresë qe thjesht e qëllimshme, apo metaforike? Kemi të bëjmë këtu me shtegtimin e toponimeve, të emër-vendeve, dukuri kjo e rëndomtë në kohë dhe në hapësirë? Pse këto mite vendase dhe lokale, të brumëzuara nga krishterimi vërtiten dhe përhapen përqark? Pse Butrinti, qyteti virgjilian i Eneut, që u lartësua në kohën e Oktavian Augustit u quajt si vendlindja e nëmur e Judës?

Ungjijtë thonë saktësisht se Juda u vetëvar në një vend të caktuar në Jerusalem. Juda qe flokëkuq, puthja e tij e famshme e identifikimit ka mbetur një shëmbëlltyrë letrare dhe proverbiale e të gjithë kohërave. 40 asprat e argjendta nuk janë për të paguar kalimin e tij me barkën e Karontit në Had, janë pengu i tij i çmendurisë dhe i mosmirënjohjes më të skajshme. Vetëm Borgesi në një tregim të pabesueshëm dhe të llahtarshëm, të quajtur “Tri interpretimet e Judës”, shkruan se gjoja Nils Runebergu, një studiues i çmendur po edhe mendjemprehtë, anëtar i një bashkësie evangjeliste, shkroi një vepër ku rreket të vërtetojë se Juda e kish tradhtuar Jezu Krishtin që ta detyronte, ta shpallte hyjninë e tij dhe t’i jepte zjarr revoltës kundër shtypjes romake.

Juda, i vetmi ndër apostujt, kishte parandjerë hyjninë e mistershme dhe qëllimin e zjarrtë të Krishtit. Fjala ishte përulur që të bëhej fjalë e vdekjes, Juda, nxënësi i Fjalës, mund të përulej dhe të bëhej denoncues (më e keqja, që e përmban një çnderim) dhe të hynte në zjarrin, që nuk shuhej. Sistemi i poshtëm është pasqyrë e më të lartit, trajtat e Tokës përputhen me trajtat e Qiellit, njollat e lëkurës së Judës qenë hartë e yjësive të amshueshme, në një farë mënyre Juda ishte shkëlqimi i personalitetit të Krishtit.

Nils Runebergu u mbështet në motivin e asketizmit të tepërt, madje të skajshëm. Asketi e damkos dhe e mundon trupin e vet për të arritur famë sa më të madhe te Zoti. Juda po ashtu kishte bërë me shpirtin e tij. Kishte hequr dorë nga nderi, mirësia, mbretëria qiellore. Ai që më parë se të tjerët me fuqi parashikuese i kishte parashikuar mëkatet e veta. Në shkeljen e kurorës zakonisht kemi butësi dhe therrori, në vrasje – guxim, në profanizim dhe blasfemim të Zotit – një xixë të satanizmit. Juda i kishte zgjedhur mëkatet që në vetvete nuk ngërthenin asgjë nga virtyti. Këtu shpjegohet keqpërdorimi i besimit dhe denoncimi. Veproi me përunjësi të rrallë, veten e konsideroi të padenjë të jetë i mirë. Juda e synoi Ferrin se për të ishte e mjaftueshme fama e Zotit. Ky arsyetim borgesian të çmend dhe të çmerit, është më tepër eksperiment mendor.

Por, kryqtarët e Mesjetës ishin akoma të paditur dhe të paaftë për të arritur tek Borgesi. Kështu ata besuan me tërë mend një keqkuptim shqiptar dhe gati kozmik se Butrinti qe vendi ku lindi Juda i neveritshëm.

Shumë e lodhshme dhe e papritur kjo histori! Nuk kam fuqi dhe as shpresë ta vazhdoj më tutje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here