Ka pasur probleme edhe me himnin kombëtar, paçka se nuk është shprehur kurrë publikisht. Enver Hoxha, lideri historik i Shqipërinë komuniste, qysh nga dita e ardhjes në pushtet, nuk ka reshtur përpjekjet për ta ndryshuar, por nuk ia doli asnjëherë.
Ende pa u familjarizuar mirë me zyrën e Kryeministrit dhe të kreut të vendit, Enver Hoxha urdhëronte në dhjetor të vitit 1945 formimin e një komisioni zyrtar për krijimin e një himni të ri kombëtar.
Në kushtet e reja, porosiste kreu i regjimit, na duhet një tjetër himn për Shqipërinë e re, ku t’i këndohet partisë, socializmit, atdheut, revolucionit, Moskës, Stalinit. Një himn pak a shumë si ai i Internacionales(!) Sprova e parë rezultoi e pasuksesshme. Si vargjet e Skënder Luarasit dhe muzika e Kristo Konos, pavarësisht “Ok”-it të komisionit zyrtar, s’mundën ta kalojnë klasën për të zyrtarizuar zëvendësimin e himnit kombëtar.
Sidoqoftë, Hoxha nuk do të mjaftohej me kaq. Në vitin 1954, me një tjetër urdhër të tij u ngrit një tjetër komision për të shpallur konkursin e radhës për tekstin dhe muzikën e himnit të republikës.
Këtë radhë, komisioni i ishte besuar për ta drejtuar bashkëshortes së tij, Nexhmije Hoxha, asokohe drejtoreshë e Agjitropit të Partisë dhe Liri Belishovës, sekretare e Komitetit Qendror të Partisë. Po ndodhi që edhe këtë herë produkti i përzgjedhur ishte i pamjaftueshëm për të realizuar qëllimin. As vargjet e Andrea Varfit dhe as poezia me autorë treshen Llazar Siliqi-Fatmir Gjata-Vandush Vinçani (poezi me tre autorë(!), nuk tejkalonin ligjërimin e Asdrenit. Që këtej Enver Hoxha e provoi sërish në fillimin e viteve ‘70.
Sipas porosisë së tij, Këshilli i Ministrave në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, shpallën një konkurs ku morën pjesë emrat më në zë të krijuesve shqiptarë, duke filluar nga Ismail Kadareja, Çesk Zadeja, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci e deri tek më i riu, Xhevahir Spahiu. Në epilog të procesit disamujor, komisioni artistik paraqiti para organit vendimmarrës (alias Byroja Politike) tri alternativa për modelin e himnit të ri: Krijimin e Nikolla Zoraqit, atë të Çesk Zadesë dhe baladën e Pjetër Gacit, “Për ty Atdhe”. Përfundimisht, edhe kjo përpjekje nuk solli ndonjë rezultat konkret për ndryshimin e himnit të flamurit. Nuk dihen arsyet pse kupola e regjimit rrëzoi tri alternativat e përzgjedhura nga komisioni artistik.
Gazeta “Panorama” ka zbuluar dosjen e korrespodencës shkresore të Enver Hoxhës me Mehmet Shehun, Kryeministër i kohës, në fillim të procesit. Përtej shtjellimeve të tjera me objekt revolucionarizimin e shkollës, për të cilat bëhet fjalë në dokument, dallohet në të, madje qartë, edhe qasja që ndajnë me njëri-tjetrin dy krerët e lartë për himnin e flamurit.
Për Shehun, Kryeministrin më jetëgjatë të regjimit komunist, ka ardhur koha, bile është vonë, që fëmijët të këndojnë në shkollë internacionalen, se është turp të vazhdojnë me himnin e Zogut(!) Sakaq, për Hoxhën që e mirëkupton në thelb shqetësimin e vartësit për një himn tjetër të Republikës, kërkesa është e drejtë, por zëvendësimi duhet bërë në kohë dhe pa zhurmë. Më poshtë po zbardhim të plotë shkëmbimin e mendimeve midis dy njerëzve më të pushtetshëm të regjimit komunist…
SHEHU: HIMNI YNË, INTERNACIONALJA
“Internacionale duhet të jetë kënga e parë që duhet të mësohet në shkollat tona, duke filluar që nga klasa e parë”. Kështu shkruan Mehmet Shehu, ish-Kryeministër i kohës, në raportin e përgatitur për Komitetin Qendror të Partisë në shkurt të vitit 1969, “Mbi revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës së detyruar 8-vjeçare të arsimit të përgjithshëm”.
As më pak dhe as më shumë, platforma e reformës së parashtruar nga Këshilli i Ministrave në fushën e arsimit, siç artikulon Shehu, duhej nisur nga ndryshimi i gjendjes, ku “asnjë nga nxënësit, madje as studentët e pedagogët, nuk dinë të këndojnë dhe nuk e njohin melodinë dhe fjalët e Internacionales, që duhet të jetë kënga e parë që duhet të mësohet në shkollat tona, duke filluar që nga klasa e parë”.
I shqetësuar pse nuk ka zënë vend te nxënësit e studentët “Internacionalja” e famshme, numri dy i regjimit i propozon Komitetit Qendror për të realizuar procedurat e nevojshme që të rikthehet në shkollë “Himni i flamurit”, jo ai i vjetri, por një himn i ri me frymë revolucionare.
“Duhet të shpresojmë, nënvizon në raport Shehu, që poetët dhe kompozitorët tanë të na ndërtojnë së shpejti, të paktën deri në jubileun e 25-vjetorit të çlirimit të atdheut Himnin e Republikës, se është turp për ne që akoma nuk kemi një himn të saktë, por vazhdojmë me atë të vjetrin e mbretit Zog”. Çuditërisht, njeriu që drejtonte qeverinë e regjimit, i njohur nga kalemxhinjtë e oborrit si erudit i madh, nuk njihte historinë e himnit.
E vetmja gjë që shqetëson atë, është përmbajtja e vjershërimit të nxënësve dhe studentëve, melodia revolucionare e këngës, me të cilën duhet të fillojë një ditë e re në shkollat shqiptare…
ENVERI: NJË HIMN TË RI PA ZHURMË
I njohur me platformën për revolucionarizimin e shkollës me firmën e Mehmet Shehut ku propozohet krijimi i një himni të ri, Enver Hoxha që ka provuar pa sukses disa herë zëvendësimin e tij, i tërheq me takt vëmendjen Kryeministrit për shprehjen e pasaktë të tij lidhur me origjinën e Hymnit të flamurit dhe po aty i shprehet se ideja për një himn tjetër të Republikës, është e drejtë dhe në kohë.
”Mendoj mos ta thuaç çështjen e ‘Himnit të flamurit’ në atë formë, o shkruan Hoxha Kryeministrit Shehu, se do merret shtrembër, pse ay ka qenë edhe para Zogut. Për himn të ri, po, është drejt, me kohë dhe pa zhurmë, ky do të zëvendësohet”.
Në ato pak rreshta që kreu i regjimit shkruan për vartësin e tij, njeriun që i ka besuar drejtimin e Këshillit të Ministrave, përveç qortimit për lajthitjen mbi historinë e himnit, ka skicuar telegrafisht projeksionin, sipas të cilit do të procedohet për himnin e ri të Republikës, duke lënë të kuptohet përmbajtjen e kësaj sfide, e konsumuar tashmë prej kohësh në nivelet e larta të vendimmarrjes politike.
Një himn që nuk u realizua asnjëherë, pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme të autoriteteve zyrtare dhe preokupacionit të veçantë të Hoxhës.
Sidoqoftë, letërkëmbimi i Enverit me Mehmetin në shkurt të vitit 1969, dëshmon shpërfilljen e tyre për himnin e flamurit dhe përpjekjet e dështuara për të bërë një himn të tipit të Internacionales, ku të himnizohej revolucioni proletar dhe Partia e Punës.