Nga Jahja Drancolli

Amza (Regjistri) i Shkollës Arbërore në Venedik të viteve 1442-1780 është një burim origjinal me një vëllim prej 132 fletesh, e cila gjendet e fshehur në fondet e Arkivit Shtetëror të Venedikut. Një kopje e paplotë ruhet sot edhe në Bibliotekën Kombëtare Marciana në Venedik.


Dihet se marrëdhëniet arbërore-venedikase janë të njohura të paktën që në shekullin XI. Nga kjo kohë dhe veçanërisht nga fillimi i shekullit XIV, Republika e Venedikut, pasi kishte zhvilluar fuqinë shtetërore, ekonomike dhe zotëronte pothuajse të gjithë bregdetin lindor të Adriatikut dhe pjesën më të madhe të ishujve bizantinë, duke përfshirë disa qytete bregdetare të Arbërisë, qendra saj ishte bërë jo vetëm një vendtakim i shumë emigrantëve, por edhe një mënyrë për të afirmuar kulturat e tyre në kulturën e Rilindjes Europiane. Së këtejmi, sipas mërgimtarëve të vendosur këtu, filluan të quheshin edhe rrugët e qytetit. Në këtë kuadër, sipas komunitetit arbëror, i cili ishte i shpërndarë në zona, si, Castello, San Croce, San Polo, Cannaregio dhe San Marco, gjashtë rrugët quheshin Calle degli Albanesi. Në zonën e San Marco-s u vendosën edhe toponimet të cilat lidheshin me familjen bujare Zguri, e vendosur këtu nga fillimi i shekullit XIV. Pallati i tyre ndodhet në sheshin Shën Mauricit (Campo San Maurizio), shumë pranë godinës së Shkollës Arbërore. Përballë këtij pallati, në të njëjtin shesh, ngjitur me shkollën në fjalë, ndodhet Pallati Molin, pronë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që iu dhurua nga Republika me rastin e shpalljes së tij qytetar nderi i Venedikut! /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here